in

Shtetësia dhe vota. Mblidhen 70 mijë vota, tani duhen autentikuar

Më 6 mars “L’Italia sono anch’io” do të paraqesë dy propozimet e saj në parlament. Miraglia (Arci): “Qytetarët janë shprehur qartë, tani e ka radhën politika”

Romë, 9 shkurt 2012 – Fushata “Italia jam edhe unë” po shkon drejt përmbylljes. Nëse gjithçka shkon mirë, më 6 mars dy propozimet e ligjeve me iniciativë popullore mbi shtetësinë dhe të drejtën e votës do të paraqiten në Dhomën e Deputetëve.

Reforma e shtetësisë kërkon të mundësojë dhënien e menjëhershme të shtetësisë të gjithë të sapolindurve nga prindër të huaj në qoftë se të paktën njëri prej tyre është me qëndrim të rregullt në Itali prej të paktën një viti, apo nëse njëri prej prindërve ka lindur në Itali. Reforma kërkon njohjen e menjëhershme të shtetësisë edhe për bijtë e imigrantëve që ndjekin në Itali një cikël shkollor ose për ata që vijnë deri në moshën dhjetë vjeç e jetojnë në Itali pa ndërprerje deri në moshë madhore. Për të rriturit reforma kërkon që të përgjysmojë kohën e nevojshme të rezidencës për paraqitjen e kërkesë nga dhjetë në pesë vjet.

Për sa i përket të drejtës së votës, me miratimin e reformës, imigrantëve me vendbanim të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetëve , do t’u jepej e drejta e votës aktive e pasive në zgjedhjet e minibashkive, bashkive, të provincave dhe të krahinave. Për të votuar, të huajve do t’u duhet të kërkojnë regjistrimin në listat elektorale shtesë, siç bëjnë sot qytetarët komunitarë që marrin pjesë në zgjedhjet komunale.

Nën secilin prej propozimeve janë tashmë firmat e 70 mijë italianëve, e nevojiteshin vetëm 50 mijë, por nëse nuk kapërcehet edhe pengesa e fundit e mbetur, nuk do të vlejnë për hiçgjë. Në fakt, që të jenë të vlefshme, modulet me firmat e mbledhura duhen çuar në Komunë, që duhet të verifikojë që çdo firme i korrespondon një person i regjistruar në listat e zgjedhësve. Vetëm pas këtij hapi modulet mund t’i nisen komitetit kombëtar të fushatës që do t’ia paraqesë parlamentit.

“Deri  tani, komitetet territoriale na kanë dërguar rreth 35 mijë firma të certifikuara dhe presim po aq të tjera për ditët në vijim. Disa zyra zgjedhore të komunave duan javë të tëra për të bërë verifikimet, dhe i ftojmë të gjitha të nxitojnë. Do të ishte mëkat që muaj të tërë pune të hidhen poshtë  për një vonesë burokratike” thotë për stranieriinitalia.it Filippo Miraglia e Arci-t, një nga 19 shoqatat që ka promovuar fushatën.

“Italia jam edhe unë” nuk mbyllet me mbledhjen e firmave. Po mendohet për shembull krijimi i një albumi fotografik interaktiv mbi Italinë që po ndryshon, me fytyrat e italianëve të rinj dhe dëshmitë e tyre. shumë shpejt promovuesit do të takojnë edhe komisionin e Çështjeve kushtetuese të Dhomës së Deputetëve, që do të jetë pikëmbërritja e parë e dy propozimeve. Është e qartë që mobilizimi dhe sensibilizimi do të kenë kuptim vetëm nëse parlamenti do të bëjë pjesën e tij.

Miraglia është realist: “Vërejmë që parlamenti është i bllokuar në planin e iniciativave legjislative, ka një mazhorancë që shtrëngon radhët mbi masa ekonomike, por të tjera tema, si imigracioni, përdoren për të thelluar dallimet. Italianët janë shprehur shumë qartë. Qoftë ata qoftë thirrjet e kreut të shtetit duhet të shtyjnë politikën të shohë më pak lojërat e veta dhe më shumë shoqërinë që duhet të përfaqësojnë”.

Elvio Pasca

Kosova e dimrit të madh

Mbi 480 të vdekur në Europë për shkak të motit të keq