in

Alo? Numri Jeshil?

Në blogun Peizazhe të Fjalës, Pishak Zhgaba trajton temën e ngritur në faqet e Shqiptarit të Italisë lidhur me prenotimin me pagesë të shërbimeve pranë konsullatës së Milanos. Është i mendimit se “po të ishim të vetëdijshëm që kontributi i emigrantëve është i vyer në shumë drejtime, madje i domosdoshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, pra për vetë shtetin shqiptar, atëherë çdo shpenzim, qoftë edhe për një numër jeshil në shërbim të emigrantëve, do të na dukej qesharak”.

Ja problemet që ai ngre në këtë shkrim, që mund të lexoni të plotë te Peizazhet e fjalës:

Emigrantët shqiptarë me banim në veri të Italisë duhet të paguajnë për datën e takimit në konsullatë, natyrisht përveç tarifës për çdo shërbim konsullor. Mendoj se këtu duhet bërë pyetja e parë: “A duhet ta paguajnë emigrantët shqiptarë telefonin që shërben për caktimin e takimit?”. Në rast se kjo pyetje merr përgjigje pozitive, pra në rast se jemi dakord që emigrantët ta paguajnë edhe heqjen e radhës, atëherë lipset të shkojmë më tej.

Pika tjetër është kjo: “Telefonin për takim duhet ta paguajnë të gjithë emigrantët apo vetëm ata që jetojnë në disa krahina të caktuara?”. Sipas “Shqiptari i Italisë”, në zyrat konsullore të Romës, pranë Ambasadës shqiptare, nuk paguhet asnjë haraç për të marrë takim. Kjo mund të kundërshtohet me argumentin se dyndja e shqiptarëve në veri të Italisë është më e madhe, për arsye se në veri jeton pjesa dërmuese e shqiptarëve. Kundërargumenti do ta pranonte si të vërtetë faktin, por do të kërkonte gjithashtu përforcimin me njerëz e mjete të Konsullatës në Milano, pikërisht për numrat kuptimplotë që e karakterizojnë veriun.

Pyetjes “Sa duhet të paguajnë emigrantët për rezervimin e takimit?” nuk mund t’i përgjigjesh kollaj. Dikush mund të thotë X, dikush Y, dikush tjetër 0 (zero). Mund të ketë nga ata që i shkon mendja deri tek tenderi për shërbimin e takimit nëpërmjet telefonit. Mirëpo, a mund të funksionojë prokurimi publik në rastet kur shteti nuk paguan asgjë? Ligjërisht nuk e di. Duhen pyetur specialistët. Por bonsensi na thotë se përderisa paguajnë xhepat e qytetarëve, mirë është t’u ofrohet shërbimi më cilësor me çmimin më të arsyeshëm. Pra një tender transparent, me shumë preventivë, nuk do të dukej i çuditshëm, përkundrazi do të dëshmonte vullnetin e mirë të shtetit shqiptar e përkujdesjen e tij ndaj qytetarëve të vet.

Mirëpo ky diskutim për detaje organizative e shërbimesh telefonike na e fokuson vëmendjen vetëm në një pikë të caktuar, duke harruar kuadrin e gjerë të çështjes: kontributi i emigrantëve është i vyer në shumë drejtime, madje i domosdoshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si rrjedhim, për vetë shtetin shqiptar. Po të ishim të vetëdijshëm për këtë, atëherë çdo shpenzim, qoftë edhe për një numër jeshil në shërbim të emigrantëve, do të na dukej qesharak.

Autoriteti portual ndalon tragetin, 200 pasagjerë prej 24 orësh të bllokuar në Brindisi

Vetëm busulla e Katër i Radës mbërrin në Vlorë