Marsida Koni është pianiste e re me karrierë të pasur e famë ndërkombëtare. E shkolluar në Shqipëri dhe në Itali, sot jeton në Perugia e shëtit skenat e botës duke merituar vlerësimet më të larta nga mjeshtërit e pianos dhe kritika. Për të muzika është gjithçka, është vetë jeta: “Jeta pa muzikë për mua nuk ka kuptim. Është sikur të mendosh një det pa ujë, një zjarr pa ngrohtësi, apo dëbora pa kristalet e saj të ngrira e të ftohta. Kështu që edhe jeta ime pa muzikë nuk do të quhej më jetë. Edhe me bashkëshortin tim jemi njohur nëpërmjet muzikës”
Marsida Koni nuk e kupton dot jetën e saj larg pianos e muzikës. Ka nisur t’i bjerë pianos që në vitin 1985, kur ishte katër vjeçe, në Elbasan, qytetin e saj të lindjes. Në moshën 9-vjeçare regjistron për herë të parë për Radio Televizionin shqiptar, 11 vjeç i bie pianos si soliste e shoqëruar me orkestrën filarmonike të Elbasanit. Frekuenton kurse të shumta në Shqipëri, Itali, Kroaci e Zvicër, merr pjesë në një masterclass të pianistit të famshëm brazilian Miguel Proenca në festivalin ndërkombëtar “Bitola 98” në Maqedoni. Në vitin 1999 përfundon liceun Jordan Misja ku ka marrë leksione nga Mjeshtrja Enika Gjokoreci dhe fiton bursën e studimit për të studiuar në akademinë e Arteve në Tiranë nën udhëheqjen e një prej koncertisteve shqiptare më të rëndësishme, profesoresha Rudina Ciko. Për katër vjet me radhë, falë rezultateve të larta, fiton bursën shtetërore të studimit.
Në vitin 2002 merr pjesë në Festivalin VII Europian të Zvicrës duke i rënë pianos si soliste e shoqëruar nga Young Orchestra. Mbaron studimet universitare e fiton konkursin e mbahet pedagoge e brendshme në Akademi.
Prej shtatë vjetësh jeton në qytetin e Umbrias, me të shoqin, klarinetist, me të cilin e ka lidhur muzika. Vetëm dashuria për të i mbushi mendjen të linte Shqipërinë, nga e cila nuk mendonte kurrë të largohej. Por siç thotë edhe vetë “mai dire mai”, fati deshi që ajo të vinte në Perugia ku ka vazhduar gjithnjë të ndjekë pasionin e saj. Edhe këtu, shumë shpejt, pianistja nga Elbasani bëri emër.
Me të ardhur në Itali merr pjesë në masterclass të mbajtur nga Ennio Pastorino dhe An Li Pang (nxënës të Arturo Benedetti Michelangeli, i konsideruar një nga interpretuesit më të rafinuar të pianos të shekullit XX) dhe fiton shpejt admirimin e mjeshtërve. “Marsida Koni ka dëshmuar se është një pianiste e zonja, studiuese, e angazhuar dhe e besuar. Ka dhunti muzikale të pazakonta” ka thënë për të mjeshtri me famë botërore i pianofortes, Ennio Pastorino i ndarë nga jeta vjeshtën e shkuar.
Ka vazhduar të studiojë e është diplomuar me maksimumin e pikëve në Konservatorin Shtetëror të Muzikës “B. Maderna” në Cesena; ka njohur një nga mjeshtrat më të mëdhenj italianë të didaktikës, Franco Scalan e me të ka studiuar dy vjet të tjerë; është njohur me pianisten e madhe ruse Elena Ashkenazy, me të cilën ka pasur një lidhje të fortë profesionale. “Kjo pianiste ka dhunti profesionale të jashtëzakonshme. Nxjerr në dukje art pianistik të shkëlqyer dhe një ndjeshmëri mbresëlënëse për stilin. I uroj Marsidës sukses të madh dhe shpresoj të kem rastin ta dëgjoj sërish” shprehet për të Elena Ashkenazy kur e dëgjon për herë të parë në vitin 2007. Një vit më pas Ashkenazy e fton të japin së bashku një koncert pianoje me katër duar.
Marsida i bie pianos në skena të ndryshme të botës, përveçse në Itali e Shqipëri, edhe në Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Maqedoni, ShBA, Francë, Angli. Është anëtare jurie në konkurse italiane e ndërkombëtare për piano. Nga viti 2005 interpreton duet, piano e klarinetë, me të shoqin, Piero Vincenti dhe së bashku kanë incizuar (në vitin 2010) një CD me veprën e plotë për klarinetë e piano Aurelio Magnanit.
