in

Marrëveshja e Integrimit. Për sportelin Unik më shumë punë e më pak punonjës

Me ardhjen në fuqi të lejeqëndrimit me pikë e të marrëveshjes së  integrimit mund të zgjatet edhe më shumë koha për futjen në xhep të dokumentit të qëndrimit. Sporteli unik i imigracionit në Romë përgatitet për risinë: “Do të nevojiten menjëherë më shumë personel e mjete”. Por ndërkaq sporteli humbet thuajse gjysmën e operatorëve. “Mund t’ia dalim por vetëm nëse nuk del ndonjë dekret fluksi apo sanatore”

Romë, 20 janar 2012 – Në Sportelin Unik për Imigracionin (SUI) në Romë po përgatiten për administrimin e Marrëveshjes së Integrimit që hyn në fuqi më 10 mars, por shpresojnë që ndërkaq të mos shpallet as dekret fluksi e as sanatore. Në fakt do ta ishte shumë e vështirë për një zyrë që po humbet gjysmën e personelit, të përballojë një volum të jashtëzakonshëm pune.

Revolucioni i vendosur nga qeveria e shkuar fillon më 10 mars. Nga ajo ditë, të gjithë imigrantët e sapombërritur duhet të firmosin një marrëveshje me të cilën angazhohet të sillen mirë e të arrijnë disa objektiva të caktuar, si njohja e një niveli bazë të gjuhës italiane. pas dy vjetësh, do të verifikohet nëse kanë “merituar” të drejtën e qëndrimit në Itali.

Puna më e madhe për zyrat do të nisë në vitin 2014, por edhe gjatë muajve të ardhshëm impenjimi do të jetë jo i vogël. “Para së gjithash, do të na duhet t’i kushtojmë kohë dhe personel nënshkrimit të kontratës, që nuk është një formalitet i thjeshtë. Shtetasit të huaj do të na duhet t’i shpjegojmë mirë angazhimin që po merr, por do të duhet edhe të verifikojmë më shumë informacione se sot me procedurat e hyrjes së parë” shpjegon nënprefekti Fernando Santoriello, përgjegjës i SUI-t të Romës.

Brenda tre muajve nga firma, imigranti do të thirret nga Sporteli Unik për të ndjekur një seksion të detyruar “formimi qytetar dhe informacioni mbi jetën në Itali”. Në ministrinë e Brendshme po përgatisin një mini-kurs multimedial gjysmë-ditor, të përkthyer në disa gjuhë, që ndiqet në kompjuter. Një tjetër problem organizativ ky, veçanërisht për provincat me më shumë imigrantë.

“Ne – përllogarit Santoriello – duhet të organizojmë seksione për 80 vetë në ditë. Nuk kemi salla multimediale me gjithë ata kompjuter që nevojiten, kështu që mund të na duhet t’i marrim me qira. Për më tepër do të duhet të heqim punonjës nga sporteli unik e t’i çojmë të ndjekin zhvillimin e kursit”.

Për të administruar një risi kaq të rëndësishme sporteleve do t’u mbërrijnë përforcime? Tani për tani, duket se po shkohet në drejtimin e kundërt. Në SUI të Romës sot punojnë 9 punonjës të varur të ministrisë së Brendshme me kontratë të kufizuar në kohë, 20 punonjës të përkohshëm që po nuk iu zgjat afati “skadojnë” në fund të qershorit dhe 7 ndërmjetësues kulturorë. Deri më 31 dhjetor ishin edhe 17 punonjës të projektit Formez, të cilëve nuk iu përtëri kontrata (për mungesë fondesh) dhe ndoshta të njëjtin fund do të kenë, brenda shkurtit, edhe ndërmjetësuesit.

Shkurtimet e personelit kanë detyruar tashmë SUI të organizojë punën dhe marrëdhëniet me publikun, duke parashikuar vetëm takime të paracaktuara, edhe për informacione. Tani rrezikohet që marrëveshja e integrimit të përballohet me personel të përgjysmuar krahasuar me një vit më parë.

Është e mundur? “Tani për tani, duke u përpjekur në maksimum, mund edhe t’ia dalim , por vetëm sepse kemi përfunduar thuajse të gjithë punën e legalizimit të vitit 2009 dhe të flukseve 2010, nuk kemi punë të prapambetur me bashkimet familjare e as me testet e gjuhës për kartën e qëndrimit” përgjigjet Santoriello. Po nëse arrin një dekret i ri fluksesh apo legalizimi? “Në kushtet e tanishme – pranon ai – do të ishte vërtet shumë e vështirë të administroje gjithë barrën e shtuar të punës”.

Elvio Pasca

Lexo edhe:

Istat: “Popullsia e Italisë rritet vetëm falë imigrantëve”

Treviso. Vjedh një mijë litra naftë nga kamionët e parkuar