in

Presidenti Topi në Vlorë, nderime babait të Kombit, Ismail Qemali

Topi: “Projekti që nisi në 28 nëntor të vitit 1912 u pasua gati një shekull më vonë në 17 shkurtin e vitit 2008, me pavarësinë e Kosovës”

Tiranë, 28 nëntor 2011 – Sot në qytetin e Vlorës u zhvilluan ceremonitë e festimit të 99 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në prani edhe të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, përfaqësues të forcave politike, të komuniteteve fetare, deputetë, drejtues të institucioneve vendore, të ftuar nga Kosova etj.

Në fillim të ceremonisë u zhvilluan homazhe në varrin e Kryeministrit të Qeverisë së Pavarësisë, Ismail Qemali, që ndodhet në Lulishten e Flamurit, ku Presidenti Topi vendosi një kurorë me lule. “Nderimi ynë shkon për Atin e Kombit, pagëzuesin e pavarësisë, Ismail Qemalin, njeriun model të sakrificës, urtësisë dhe vendimeve të mëdha”, tha Topi, duke vlerësuar figurën e Ismail Qemalit.

Më pas, në Sheshin e Flamurit u zhvillua mitingu, ku ishin të pranishëm mijëra qytetarë vlonjatë dhe nga rrethe të tjera të vendit, nga Kosova e Maqedonia. Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u ndal në dimensionet e kësaj ngjarjeje të shënuar duke theksuar se “shpallja e Pavarësisë Kombëtare erdhi si një domosdoshmëri historike, rrjedhojë e proceseve kombëtare, rajonale e më gjerë, si një konkretizim i ëndrrës shekullore të shqiptarëve”. “Burrat e mëdhenj të kombit vlerësuan me mençuri rrethanat dhe zhvillimet që po përjetonte Shqipëria, kuptuan raportin e Perandorisë Osmane me fqinjët e fuqitë e mëdha, perspektivën e saj dhe duke ia bashkangjitur këto luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për mëvetësi, ndërmorën atë hap përcaktues për të ardhmen e vendit”, theksoi Gjika. Ai tha se, prej ditës së sotme, nis programi i madh i 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, duke theksuar se ai është programi i ruajtjes dhe vazhdimësisë së vlerave, programi i unitetit kombëtar dhe duke ftuar të bëhen pjesë e tij të gjithë shqiptarët e mbarë Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë, diasporës, intelektualë, artistë, shkencëtarë, qytetarë të thjeshtë, ata që, sipas tij, aspirojnë të jenë kontribuues në këtë jubile madhështor, kudo ku ata janë, kudo ku jetojnë e punojnë.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, theksoi mes të tjerash se “të gjithë duhet ta dinë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se, Pavarësia e Shqipërisë në ato rrethana historike, u realizua nëpërmjet luftërave dhe përpjekjeve të mëdha e të gjithanshme, por ajo u realizua sidomos nga idealizmi, nga toleranca, nga dashuria dhe vetëmohimi për këtë truall”. “Rilindësit, luftëtarët, burrat dhe gratë shqiptare që iu bënë krah Ismail Qemalit për të shpallur Shqipërinë të pavarur dhe për ta mbrojtur atë, mbeten shembuj të gjallë të vlerave patriotike, intelektuale, morale dhe politike, sepse ata besuan dhe zbatuan moton Shqipëria është mbi gjithçka”, theksoi Presidenti i Republikës. Sipas tij, “ata sakrifikuan shumë, por mbi të gjitha, për idenë e madhe dhe të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve të tjera evropiane”. Në vijim të fjalës së tij, kreu i shtetit evidentoi se, “përpjekja dhe qëndresa e shqiptarëve ishte e gjatë, dëshira e tyre për liri, demokraci e përparim mbeti gjithmonë e fortë”. “Projekti që nisi në 28 nëntor të vitit 1912 u pasua gati një shekull më vonë në 17 shkurtin e vitit 2008, me pavarësinë e Kosovës”. “Tashmë dy shtete shqiptare sovrane e demokratike, janë shndërruar denjësisht në faktorë paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon e më gjerë, duke ju afruar 100 vjetorit të Pavarësisë me arritje të qarta për çështjen kombëtare, në proceset integruese dhe në standardet demokratike”, shtoi më tej zoti Topi.

Duke u ndalur në argumentin se, mesazhi i kësaj dite është dhe do të mbetet gjithmonë aktual, ai veçoi se, “të gjithë ne, pa përjashtim, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit e studentët, duhet të edukohen intelektualisht me parime të drejta historike, të çliruar nga shtrembërimet apo interesat e çastit, sepse historia gjithmonë konfirmohet si një mësim i pandryshueshëm dhe i gdhendur përjetësisht në kujtesën dhe në ndërgjegjen e një kombi”.

Ceremonitë pasuan me një vizitë në Muzeun e Shpalljes së Pavarësisë në Skelë, që ka qenë edhe selia e Qeverisë së Pavarësisë, ku një vit më pas në 28 nëntor të vitit 1913, u festua njëvjetori i kësaj ngjarjeje madhore në historinë e Shqipërisë, që është fiksuar nga fotografi i njohur shkodran Marubi.

Haxhinasto Konsujve të Nderit: “Jeni ndihmë e madhe për Shqipërinë”

Sekuestrohet në Vlorë një Audi A6 e vjedhur në Itali