Pritje madhështore. Në shprehje të mirëseardhjes dhe të mirënjohjes së përhershme janë edhe banderolat e mëdha në rrugë dhe sheshe me fotografitë e Kancelares, Angela Merkel, si dhe valëvitja e shumë flamujve të shtetit gjerman
Romë, 19 dhjetor 2011 – Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, mbërriti në vizitë zyrtare në Kosovë. Është pritur në nivelin më të lartë shtetëror, nga Kryeministri Hashim Thaçi, në aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari, ku pas ekzekutimit të himneve të dy vendeve parakaluan nëpër qilimin e kuq para Gardës Ceremoniale të FSK-së.
Pjesë e atmosferës së pritjes madhështore, shprehjes së mirëseardhjes dhe mirënjohjes së përhershme janë edhe banderolat e mëdha në rrugë dhe sheshe me fotografitë e Kancelares, Angela Merkel, si dhe valëvitja e shumë flamujve të shtetit gjerman.
Gjatë ditës së sotme, Merkel pritet të takojë edhe ushtarët gjermanë të KFOR-it, ndërsa takime të ndara do të zhvillojë edhe me komandantin e KFOR-it, Erhard Drews, kreun e EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe përfaqësuesin e BE-së, Fernando Gentilini.
Media kosovare i bën një jehonë të gjerë vizitës së Kancelares gjermane, Angela Merkel, duke e vlerësuar si shumë domethënëse dhe mbështetje të fuqishme.
Media kujton se “Kancelarja gjermane u bë politikania e parë evropiane që kërkoi direkt nga Beogradi heqjen e strukturave paralele ilegale në veri të Kosovës”.
“Mbështetja gjermane – kyçe për raportet e Kosovës me BE-në”, “Vjen Merkel, mikja e shqiptarëve”, “Willkommen frau Merkel”, janë disa nga kryetitujt e gazetave të shtypit të sotëm kosovarë.
Sipas agjencisë së lajmeve Kosovapress, edhe qytetarët mirëpresin vizitën e kancelares Merkel. Rrahman Rrahmani mirëpret këtë vizitë duke thënë se Gjermania çdoherë ka përkrahur popullin e Kosovës. “Gjermania çdoherë ka tentuar, ka folur edhe na ka mbrojtur e sidomos tani Merkel e tregoi veten edhe në Beograd që ua tha realitetin dhe të vërtetën Tadiqit, por edhe që është duke na mbrojt çdoherë. Vizitën e saj në Prishtinë unë e konsideroj edhe si mësimore, edukatore edhe si ndihmesë e madhe”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Nuredin Shala mendon se ajo vjen për t’i vizituar ushtarët gjerman të KFOR-it.
“Unë mendoj se ajo vjen për ushtarët e vet t’i përshëndes për punën që e kryejnë”, ka thënë Shala.
Ndërsa, Besim Kurteshi thotë se ardhja e kancelares Merkel është një mesazh i mirë për vendin tonë.