“Marsida mund të konsiderohet një gjeni i mirëfilltë i pianofortes” shkruan për të La nazione (09/06/2009). “Marsida (emri i saj frymëzohet nga Marte, perëndia e luftës), është një vajzë e bukur brune me sy të ëmbël, por me karakter të vendosur e luftarak” thotë mes të tjerash Corriere dell’Umbria (07.12.2009).
Ndërkaq, Marsida ka realizuar një ëndërr të sajën, mësimdhënien. Pasionin, dashurinë dhe bagazhin e saj profesional, të mbledhur në vite e vite studimi e koncertesh, ua përcjell nxënësve të “Piano Academy”, shkollës që ka hapur në Perugia.
E kthyer prej pak ditësh nga Tirana, ku dha një koncert bashkë me të shoqin, pianistja na jep këtë intervistë pak orë përpara se të niset për në Lecce, ku do të interpretojë në Konservatorin Shtetëror të Muzikës “T.Schippa”.
Së fundi keni qenë në Shqipëri për të dhënë një koncert. Për çfarë bëhet fjalë?
Me rastin e Festës së Gruas, Drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Dott.ssa Fulvia Veneziani, organizoi një Koncert Recital dhe protagonistët e kësaj mbrëmjeje ishim unë dhe im shoq. Ideja e këtij koncerti ishte ai i një urimi për të gjitha gratë dhe nënat shqiptare, i organizuar nga një Institucion Italian në Shqipëri dhe i përcjellë në gjuhën muzikore nga një çift italo-shqiptar.
Organizoni personalisht veprimtari artistike në Shqipëri, na flisni pak për to?
Nga viti 2006 deri me 2010 bashkë me Accademia Musicale Internazionale në Perugia dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Italiane, të Amasadës Italiane dhe të disa enteve të tjera shtetërore dhe private italiane dhe shqiptare kemi organizuar “Tirana Music Festival” që me fjalë të tjera ishte një javë aktivitete kulturore kryesisht koncerte dhe masterclass. Profesorë italianë vinin në Shqipëri dhe mbanin leksione për studentët shqiptarë (sigurisht gjithçka ishte pa pagesë). Për studentët më të mirë ndaheshin bursa studimi në Itali, të vëna në dispozicion nga Instituti Italian i Kulturës dhe Ministria e Jashtme Italiane.
Shkoni shpesh në Shqipëri? Si e shihni jetën artistike shqiptare?
E ndjek pak jetën artistike shqiptare edhe sepse ato pak ditë që shkoj i shfrytëzoj për të ndenjur pranë prindërve dhe familjes sime për të cilët kam shumë mall. Zakonisht përpiqem ta ndaj kohën mes familjes dhe miqve të mi më të ngushtë që kam atje. Megjithatë, duke dëgjuar dhe biseduar sidomos me muzikantë të rinj, më duket sikur i japim gjithmonë e më rëndësi veprave që “luhen për herë të parë” në Shqipëri dhe po harrohen vepra të mrekullueshme siç janë veprat e kompozitorëve tanë shqiptarë.
Çfarë bënit në Shqipëri deri kur vendosët të vinit në Itali?
Kam qenë Pedagoge pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, sot Universiteti i Arteve. Menjëherë pasi mbarova shkollën, 23 vjeçe, fitova konkursin për pedagoge e brendshme pranë kësaj akademie. Preka qiellin me dorë, pasi realizova një ëndërr të fëmijërisë për të cilën kisha studiuar deri në 13 orë në ditë. Isha një nga ato që thosha: “Unë nga Shqipëria nuk do të largohem kurrë”. Mirëpo siç thonë edhe këtu në Itali “mai dire mai”. Pa mbaruar mirë së thëni këtë, u njoha me një klarinetist italian, i cili mbas një viti ishte im shoq… Kështu që në 2005 vendosa të transferohesha në “shtëpinë e re” këtu në Itali.
Ju kanë vlerësuar shumë si pianiste. Keni përfunduar studimet në Shqipëri. Ç’vlera ka shkolla shqiptare sipas jush?
