Parashikon vendosjen e një pajisjeje sinjalizuese, që është pak a shumë një byzylyk, për të dënuarit me dënime alternative. Do të aplikohet fillimisht në Tiranë në mënyrë eksperimentale e më pas do të shtrihet në mbarë Shqipërinë
Tiranë, 23 dhjetor 2011 – Kuvendi miratoi të enjten në seancë plenare me 71 votat e deputetëve të maxhorancës projektligjin “Për mbikëqyrjen elektronike në fushën penale”, i cili parashikon vendosjen e një pajisjeje sinjalizuese për të dënuarit me dënime alternative.
Ligji i ri përcakton që teknikisht mbikëqyrja elektronike të funksionojë me një pajisje elektronike, e cila do të jetë e lidhur me një sallë operative, nga ku do të monitorohet respektimi i urdhrave të gjykatës nga personat e dënuar.
Zbatimi i mbikëqyrjes elektronike do të ulë koston që shteti duhet të paguajë për mbikëqyrjen e një të dënuari nga 500 euro në muaj në 10 euro në muaj.
Kjo masë, që parashikon vendosjen e një byzylyku ose detektori në trupin e personit, do të aplikohet fillimisht tek 300 të dënuar në Tiranë vitin e ardhshëm, e më pas do të shtrihet në rrethet e tjera të vendit.
Me vendosjen e një sistemi mbikëqyrës elektronik mundësia e një personi në arrest shtëpie për t’u arratisur apo larguar është zero, sepse sistemi i tillë i aplikuar gjerësisht në Europë dhe SHBA garanton 100% identifikimin e shpejtë dhe neutralizimin e personit.