Muaji mars për çdo qytetar elbasanas mbart festën e “ Ditës së Verës” e quajtur edhe festa e luleve. Kjo festë tashmë ka marrë përmasa të mëdha në mbarë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore. Festa zakonisht nis mbrëmjen e 13 marsit, për të vijuar të gjithë ditën e datës 14 deri sa dielli nis të perëndojë.
Etnologu Thanas Meksi thotë se “festa është me origjinë pagane, një festë që nuk ka të bëjë me fenë. Testojnë të gjithë, është kënaqësia e stinës së pranverës. Në vitet 1920-1940 festimet nisnin në datën 13 mars, kujton studiuesi. Amvisat nisnin gatimet për në mbrëmje që në mëngjes, piqej gjeli i detit, më pas me lëngun e tij gatuhej dollma ( përshesh me gjel deti), pastaj niste ceremonia e hiseve. Në çdo sahan kishte nga një copë gjel deti, pala fiku, tre – katër kokrra arra, ballokume ose revani, vezë të ziera, gështenja etj”.
Ndërsa nata e verës festohej në shtëpi, ku mblidheshin tok të afërm dhe darkonin së bashku, amvisat në një shportë, vendosnin rroba të reja për fëmijët e tyre. Djemtë zakonisht kishin pantallona të shkurtra, ndërsa vajzat rroba të kuqe dhe verore shumëngjyrëshe, që bashkoheshin nga fije shumëngjyrëshe pambuku. Në këtë natë nuk mungonin as këngët, vallet, shakatë dhe lojërat.
Çast ëmbëlsie dhe shijimi të veçantë ishte edhe ngrënia e ballokumes, që shoqërohej me fjalë të përzemërta nga amvisat, të cilat për qesëndi merrnin vallen popullore “ Bahçe bahçe me zymbyla”, të shoqëruara nga duartrokitjet e pjesëmarrësve.
“Mëngjesin e 14 marsit, pa lerë akoma mirë dielli, Elbasani është ngritur më shpejtë se zakonisht. Të moshuarit sipas zakonit hapin derën rrugës për të hyrë “ e mira” në konak, e për të dalë së andejmi e keqja. Ky zakon kishte edhe një kuptim tjetër, bujari dhe mirësi për mikun që vinte nga larg. Amvisat që në mëngjes lanin hajatin, dhe këpusnin nga një tufë bar dhe e vendosnin atë në derë, tek guri i zallit përbri derës, çka do të thoshte mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë së tyre”, vijon etnologu Thanas Meksi.
Dita e Verës kishte edhe të veçantat e veta. Kur vinte dreka të gjithë elbasanasit me torba të mbushura u drejtoheshin pikave turistike, si te “Ulliri i Qejfit”, tek “Rrapi i Vojvodës”, “Krasta e Madhe”, lëndinat në Krrabë, dhe tek “ Kodrina rreth Teqesë”. Këtë ditë vajzat shiheshin nga djemtë të cilët ishin në moshë për t’u martuar dhe mbas ditës së verës kryheshin shumë fejesa në qytet. I gjithë vakti i drekës në natyrë shoqërohej me grupe ahengu nga amatorë të ndryshëm, ashtu si Isuf Myzyri dikur që këndonte me grupin e tij, ashtu edhe tradita vazhdonte dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.
Në vitet pas Nëntëdhjetës aktivitetet janë shtuar. Karnavalet për fëmijët, krosi në mëngjes, si edhe Dita Poetike, shtojnë larminë e aktiviteteve, duke bërë që festa të përfundojë me diellin në perëndim dhe të gjithë elbasanasit të përcjellin miqtë e tyre nga vende të ndryshme të Shqipërisë dhe të mbyllin kështu një ditë të paharruar për një vit të tërë.
Elbasani është përgatitur edhe këtë vit të festojë Ditën e Verës. Atmosfera e festimit ka nisur ditë më parë me të gjitha përkujdesjet dhe përgatitjet e amvisave shtëpiake. (ATSh)
Leggi anche: Ballokume, il dolce di primavera