Tiranë, 22 mars 2012 – Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, ekstradoi dje në Shqipëri, dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe mospagim të taksave.
Nga Milano, u ekstradua shtetasi Genci Dadushi, 37 vjeç, lindur në Elbasan. I ekstraduari Dadushi akuzohet për veprën penale “Mospagim i taksave dhe tatimeve” parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shoqëria tregtare “Tekstil Floj” me ortak shtetasin Genci Dadushi, e cila ka filluar aktivitetin në vitin 2005, nuk ka paguar rregullisht detyrimet shtetërore ndaj doganave. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me sentencën nr. 336, datë 31. 07. 2008, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.
Arrestimi në Itali, me qëllim ekstradimi i Genci Dadushit, është bërë më datën 21 prill 2011, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tirana me Interpol Romën.
Ndërsa nga Athina u ekstradua shtetasi Kristaq (Kelment) Dhima (Bylyshi), 47 vjeç, që është deklaruar fajtor për vrasjen e shtetasit Harilla Shima, ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit 1994, në Genova. Për t’ju shmangur vuajtjes së dënimit ky shtetas ka ndërruar emrin nga Klement Bylyshi në Kristaq Dhima, dhe emrin e babait nga Musa në Sotir, si dhe emrin e nënës nga Hazbo në Athina.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendim të datës 09.08.1996, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje”.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë më 29 shtator të vitit të kaluar si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën.