in

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Ditët e fundit për të mos e paguar

Nga e hëna e ardhshme për të përtërirë lejen e qëndrimit do të nevojiten deri në 100 euro më shumë, për kartën e qëndrimit 200. Leverdis të paraqitet kërkesa deri në fund të javës

Romë, 24 janar 2012 – Kanë kaluar tashmë njëzet ditë që kur ministrat Cancellieri dhe Riccardi lajmëruan “një reflektim të thelluar” mbi taksën mbi lejet e qëndrimit për “të verifikuar nëse aplikimi i saj mund të ndryshonte në bazë të të ardhurave të punonjësve dhe të përbërjes së bërthamës familjare”. Por me sa duket janë ende duke reflektuar.

Por ndërkaq 30 janari është prapa derës dhe dekreti i Maronit dhe i Tremontit, që hyn në fuqi në atë datë, duket se do të godasë pa asnjë reduktim xhepat e imigrantëve. Kush do të kërkojë lejen e parë apo përtëritjen  do të jetë i detyruar të paguajë, përveç 30 eurove të kërkuara nga postat për shërbimin e ofruar dhe 27,50 eurove për shtypjen e lejeqëndrimit elektronik, edhe 80 euro nëse leja e qëndrimit është vjetore, 100 nëse është dyvjetore dhe 200 eruo nëse është lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, dokument i njohur ndryshe si karta e qëndrimit.

Edhe nëse reduktimet e kontributit të lajmëruara nga qeveria të mbërrinin në kohë, të kërkosh sot lejen e qëndrimit të kushton gjithsesi më lirë se ta kërkosh të hënën. Atëherë? Të leverdis të përpilosh sa më shpejt kërkesën për përtëritjen e lejes së qëndrimit dhe ta dorëzosh në postë përpara fundit të javës. Nga ana tjetër, Teksti Unik mbi imigracionin flet vetëm për një afat të fundit të paraqitjes së kërkesës, “të paktën gjashtëdhjetë ditë përpara”, por nuk tregon shprehimisht një afat para të cilit nuk mund të paraqesësh kërkesën e përtëritjes.

Kush nuk di të përpilojë modulet e kompletit postar, gjithnjë po të arrijë të gjejë një në zyrat e postave, mund të kërkojë ndihmë falas në një patronat. Siç tregon Maurizio Bove, përgjegjës për imigracionin i Cisl-it të Milanos, gara për përtëritjen sa më shpejt të dokumenteve të qëndrimit tashmë ka nisur: “Nga fillimi i janarit, në sportelet tona janë shtuar kërkesat për informacione, e më pas kanë nisur prenotimet për përpilimet e moduleve të kërkesave. Po përpilojmë kërkesa përtëritjesh edhe për leje qëndrimi që skadojnë në verën e ardhshme, dhe kemi një rritje të madhe kërkesash për kartat e qëndrimit”.

Kalendari i takimeve në sportelet e Cisl-it milanez është tashmë i mbushur plot, dhe enti po shikon mundësinë për të mbajtur hapur sportelet jashtë orarit, për të plotësuar sa më shumë kërkesa brenda javës, por sidoqoftë nuk do të mund të bëjë dot mrekullira. Edhe këtu janë në pritje të një vendimi nga anë e qeverisë: “Duhet riparë”.

Elvio Pasca

Lexo edhe:

Adrian Paci, një nga katër finalistët e çmimit Italia Arte Contemporanea

21 janari. Më 27 janar procedurat për heqjen e mandateve të deputetëve