Egi Cenolli, përfaqësuesja e komunitetit të shqiptarëve në Padova është zgjedhur të enjten presidente e Komisionit të Përfaqësisë së shtetasve të huaj
Romë, 23 dhjetor 2011 – Egi Cenolli, 25-vjeçare, prej dy vjetësh në Padova, ku ndjek dyvjeçarin e specializimit për Shkenca politike-Marrëdhënie ndërkombëtare, nga mbrëmja e djeshme është presidente e Komisionit të Përfaqësisë së shtetasve të huaj të Padovës.
Më 27 nëntor studentja Cenolli u zgjodh përfaqësuese e shqiptarëve në Komisionin e Përfaqësisë së shtetasve të huaj në Padova. Për ato zgjedhje janë paraqitur në qendrat e votimit vetëm 3.843, nga 18 mijë vetë që kishin të drejtën e votës. Pjesëmarrje kjo jo e kënaqshme, siç është parë edhe në qytete të tjera për zgjedhje të tilla, por që sidoqoftë ka lejuar kapërcimin e kuorumit të 15%-shit të përcaktuar nga rregullorja për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Në fakt edhe Egi Cenolli në këto zgjedhje ka marrë vetëm 70 vota.
Dje 16 anëtarët e Komisionit e zgjodhën Cenollin si presidenten e tyre, me 12 vota pro. Si nënpresident është zgjedhur Bhuiyan Jahangir, nga Bangladeshi. Egi Cenolli ose nënpresidenti i Komisionit do të marrë pjesë në Këshillin Komunal.
Komisioni është një organ i ri këshillimi që do të paraqesë propozimet e veta apo të shprehë gjykimin mbi projektet që shqyrtohen nga organizma të ndryshëm që qeverisin Komunën.
Lexo edhe: Egi Cenolli, studentja që do të përfaqësojë shqiptarët në Komisionin e Padovas