in

Vetëm busulla e Katër i Radës mbërrin në Vlorë

Ndërsa përkujtohet 15 vjetori i tragjedisë, mbërrijnë sot në mëngjes në Vlorë artistët Arta Ngucaj e Arben Beqiraj me busullën e Katërit të Radës që do të transformojnë së shpejti në vepër arti për ta vendosur në një shesh të qytetit nga u nis anija fatkeqe

Busulla e Katër i Radës
Romë, 28 mars 2012 – U ishte premtuar se do të mund të kthenin në Vlorë busullën dhe kabinën e quajtur fari i anijes, por të hënën artistët shqiptarë Arta Ngucaj e Arben Beqiraj mësuan surprizën e hidhur. Kabina kishte mbetur në brendësi të veprës së ekspozuar në Otrantë të artistit grek Varotsos. Për në Vlorë mbetej vetëm busulla.

“Ndihemi të zhgënjyer e të nëpërkëmbur – thotë Arta për shqiptariiitalise.com – deri në fund na u premtua se do të mund të merini edhe kabinën. Vetëm të hënën, kur mbërritëm në Otranto, na u tha se fari i anijes nuk mund të çohej në Vlorë, se kish mbetur në brendësi të asaj pjese të anijes së përdorur nga Varotsos për monumentin “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues” të vendosur në Otranto”.

E ndërsa familjarët sot do të përkujtojnë të afërmit e tyre në 15-vjetor të tragjedisë, e do të ngushëllohen disi me ngritjen në Vlorë të një monumenti me në qendër busullën e anijes, përtej detit tragjedia do të  përkujtohet në Brindisi, fillimisht me ritualin e hedhjes së luleve në det e më pas me shfaqjen për publikun të pjesës teatrale që rrëfen historinë e hidhur të Katër të Radës.

Ndërsa në Otranto, vepra e artistit grek “Mbërritja. Vepra për Humanitetin migrues” e ndërtuar me pjesën e sipërme të anijes, më shumë se e ekspozuar duket si e lënë mënjanë, si diçka që qyteti nuk ka ndier si të vetën: edhe pse e inauguruar më 29 janar, vepra për mungesë sigurie, ka mbetur ende e rrethuar nga hekurat siç tregojnë edhe fotot e mëposhtme të bëra dy ditë më parë nga Arben Beqiraj.

 

Alo? Numri Jeshil?

Taksa më të larta, rroga më të ulëta