‘Classicalify’, një nga website-et që ndjek me vëmendje muzikën klasike, koncertet orkestrale dhe operat, dhe informon publikun lidhur me to, pak ditë më parë shkruante mbi Traviatën e vënë në skenë në Stokholm, dhe për interpretimin e Violetës prej një sopranoje “që ndoshta nuk është e njohur për të gjithë, por që është një ndër sopranot më interesantet e skenave operistike të botës”. “Ka lindur në Shqipëri ku ka nisur të marrë leksione kantoje që në moshën gjashtë-vjeçare, ka vazhduar studimet në Itali, dhe sot këndon në skenat operistike nmë të rëndësishme në mbarë botën”.
Kështu përshkruan ‘Classicalify’ shqiptaren Ermonela Jaho, që pikërisht me Violetën hapi këtë verë sezonin operistik në Arenën e Veronës dhe meritoi vlerësimin e lartë të publikut, kritikës, si edhe lavdërimet e presidentit Napolitano.
“Ermonela e ka luajtur shpesh rolin e Violetës, por Violeta që ajo u dha stokholmasve ishte e veçantë; ndoshta Violeta më e arrirë e viteve të fundit që kanë parë skenat e kryeqytetit suedez”, shkruajnë në ‘Classicalify’, duke mos harruar t’u këshillojë suedezëve të mos e humbasin: “Nëse s’mundeni ta shihni këto ditë të dhjetorit Ermonela Jahon në dy spektaklet e ardhshme në Stokholm, mund ta kapni atë në Londër në janar, ose në Vienë në maj-qershor”.
Në fund një qortim për kë ka zgjedhur partnerët e Jahos në këtë operë: “Është për të ardhur keq që Opera Mbretërore nuk ka gjetur një Alfredo në lartësinë e Violetës së Ermonela Jahos”.
Lexo edhe: Ermonela Jaho. Violeta shqiptare në 150 vjetorin e Italisë