Janë trefishuar nga viti 2001. Shqiptarët rezidentë janë rreth 483 mijë e përbëjnë komunitetin e dytë të të huajve
Romë, 20 janar 2012 – Italia ka sot rreth 60,6 milionë banorë dhe rritet në numër vetëm falë imigrantëve. Rritja natyrore e saj (lindje-vdekje) është negative. Këtë thotë Istat në Raportin “Noi Italia – 100 statistika për të kuptuar vendin ku jetojmë”.
Në vitin 2010, norma e rritjes natyrore ka qenë negative (-0,42 për njëmijë banorë), e ngjashme me atë të vitit 2002 (-0,34); megjithatë popullsia rezidente rritet, vetëm falë migrimit që në vitin 2010 ka arritur një normë migrimi me jashtë (të ardhur – të larguar nga Italia) 6,28 për njëmijë banorë.
Në fillim të vitit 2011 rezultojnë të regjistruar në komunat italiane rreth 4,6 milionë të huaj, që përbëjnë 7,5% të të gjithë banorëve.kundrejt vitit 2001, të huajt janë trefishuar. Në vitin 2010, numri i të huajve është rritur me vetëm 7,9%, rritje kjo më e ulët se vitet e shkuara.
Popullsia e huaj rezidente në Itali përbëhet nga kombësi të shumta, megjithatë 5 komunitetet e para të pranishme, rumunë, shqiptarë, marokenë, kinezë dhe ukrahinas përbëjnë mbi 50% të të gjithë të huajve. Me rreth 970 rezidentë rumunët mbeten komuniteti i parë dhe përbëjnë mbi një të pestën e të gjithë të huajve të pranishëm në Itali. Menjëherë pas tyre renditen shqiptarët me rreth 483 mijë rezidentë, marokenët (452 mijë), kinezët (210 mijë) dhe ukrahinasit me 201 mijë rezidentë.
Më 1 janar 2010 shtetasit e huaj jokomunitarë janë 3 milion e 400 mijë, shifër gjithnjë në rritje nga viti në vit. Megjithatë me kalimin e viteve vërehet një ndryshim i motiveve të qëndrimit në Itali. Rritet gjithnjë e më shumë kuota e të huajve që marrin leje qëndrimi për motive familjare: nga 13% që ishte në vitin 1992 ka arritur në 34% në vitin 2010.
Sa i përket arsimimit, të huajt me moshë 15-64 vjeç rezidentë në Itali janë të shkolluar pak a shumë njësoj si vendasit. Rreth gjysma e të huajve kanë mbaruar shkollën tetëvjeçare (49,7% të huajt kundrejt 46,3% e italianëve). 40,3% e të huajve kanë mbaruar shkollën e mesme (kundrejt 40,4% e italianëve) dhe 10,0% e të huajve kanë mbaruar një universitet (kundrejt 13,3% e italianëve).
Në tregun e punës, të huajt përbëjnë 9,4% të krahut të punës. Norma e punësimit e të huajve është më e lartë se ajo e italianëve (67,0% kundrejt 60,6%), por edhe norma e papunësisë është më e lartë për të huajt (11,6% kundrejt 8,1%).