in

Presidenti Topi dekoron dhjetë gra gazetare dhe ushtarake

Shtatë ushtarake dhe tre gazetare janë vlerësuar me medalje nga presidenti i shtetit, Topi, sipas të cilit “kjo ditë e veçantë na bën të reflektojmë, por dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e gruas kudo, në çdo fushë të jetës”

Presidenti mes gazetareve
Tiranë, 8 mars 2012 – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi sot paradite në një ceremoni të veçantë, figura të njohura në fushën e gazetarisë, me rastin e Festës së 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave. 

Presidenti dekoroi me Urdhrin “Nënë Tereza”, Nexhmije Zajmin (pas vdekjes), me motivacionin: “Një ndër shembujt e ndritur në rrugën e vështirë të emancipimit të femrës shqiptare, që u ngrit mbi normat dhe mentalitetin e shoqërisë patriarkale dhe u bë një veprimtare e shquar shoqërore dhe profesioniste e zonja në fushën e gazetarisë”. Me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë, zonjat Adile Xhabijen, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë si veprimtare për çështjen e emancipimit të femrës shqiptare dhe si një ndër gazetaret e para në vendin tonë, pas Luftës së Dytë Botërore”, si dhe Tefta Radin, me motivacionin: “Gazetares së mirënjohur të Radio-Televizionit Shqiptar që me punën profesionale dhe me personalitetin e saj u bë një ndër figurat më të respektuara të ekranit”.

Në një tjetër ceremoni të mbajtur po sot, Bamir Topi dekoroi edhe disa ushtarake. Ai u dorëzoi Medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, nënkoloneles Rudina Kadriu, nënkoloneles Vebie Sala, Kapitenes Aida Kërçuku, Kapitenes Dafina Xhixho, Togeres Blerina Breçani, Togeres Blerina Çipa dhe znj. Alketa Poçari.

Kreu i Shtetit tha se pjesëmarrja e femrave në ushtri është aspekt i rëndësishëm i demokratizimit të Forcave të Armatosura. 
“Kjo ditë e veçantë na bën të reflektojmë, por dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e gruas kudo, në çdo fushë të jetës. Performanca juaj në kuadrin e FA-së është e shkëlqyer, ajo demonstron motivim dhe angazhim”, tha Topi.
 

 

Flukset. Është gati dekreti për 35 mijë punonjës sezonalë

Arrestohen dy persona për përdhunim të një gruaje e të një 13-vjeçareje