in

Flukset. U hapet rruga 35 mijë punonjësve sezonalë dhe 4 mijë personave me formim në atdhe

Kryeministri Monti ka nënshkruar dekretin që autorizon hyrjet për vitin 2012. Ja çfarë parashikon, teksti i plotë dhe shpjegimet e ministrisë së brendshme

Romë, 21 mars 2012 – U hapen dyert e Italisë 35 mijë punonjësve jokomunitarë sezonalë dhe 4 mijë punonjësve jokomunitarë jo sezonalë që kanë ndjekur kurse formimi në atdhe. Kjo është shkruar në një dekret fluksesh të nënshkruar nga kryeministri më 13 mars, që tashmë po regjistrohet pranë Kontrollit të lartë të shtetit dhe ditët e ardhshme do të botohet në Gazetën Zyrtare.

Ndërmarrjet do të mund të paraqesin kërkesat e punësimit vetëm on-line, edhe me ndihmën e shoqatave të kategorisë po të kenë nevojë, duke nisur nga ora 8.00 e ditës pasuese të botimit të dekretit. Por nuk do të jetë e nevojshme që kërkesa të paraqitet me ngut, hyrjet e autorizuara janë mëse të mjaftueshme për të kënaqur kërkesat e ndërmarrjeve.

35 mijë punonjës sezonalë

35 mijë punonjësit e huaj do të punësohen në bujqësi dhe në sektorin hotelerisë. Sipas dekretit do të mund të vijnë punonjës nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Bangladeshi,  Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Maroku, Moldavia, , Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegal, Serbia, Sri Lanka, Ucraina, Tunisia.

Në kuotën e 35 mijë hyrjeve bëjnë pjesë edhe ata punonjës që kanë qenë në Itali për dy vjet rresht dhe për të cilët ndërmarrjet do të paraqesin kërkesë për nulla osta shumëvjeçare. Kjo do të bëjë të mundur që punonjësit të vijnë në Itali vitet e ardhshme me një procedurë shumë më të thjeshtë, “me thirrje të drejtpërdrejtë”, pa qenë të varur nga botimi i dekretit të flukseve.

Një risi e rëndësishme ka të bëjë me punonjësit që kanë qenë në Itali vitin e shkuar. Nëse Sporteli Unik për Imigracionin nuk përgjigjet brenda 20 ditëve nga paraqitja e kërkesës së punësimi, kjo nënkuptohet e pranuar dhe punonjësi mund të shkojë në konsullatë të marrë vizën e hyrjes.

4 mijë me formim profesional në atdhe

Dekreti autorizon edhe hyrjen e “4000 shtetasve të huaj jokomunitarë rezidentë jashtë Italisë që kanë përfunduar programe formimi dhe shkollimi në vendlindje sipas nenit 23 të dekretit legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998”.

Është fjala për punonjës që kanë marrë formim profesional në atdhe falë kurseve të miratuara nga Ministritë e Punës dhe e Arsimit dhe të realizuara nga ente lokale, sindikata, organizata të punëdhënësve dhe shoqata të tjera të autorizuara, dhe falë marrëveshjeve dypalëshe mes vendeve të ndryshme dhe Italisë. Teksti Unik i Imigracionit parashikon në këto raste një kanal të privilegjuar dhe Plani i Integrimit i jep rëndësi të veçantë këtyre hyrjeve.

Elvio Pasca

Perugia. Gjendet i vdekur në dhomën e tij një student shqiptar

Aleanca Kuq e Zi nga sot është parti politike