Të enjten Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne, për t’i lënë më pas vendin festimeve të të premtes në mbarë Kosovën
Prishtinë, 13 shkurt 2012 – Kuvendi i Kosovës vendosi sot mbajtjen të enjten të një seance solemne për 4-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në 17 shkurtin historik 2008.
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës pranoi sot në mbledhjen e përbashkët me krerët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit kërkesën e Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës për mbajtjen e një seance solemne për 4-vjetorin e Pavarësisë duke vendosur për të enjten, 16 shkurt në orën 14:00.
Në këtë seancë, deputetët dhe të ftuarit do t’i përshëndesin presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi.
Të mërkurën, më 15 shkurt, Kuvendi do të mbajë seancën e radhës, njoftuan burimet zyrtare të Kuvendit të Kosovës.