in

Igumenicë-Konispol, toka që vazhdon të kultivojë migrim ilegal

“Fshesa” greke përzë edhe kladestinët e “pranverës arabe” nga Igumenica drejt Shqipërisë

Nga Telnis Skuqi, ATSh

Imigrantët arabë pranë kufirit greko-shqiptar
Igumenicë (Greqi) – Ahmedin Hamedi, 50 vjeçar nga Tunizia, është një nga mijëra klandestinët që u largua nga vendlindja sapo nisi revolucioni i parë i asaj që më pas u quajt pranvera arabe. Hamedi aktualisht qëndron imigrant në Igumenicë, një qytet i vogël bregdetar në veri në Greqisë, vetëm 32 km larg kufirit shqiptaro-grek, një qytet i qetë, me 30 mijë banorë. Ai thotë se në Igumencisë nuk ndodhet rastësisht, sepse qëllimi i tij është të shkojë në Itali me traget, pasi atje e presin të afërmit. Edhe pse katër herë ai ka tentuar të shkojë në vendin e tij të preferuar dhe është ndaluar nga policia kufitare, ai nuk do të rresht së tentuari ikjen e tij drejt Italisë.

“Jetoj prej tre muajsh në Igumenicë. Dua të shkoj drejt Italisë, por katër herë jam diktuar dhe ndaluar nga policia kufitare”, thotë Hamedi. “Gjallë a vdekur do t’ia dal. Allahu akbar (Zoti është i madh)”, nënvizon Hamedi, që me profesion është ekonomist, me një anglishte brilante. “Dua të jetoj, të mbaj familjen gjallë”, pohon ai, babai i shtatë fëmijëve, më i vogli 2 vjeç dhe i madh 18. Si ai mendon edhe bashkëpatrioti i tij, Sabri Muhamedi, i cili, së bashku me Ahmedin Hamedin, ka udhëtuar ilegalisht me mijëra kilometra drejt Perëndimit. Muhamedi tregon se në fillim, rruga ishte e vështirë. Për  pesë ditë, ai udhëtoi  me një varkë nga Tunisia në Turqi. Më pas përshkoi 1.500 km rrugë tokësore, për të mbërritur më në fund pranë kufirit turko-grek.

Ilias Markos, 40 vjeç, korrespodenti i Agjencisë së Lajmeve Greke (ANA), për prefekturën e Janinës, e vlerëson situatën e klandestinëve arabë shumë të rëndë. “Klandestinët jetojnë në mjerim. Institucionet shtetërore dhe organizatat jofitimprurëse nuk kanë fuqi të ndihmojnë refugjatët. Kriza ekonomike ka ndikuar negativisht” thotë, ndërsa nënvizon se trajtimi njerëzor është fshirë nga lista, nuk ka fonde as për bukë.

Markos thekson se refugjatët në Igumenicë kanë vetëm një ëndërr, të hidhen përtej detit, të kapin Italinë. “Refugjatët janë gati të sakrifikojnë jetën e tyre, të qëndrojmë ditë e natë me ditë të tëra pa bukë vetëm të largohen në fshehtësi me traget e linjës Igumenicë-Trieste, por vetëm pak fatlumë kanë kaluar përtej detin”, specifikon Ilias. Gazetari grek thotë se Igumenica është porti ku mund të udhëtosh drejt Italisë.

“Kontrollet e policisë kufitare janë të rrepta. Çdo ditë ndalohen mbi 30 klandestinë. Ata fshihen kudo”, tregon gazetari. 

Nga Igumenica në Shqipëri

Në fillim të pranverës së këtij viti, banorët e Igumencës protestuan, organizuan mitingje pafund me moton “Largoni nga qyteti refugjatët”. Gazetari grek, Ilias Markos, thotë se pakënaqësitë ndaj klandestinëve erdhën si pasojë e katërfishimit të vjedhjeve, prishjes së rendit, si dhe shkatërrimit të pyjeve. “Mungesa e ushqimit dhe strehimit detyruan refugjatët arabë të vidhnin dhe të flinin në pyje. Kjo ndikoi negativisht për ta, gjë që e detyroi policinë lokale të nisë një fushatë pastrimi”, shpjegon Markos. “Nga ai çast refugjatët panë si të vetmin shpëtim Shqipërinë, me shpresë për të vazhduar drejt Italisë”, shton ai.

