Në korrik të vitit 2008 kryetari i komunës Tradate të Vareses nuk lejoi martesën e një shqiptari me të fejuarën e tij italiane, ndërkohë shtatzënë. Çifti e ka hedhur në gjyq për t’i kërkuar dëmshpërblim për problemet që iu krijuan padrejtësisht
Romë, 10 shkurt 2012 – Pas tre vjet e gjysmë nga ngjarja, përfundon në sallën e gjyqit historia e shqiptarit të cilit në korrik të 2008-tës, ditën e martesës, iu dha fleta e dëbimit, sepse nuk kishte lejeqëndrimin të përtërirë. Në një kohë kur ligji nuk parashikonte që për t’u martuar në Itali duhet të ishe në rregull me dokumentin e qëndrimit.
Më 9 shkurt në mëngjes kryetari i komunës së Tradates (provinca e Vareses), Stefano Candiani, duhet të dilte në gjyq por seanca u shty për shkak të motit të keq. Çifti italo-shqiptar e ka paditur për mohimin e aktit të martesës dhe i kërkon dëmshpërblim kryetarit të komunës për problemet që ai u krijoi.
Gjyqi i referohet ngjarjes së 18 korrikut 2008 në Tradate të Vareses. Dy të rinj, ajo italiane e ai shqiptar pa lejeqëndrim të vlefshëm, janë ndarë në sallën e martesave në Komunë, pak minuta para se të lidhnin martesë, kur forcat e rendit të lajmëruara nga kryetari i komunës kanë marrë djalin dhe i kanë dhënë fletën e dëbimit. Asokohe çifti e zgjidhi problemin duke u martuar në Shqipëri, e më pas të rinjtë u kthyen sërish në Itali. Por kjo gjë u kushtoi jo pak para e mundim: martesa u ishte mohuar dy herë, njëherë më 11 korrik të atij viti, e pas një jave, kur kryetari u kishte dhënë lejen e martesës por kishte thirrur edhe policinë që të arrestonte dhe dëbonte djalin para se ky të martohej (në fakt, pas martese nuk mund të dëbohej më pasi bëhej familjar i një italiani). Djali është çuar në qendrën e qëndrimit të përkohshëm të Bolonjës, pastaj është riatdhesuar me forcë në Shqipëri. Atje ka shkuar e fejuara më pas për t’u martuar e për t’u kthyer sërish në Itali e shoqëruar nga bashkëshorti. I gjithë ky kalvar kur vajza ishte shtatzënë. Për të gjitha këto arsye çifti vendosi të padisë Komunën e t’i kërkojë 45 mijë euro dëmshpërblim.
Candiani, kryetari i komunës, është i bindur edhe sot e kësaj dite që ka vepruar drejtë: “Komuna kishte nënshkruar një protokoll që u ndalonte martesën të huajve pa qëndrim të rregullt në Itali”. Por kryetari legist harron një gjë të rëndësishme, që ligji italian, që qëndron shumë më lart se protokollet e komunave, nuk parashikonte në atë kohë që të huajit t’i kërkohej leja e qëndrimit për martesë. Një normë e tillë erdhi në fuqi në vitin 2009 falë një pakete sigurie të kërkuar me forcë nga ministri i asokohe Maroni, por u hodh poshtë në korrik të vitit 2011 nga Gjykata Kushtetuese që e cilësoi këtë normë antikushtetuese.
Lexo edhe:
Të martohesh në Itali
Tani edhe klandestinët mund të martohen në Itali