in

Tropojë. Ku seria e vdekjeve nuk di të ndalet

Vetëm brenda një viti në minierat e braktisura të Tropojës kanë humbur jetën të paktën 5 persona. Dje dy të fundit, dy të rinj, Erion Geci, 23 vjeç, dhe Dritan Nezaj, 20 vjeç. Një muaj më parë një minator humbi sytë, ndërsa një tjetër rrezikon të humbasë këmbët

Tiranë, 10 nëntor 2011 – Amatorizëm, mungesë kujdesi, braktisje e strukturave shtetërore. Kjo është panorama e sjelljes së sotme ndaj pasurisë minerare. Nxjerrja e kromit në mënyrë amatore është kthyer në një makth për shumë prej banorëve të varfër të zonës verilindore, pasi po rrit edhe numrin e viktimave, krahas fitimit që bie nuk dihet se në çfarë duarsh.

Kështu ndodhi edhe dje rreth orës 16,30. Një shembje dheu dhe dy viktima të tjera, dy të rinj, Erion Geci, 23 vjeç, dhe Dritan Nezaj, 20 vjeç. Aksidenti ndodhi në lagjen “Geci” aty ku fshatarët prej kohësh nxjerrin krom duke hapur gropa në shpatet e malit. Deri në orët e darkës te vendi i aksidentit ka punuar një fadromë për të nxjerrë trupat e viktimave, ndërsa një person i tretë është dërguar në spitalin e Gjakovës, fatmirësisht gjallë dhe jashtë rrezikut për jetën.

Fatkeqësia ka mbërthyer banorët e fshatit të largët verilindor. Që nga ana tjetër pyesin se kur do të ndalen fatkeqësi të tilla, kur minierat do të vihen nën një kontroll efektiv të specialistëve. Se në pak muaj aksidente të tilla ndodhën në Kam Tropojë, në Kalimash dhe nuk po dinë të ndalen.

Dy të rinjtë që mbetën të vdekur më 9 nëntor në shpatet mineralmbajtëse të Pacit kanë qenë pjesë e një grupi minatorësh të rinj të cilët zakonisht shfrytëzojnë pikat e vendburimeve në sipërfaqe ku nuk kërkohet depërtim në thellësi të tokës për të nxjerrë krom. Por edhe kërkimi në sipërfaqje ka teknikat e veta që jo kushdo i zotëron. Por do edhe kujdes maksimal.

Persona të ndodhur afër vendngjarjes tregojnë se të rinjtë kanë mbetur nën masivin e malit për mungesë përvoje dhe për shkak se ata punojnë, ashtu si pjesa dërmuese e kërkuesve të mineralit, me mjete krejt primitive, me një kazmë dhe lopatë. “E shumta ata përdorin ndonjë levë ose ndonjë shpërthim me dinamit, që nuk mungojnë as nga këta kërkues amatorë të kromit. Nuk kanë mjete mbrojtëse”, thotë një prej banorëve të fshatit, duke treguar për rrezikun e vazhdueshëm në kërkim të kromit. “E dimë se kështu nuk punohet me mineralin, po ç’t’i bëjmë copës së bukës”, shprehet banori i fshatit Pac, me lot në sy.

Të tre minatorët e grupit në fjalë vinin nga fshatrat përreth Pacit. 20 vjeçari Neza ishte nga lagjja Çorraj në të majtë të rrugës Krumë -Pac-B.Curri vetëm disa qindra metra larg vendit ku ndodhi aksidenti tragjik, ndërsa viktima tjetër, 23 vjeçari Geci, ishte pikërisht nga lagjja me të njëjtin emër.

Të rinjtë kanë punuar gjatë gjithë ditës deri kur ndodhi aksidenti tragjik. “Duke gërmuar krom në vendin ku shumë kërkues të tjerë më herët dhe gati çdo ditë kanë nxjerrë krom, po ashtu me mjete primitive, thjesht duke e gërmuar dhe duke e shembur poshtë ku më pas e ngarkojnë më kamionë. Është një ritual që përsëritet çdo ditë, por nuk dihet se kush e ka të shkruar t’i japë kësisoj fund jetës”, thotë një prej banorëve të fshatit.

Kërkuesit e mineralit nuk dinë si të ndjekin damarët e kromit për ta shfrytëzuar. Kështu edhe më 9 nëntor 3 të rinjtë i ka zënë poshtë masivi me gurë duke mos u dhënë kohë të largohen. Dy fadroma kanë punuar gjatë për të nxjerrë trupat e pa jetë të dy të rinjve. Ndërsa në vendin e ngjarjes janë grumbulluar dhjetëra njerëz nga fshatrat e Bytyçit, kryesisht nga lagjet e Pacit, ku me vështirësi është gjetur një fadromë, pasi siç thonë vetë banorët, frontet apo vendburimet e kromit ku mund të gjendej një fadromë, janë dhjetëra km larg. Gjithsesi, në orët e vona janë bërë bashkë për të punuar dy fadroma, njëra prej të cilave është sjellë nga një kantier rrugor i një firme private.

Komuna Bytyç ka një shtrirje të gjerë dhe një numër të madh minierash të braktisura si dhe një numër të pafund vendburimesh që shfrytëzohen në sipërfaqe, apo në nëntokë në mënyrë amatore nga vetë banorët. Kësaj komunë i përkasin edhe Kam Tropoja, Kepeneku etj. Minierat e kromit po kthehen dalëngadalë në industri të vdekjes. Vetëm pak muaj më parë një aksident i ngjashëm në Kam Tropojë të kësaj komune i mori jetën një gruaje dhe plagosi të shoqin, ndërsa të dy po nxirrnin krom nga një galeri e braktisur. Tashmë shumë prej banorëve kur bie fjala për kromin, “industrinë nxjerrëse” e quajnë “industria e vdekjes”.

Banorët kujtojnë edhe aksidentet e tjera të ndodhura. Vetëm brenda një viti në minierat e braktisura të Tropojës kanë humbur jetën të paktën 5 persona. Një muaj më parë një minator humbi sytë, ndërsa një tjetër rrezikon të humbasë këmbët dhe aktualisht ndodhet në Greqi për kurim. Emëruesi i përbashkët i të gjithëve kur i referohemi kromit, është kërkesa që shteti duhet ta disiplinojë këtë punë, përndryshe viktimat do të vazhdojnë të shtohen.

Dhe seria e zezë e vdekjeve vazhdon thuajse pa ndërprerje, sa në Tropojë, sa në Kukës. Ndërsa rrugëzgjidhja është ende e largët, dhe se pas hidhërimit të një dite nis sërish rituali i punës për shfrytëzimin e kësaj pasurie në mënyrë amatore. Të gjithë sa nisen në punë thonë: “Ishallah s’e kam unë radhën”. Ndodh kështu sepse fëmijët çdo ditë duan bukë. (ATSh)

Gjykata kushtetuese i hap rrugën prishjes së Piramidës e ndërtimit të Parlamentit të ri

Igumenicë-Konispol, toka që vazhdon të kultivojë migrim ilegal