“Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim), botim i shtëpisë botuese Kimerik, është vëllimi me tregime i autores Irma Kurti, që sapo është botuar në Itali
Sapo ka dalë në qarkullim në gjuhën italiane libri me tregime: “Un autunno senza ritorno” (Një vjeshtë pa kthim) i Irma Kurtit, botim i shtëpisë botuese Kimerik. Ky është libri i tretë i autores, pas dy të tjerëve të botuar në vitin 2011: “Tra le due rive” (Midis dy brigjeve) – roman autobiografik dhe “Risvegliare un amore spento” (Të rizgjosh një dashuri të shuar) – poezi.
Me librin e parë, që fillimisht u botua në Tiranë më 2010 nga shtëpia botuese Dudaj, Kurti fitoi çmimin e parë në seksionin e prozës në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo – Europa e Cultura 2011” në Paullo, Milano, ndërsa me përmbledhjen poetike “Risvegliare un amore spento” u nderua me çmimin e kritikës në Konkursin Ndërkombëtar “Integrimi Kulturor për një botë më të mirë” në Milano.
Irma Kurti ka botuar gjashtë libra në gjuhën shqipe, pesë prej të cilave, përmbledhje poetike: “Këtë natë me ty” 1999, “Shihemi në një tjetër botë” 2002, “Qirinjtë janë fikur” 2003, “Bëj sikur fle” 2005, “Puthja e fundit” 2007 dhe “Midis dy brigjeve” 2010.
Në publikun e gjerë njihet si krijuese e dhjetra teksteve të këngëve në festivalet në RTSH, koncerte pranvere etj. Shumë këngë me të cilat ka bashkëpunuar me vargjet e saj, janë nderuar me çmime e kanë mbetur ende të dashura për dashamirësit e muzikës së lehtë. Përmendim këtu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “E njëjta ëndërr”, “Befas zgjohem”, “Nën dritën e qirinjve” etj.
Në Festivalin e 50-të në Radio Televizion, dhjetor 2011, pas një mungese të gjatë në skenën e festivaleve, poetja u kthye sërish me bashkëpunimin e saj të dikurshëm me kompozitorin Ilir Dangëllia e kënga e tyre e titulluar “Ajër”, e interpretuar nga Saimir Braho,u nderua me çmimin e tretë.
Në parathënien e librit më të fundit me tregime të Irma Kurtit, në shënimet e autores, shkruhet: “‘Një vjeshtë pa kthim’ është një përmbledhje me tregime në të cilat personazhet dashurohen, prekin me dorë lumturinë, por pothuaj gjithnjë edhe zhgënjimin. E pikërisht nga kjo dhimbje lind, ose më mirë, duhet të lindë forca për të ecur përpara, për të jetuar të përditshmen pa atë gjysmën tjetër që sapo është humbur. Rrethi mbyllet aty ku fillon një udhë e re, një jetë e re që nuk është gjë tjetër, veçse një udhëtim drejt vetes për të kuptuar pse-të e gjithçkaje që ka ndodhur e do të ndodhë. Gjithkush është i lirë ta jetojë “periudhën pas” siç e ndjen, siç e mendon, por të paktën me dëshirën për të shkuar përpara e për të gjetur qetësinë e humbur”.
Irma Kurti jeton prej vitesh në Bergamo.
Lexo edhe: Poezia, loja e magjishme e Irma Kurtit