Rreth orës 1 të drekës të së martës, dikush qëllon me armë zjarri në sallën e basteve në rrugën Colombi në Romë. Plagoset me dy prej plumbave një shqiptar 54 vjeç
Romë 14 dhjetor 2011 – Disa të shtëna me armë zjarri në një sallë bastesh në rrugën Colombi të lagjes Casalino të Romës, kanë plagosur në kofshë dhe në vithe një shqiptar 54 vjeç. Viktima është çuar fillimisht në poliklinikën Casilino e më pas në spitalin e madh universitar të kryeqytetit, Umberto I. Sipas mjekëve, 54-vjeçari nuk është në rrezik për jetën.
Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 13.30, dhe ka shtënë në panik gjithë zonën. Dëshmitarët tregojnë se dy burra kanë hyrë në sallën e basteve, dhe kanë hapur zjarr mbi shqiptarin duke qëlluar tre herë. Menjëherë më pas janë zhdukur. Njëri në këmbë e tjetri me motor. Asnjëri prej tyre nuk është kapur.
Mbi ngjarjen vazhdojnë hetimet e policisë së Romës.