Sipas tij, spastrimi i policisë greke nuk pati rezultatin e shumëpritur, pasi favorizuan trafikantët e qenieve njerëzore. “Në këto ditë të vështira ekonomike për Greqinë, më fatlumët janë trafikantët, të cilët u pasuruan duke shfrytëzuar klandestinëve”, specifikon gazetari. “Kostoja e kësaj ‘arratisjeje’”, vijon “kushton 12 mijë euro, por ka dhe zbritje çmimi deri në 10 mijë euro”.  Markos thotë se trafikantët e qenieve njerëzore janë sofistikuar shumë. Ata i orientojnë në Shqipëri, i udhëheqin në disa shtigje të vështira, për të shmangur policisë kufitare, por fatkeqësisht refugjatët ndalohen në thellësi të territorin shqiptar.

Policia greke

“Trafikantët e qenieve njerëzore nuk janë të rrezikshëm, por e keqja është se ata u pinë gjakun klandestinëve”, tha një drejtues i lartë i Policisë së Igumenicës (Greqi), duke nënkuptuar se të gjitha kursimet e klandestinëve përfundojnë në xhepat e trafikantëve. I njëjti zyrtar, i cili preferoi të mbetet anonim, shtoi se 99% e trafikantëve e dinë që në Shqipëri mundësia për të shkuar drejt Italisë është thuajse zero.

“Trafikantët i mashtrojnë, u japin shpresë dhe fatkeqësisht i dërgojnë klandestinët drejt ‘gijotinës’. Kjo është marrëzi”, pohon zyrtari, që shton se disa klandestinë të “pranverës arabe” janë përdorur nga trafikantët edhe si transportues të lëndëve narkotike.

Nga pesë mijë klandestinë të ardhur nga Turqia, vetëm 200 kanë aplikuar për azil politik, ndërsa pjesa tjetër e konsiderojnë Greqinë si vend tranzit”, thotë ai. “Nga 200 azilkërkues, vetëm 170 kanë përfituar statusin e qëndrimit, pjesa tjetër konsiderohet e paligjshëm dhe për këtë arsye policia greke ka ndërmarrë një operacion për largimin e tyre”, thotë zyrtari. 
“Njëzetë vjet më parë, Greqia mirëpriti me bujari 500 mijë imigrantë shqiptarë, sot gjërat kanë ndryshuar, vendi ynë po përjeton krizë të thellë ekonomike”, shprehet drejtuesi i lartë i policisë kufitare.      

Policia shqiptare

Ylli Kumrija, ekspert për imigracionin pranë Departamentit të Kufirit dhe Imigracionit në Tiranë, thotë se vitet e fundit, numri i klandestinëve, veçanërisht i atyre të ardhur nga vendet arabe është shumëfishuar. “Sivjet kemi një fluks të imigrantëve nga vendet arabe. Nga 88 imigrantë që u regjistruan një vit më parë, sivjet kemi 328 të tillë, një shifër kjo e konsiderueshme”, thotë Kumrija. Për të, klandestinët e “pranverës arabe” janë imigrantë në Shqipëri, pavarësisht statusit të tyre juridik. Ndryshe nga Greqia, eksperti i imigracionit thotë se imigrantët arabë në Shqipëri trajtohen me respekt, u jepet e drejta të sqarojnë pozicionin e tyre juridik, si dhe plotësojnë me ndihmën e një përkthyesi një pyetësor, ku përcaktojnë statusin e tyre të qëndrimit. 

Pasi përcaktohet juridikisht pozicioni i imigrantit, ai strehohet në një nga tre qendrat e mbyllura (qendër pritje) që janë ngritur tashmë në Vlorë, Durrës dhe Tiranë. Kumrija sqaron se një imigrant mund të qëndrojë në qendrën e pritjes nga 14 ditë deri në 18 muaj, kjo sipas marrëveshjes së ripranimit. “Asnjë imigrant nga 328 të ndaluar gjatë këtij viti, nuk ka kërkuar azil, ndërsa tre fëmijë afganë, që janë ndaluar disa muaj më parë nga policia, por fatkeqësisht figurojnë të pashoqëruar nga prindërit, janë marrë në mbrojtje të shtetit.

Hulumtimi është realizuar me mbështetjen e projektit “SCOOP” dhe Shoqatës Daneze të Gazetarëve Hulumtues

 

 

Tropojë. Ku seria e vdekjeve nuk di të ndalet

Emigracion. Komisioni europian dhe IOM thjeshtojnë procedurat e kooperimit