in

I dëbuar nga Italia. Si mund të vij sërish?

Një i njohuri im i huaj ka marrë para ca kohësh dëbimin nga Italia dhe tani është në Atdhe. A është e mundur për të vijë sërish në Itali?
Dëbimi dhe ndalimi i rihyrjes në Itali. Ja çfarë parashikon ligji

Ndalimi i rihyrjes për të huajin që ka marrë masën e dëbimit disiplinohet nga neni 13 i Tekstit Unik mbi imigracionin (D.lgs. 286 del 1998). Ky ndalim, pas reformës së vitit 2011 me dekretligjin nr. 89 (të konvertuar në ligjin nr. 129 të vitit 2011), është i vlefshëm për një periudhë jo më të ulët se tre vjet dhe jo më të lartë se pesë. Për motive të veçanta të sigurisë publike apo të rendit publik, apo sidoqoftë nëse i huaji konsiderohet i rrezikshëm për shoqërinë, ndalimi mund të zgjasë edhe më shumë se pesë vjet. Me mbarimin e periudhës së ndalimit, i huaji mund të rihyjë në Itali, por ai duhet të dëshmojë më parë që është larguar vërtet.

Mosrespektim i ndalimit të rihyrjes

Ligji parashikon në raste specifike të përcaktuara, mosrespektim të ndalimit të rihyrjes. Në disa raste, është e mundur për të huajin të hyjë në Itali, edhe përpara skadencës së periudhës së ndalimit. Është mirë të saktësohet që bëhet fjalë vetëm për raste të jashtëzakonshme dhe në ndonjë rast vetëm përkohësisht.
Le t’i shohim më poshtë.

Hyrje me autorizim të Ministrisë së Brendshme

Në radhë të parë, i huaji që ka marrë një masë dëbimi, mund të rihyrë në territorin italian me një autorizim special të ministrisë së Brendshme. Për ta kërkuar këtë autorizim, i huaji duhet t’i paraqesë kërkesë ministrisë përmes Përfaqësisë diplomatike italiane në atdhe. Kërkesa, që duhet të ketë arsye, paraqitet personalisht nga i huaji, dhe nuk mund të paraqitet nga një person tjetër me prokurë. Procedura zgjat 120 ditë. Në përfundim të saj, përfaqësia diplomatike do të informojë të huajin mbi përgjigjen që ka marrë kërkesa e tij dhe në rast se është pozitive do t’i lëshojë të huajit vizën e hyrjes.

Hyrje për motive drejtësie

Neni 17 i Tekstit Unik parashikon që i huaji palë e dëmtuar apo e kundërvënë në një procedim penal mund të autorizohet të rihyrë në Itali vetëm për kohën e nevojshme për ushtrimin e të drejtës së mbrojtjes, me qëllimin vetëm që të marrë pjesë në proces ose të përmbushë aktet për të cilat është e nevojshme prania e tij. Në këtë rast, autorizimi lëshohet nga Kuestori me ndërmjetësinë e Përfaqësisë diplomatike apo konsullore mbi kërkesën e dokumentuar të palës së dëmtuar apo të të pandehurit apo të mbrojtësit. Në fund të akteve të procesit për të cilat prania e të huajit është e nevojshme, ky i fundit duhet të largohet menjëherë nga territori italian.

Hyrje për bashkim familjar

Ndalimi i rihyrjes nuk vlen në hipotezat e bashkimit familjar të parashikuara nga neni 29 i Tekstit Unik nëse dëbimi është dhënë vetëm për anashkalim të kontrolleve në kufi apo për revokim apo anulim të lejes së qëndrimit apo për mungesë të paraqitjes së kërkesës së përtëritjes brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Në këto raste, nëse bashkimi, kur përmbushen të gjitha kriteret, autorizohet me lëshimin e nulla osta-s nga Prefektura, i huaji i dëbuar mund të bashkohet me familjen e vet.

Nëse i huaji për të cilin kërkohet bashkimi familjar rezulton i regjistruar në Sistemin Informativ Schengen (SIS), Kuestura të cilës i kërkohet mendimi për lëshimin e nulla osta-s, në rast se nuk ndesh motive penguese (rrezik për sigurinë dhe rendin publik), jep mendim në favor të përkohshëm. Mendimi i favorshëm i komunikohet Sportelit Unik dhe ky i fundit informon kërkuesin që të lajmërojë të huajin të cilin dëshiron të sjellë në Itali të shkojë në Përfaqësinë Diplomatike për të legalizuar dokumentin që vërteton lidhjen familjare. Komunikimi mes Përfaqësisë diplomatike dhe Kuesturës do të lejojë fshirjen e sinjalizimit SIS dhe më pas lëshimin e nulla osta-s dhe të vizës së hyrjes.

Hyrja me  autorizim të Gjykatës për të miturit

Nëni 31 i Tekstit Unik parashikon që Gjykata për të miturit, për motive të rënda që lidhen me zhvillimin psikofizik dhe duke mbajtur parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore të të miturit që gjendet në territorin italian, mund të autorizojë hyrjen ose qëndrimin e familjarit, për një periudhë kohe të përcaktuar. Ky autorizim mund edhe të revokohet kur bien motivet e rënda që justifikojnë lëshimin ose për veprimtari të familjarit të papajtueshme me nevojat e të miturit apo me qëndrimin në Itali.

Është mirë të nënvizohet se, me përjashtim të rasteve të mësipërme, rihyrja e parregullt e të huajit të goditur nga masa e dëbimit, përbën vepër penale. I huaji që, edhe pse i dëbuar nga Italia, hyn sërish ilegalisht, përpara përfundimit të afatit të ndalimit të rihyrjes, mund të ndëshkohet me sanksione penale dhe administrative.

Avv. Andrea De Rossi

Arrestohet personi i tretë i akuzuar për vrasjen e Pëllumb Tartarajt

Cultura per la creazione di impresa turistica