Megjithëse shkolla jonë, është një shkollë e vogël përsa i takon “moshës” së saj krahasuar me shkollat europiane, ka ditur të nxjerrë profesionistë të jashtëzakonshëm. Nuk njoh asnjë rast i cili të jetë konsideruar talent në shkollat shqiptare dhe kjo të jetë përgënjeshtruar në shkollat apo skenat jashtë kufijve tanë. Ka qenë pasioni i mrekullueshëm i profesorëve tanë që krijuan shkollën dhe traditën e muzikës klasike shqiptare dhe që ditën po me aq mjeshtëri t’u përcjellin të gjithë bagazhin e tyre të marrë me shumë punë dhe sakrifica brezave tanë. Shkolla shqiptare është si një gur i çmuar, e vogël në formë por shumë e madhe në vlera.
Cilën muzikë apo kompozitor ndieni më pranë formimit tuaj apo pëlqeni më shumë?
Varet nga momenti. Më pëlqen shumë të luaj Bach, siç me pëlqen po aq të luaj edhe Prokofiev apo Ravel, Schumann, Clementi, Mozart, Brahms, Scryabin, Chopin etj. etj. Në këtë periudhë, në të vërtetë, po i dedikohem më shumë autorëve shqiptarë. Kam dëshirë dhe nevojë të luaj motive dhe tema shqiptare. Ndoshta është një mënyrë për të shprehur mallin për atë çka më mungon këtu në këtë çast: njerëzit e mi, traditat e mia, vendi im.
Jeni rritur me pianon (keni nisur t’i bini që 4 vjeç). Bashkëshorti juaj është instrumentist. Jeta juaj është e lidhur ngushtë me muzikën. Është pasion, këmbëngulje apo fat?
Jeta pa muzikë për mua nuk ka kuptim. Është sikur të mendosh një det pa ujë…. nuk do të quhej më det, një zjarr pa ngrohtësi nuk është më zjarr, apo dëbora pa kristalet e saj të ngrira e të ftohta nuk quhet më dëborë. Kështu që edhe jeta ime pa muzikë nuk do të quhej më jetë… Edhe me bashkëshortin tim jemi njohur nëpërmjet muzikës. Ishte muzika ajo që krijoi duetin tonë në jetë dhe jo e kundërta siç mund të ndodhë zakonisht që dy partnerë në jetë vendosin të jenë edhe partnerë në skenë.
Në Perugia keni hapur një shkollë pianoje. Një ëndërr që realizoni? Sa studentë keni dhe cili është sekreti?
Po, “Piano Academy” është një ëndërr që realizoj. Jo shumë fakti që të hapja një shkollë, sesa dëshira për të komunikuar dhe transmetuar atë çka unë di dhe ndiej lidhur me muzikën. Fillimisht kam pasur vetëm 1 student, një zotëri i rritur që studionte piano për të kaluar kohën e lirë mbas pune. Megjithatë unë isha e lumtur njëlloj dhe i përkushtohesha punës me të sikur të kisha përpara një pianist të vërtetë. Më pas kërkesat ishin gjithmonë e më të mëdha për të studiuar në Piano Academy.
Tani kam nxënës shqiptarë me të cilët dëfrehem pa masë, pasi flasin të gjithë shumë mirë shqip (janë për t’u admiruar prindërit dhe familjet pasi këta fëmijë janë të gjithë të lindur e të rritur në Itali, por flasin një shqipe të përkryer), italianë, polakë, kinezë. Pa llogaritur fëmijët që janë në “Listat e pritjes” të cilët për momentin nuk mund t’i marr për mungesë vendesh.
Sekreti, përveçse ai i një pune të pakursyer dhe i një përkushtimi total, është edhe ai i të qenit gjithmonë e hapur dhe e sinqertë me prindërit dhe nxënësit. Në momentin që unë shikoj që një fëmijë nuk ka prirjen e duhur, apo nuk ka dëshirë të studiojë, komunikoj menjëherë me prindërit dhe i këshilloj ta heqin pasi është një investim kohe i çuar dëm për ta, për fëmijën, por edhe për mua.
Cilat janë projektet tuaja më të afërta?
Koncerti me i afërt është të martën në darkë (27 mars), pranë Konservatorit Shtetëror të Muzikës “T.Schippa” në Lecce. Projektet si dhe vendet ku do të zhvillohen koncertet e ardhshme do të jenë të larmishme. Përveç koncerteve dhe aktiviteteve këtu në Itali, pjesa e tjetër e koncerteve do të jetë në Sofie (Bullgari), Paris (Francë), Londër (Angli), Linkoln (Nebraska), Giulliard School – New York (USA) dhe në vjeshtë një turne në Kinë, ku një ndër koncertet do të mbahet pranë Konservatorit Superior të Pekinit.