in

Cancellieri, Fornero dhe Riccardi. Ata që do të qeverisin imigracionin

Mario Monti zgjedh ministrat e tij. Në ministrinë e Brendshme mbërrin ish prefekti që ka udhëhequr komunat e Bolonjës dhe Parmës, në atë të Punës mbërrin docentja universitare e Ekonomisë, eksperte në çështje të sigurimeve shoqërore e pensioneve, ndërsa themeluesi i Sant’Egidio-s do të mbulojë Integrimin. Janë këta të tre që do të merren me çështjet e imigracionit

Romë, 16 nëntor 2011 – Do të jenë dy gra ato që do të zënë vendet kyçe për imigracionin në qeverinë e drejtuar nga profesori Mario Monti: Anna Maria Cancellieri do të jetë ministër i Brendshëm, Elsa Fornero do të udhëheqë ministrinë e Punës dhe të Politikave sociale me prokurë për Shanset e Barabarta. Ndërsa Andrea Riccardi do të jetë ministër (pa portofol) i Kooperimit ndërkombëtar dhe i Integrimit. Emra deri më sot pak të njohur, por që shumë shpejt, duke konsideruar kompetencat e ministrive të tyre, do të bëhen familjarë për të huajt në Itali.

Ministria e Brendshme, përveç kundërshtimit të imigracionit klandestin, administron edhe të gjithë burokracinë e imigracionit të rregullt, si dhënia e përtëritja e lejeve të qëndrimit, dhe kërkesat e shtetësisë. Ministria e Punës dhe e Politikave Shoqërore, mes të tjerash, përcakton kuotat vjetore të flukseve të hyrjeve për punë dhe promovon ndërhyrjet e ndryshme për integrimin.

Anna Maria Cancellieri, 67 vjeç, nga Roma, ka një karrierë të rëndësishme mbi shpatulla mes radhëve të personelit civil të ministrisë së Brendshme. Ka qenë prefekt i provincave të rëndësishme si Vicenza, Bergamo, Brescia, Catania e Genova. Në pension prej vitit 2008, ka drejtuar nga shkurti 2010 deri në maj 2011 Komunën e Bolonjës pas dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë, si komisare e prefektit. Të njëjtën detyrë ka mbuluar deri më sot në Parma.

Elsa Fornero, 63 vjeç, torineze, është profesoreshë e Ekonomisë politike pranë Universitetit të Torinos dhe koordinatore shkencore e Centre for Research on Pensions and Welfare Policies (qendër e kërkimeve mbi politica e pensioneve dhe të mirëqenies). Nënpresidente e Këshillit të mbikëqyrjes së Intesa Sanpaolo dhe anëtare e Grupit së Vlerësimit të shpenzimeve publike të ministrisë Welfare është eksperte e kursimit, sigurimeve shoqërore publike dhe private dhe e sigurimeve mbi jetën.

Andrea Riccardi, 60 vjeç, nga Roma, është professor i Historisë bashkëkohore në Universitetin Roma Tre dhe autor i studimeve të ndryshme mbi Kishën dhe marrëdhëniet mes besimeve fetare. Është themeluesi i Komunitetit të Sant’Egidio-s, lëvizje, me mbi  50 mijë përkrahës në mbarë botën, i angazhuar në asistencën ndaj të varfërve, në dialogun ndër-fetar dhe për arritjen e paqes. Riccardi ka qenë ndërmjetësues gjatë luftërave në Mozambik, Guatemalë dhe Bregun e Fildishtë.

Lexo edhe: Skuadra e kryeministrit Monti

EP

Ambasadori Italian D’Elia, Qytetar nderi i Gjirokastrës

Il presidente della Repubblica, Bamir Topi, tra gli albanesi di Torino