Shqipëria europiane dhe mesdhetare, kultura dhe realiteti i saj ishin temat në qendër të takimit që u zhvillua të premten, më 30 mars 2012, nga Qendra e Kulturës Shqiptare në Bibliotekën “Italo Calvino” të Torinos me gazetarët torinezë Rosita Ferrato dhe Sergio Miravalle.
Romë, 1 prill 2012 – Gjatë takimit të organizuar nga Qendra e Kulturës Shqiptare në bashkëpunim me bibliotekat e Torinos, në bibliotekën “Italo Calvino” me gazetarët torinezë Rosita Ferrato dhe Sergio Miravalle, iu përcollën publikut të pranishëm vështrimet e tyre mbi Shqipërinë, përmes fotografive dhe shënimeve të udhëtimit të mbledhura gjatë vizitave të zhvilluara në vendin tonë.
Publiku priti me kuriozitet pamjet e rralla të fotografive të realizuara nga Sergio Miravalle, gazetar i të përditshmes La Stampa, gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1982 si pjesë e një grupi turistësh të huaj që e vizitonin vendin tonë për të parë me sytë e tyre zhvillimet e asaj që propagandohej në botë si “parajsa socialiste”.
Ndërsa Rosita Ferrato i paraqiti publikut librin “Shqipëria, vështrime të një reportereje”. I botuar në Torino në prill të vitit 2011, libri është fryt i punës kërkimore dhe i disa udhëtimeve që autorja ka bërë në Shqipëri gjatë vitit 2010. Ai i ofron publikut italian një larmi vëzhgimesh dhe të dhënash historike, turistike, sociologjike dhe zakonore mbi Shqipërinë, të hedhura në letër me një stil të këndshëm dhe lehtësisht të lexueshëm. Një rrugë e ndërmjetme mes shënimeve të udhëtimit dhe reportazhit të mirëfilltë, libri i grish lexuesit të udhëtojnë drejt Shqipërisë, këtij vendi ekstravagant e mikpritës, që është ende i gjithi për tu zbuluar.
Takimin e moderuar nga gazetari Benko Gjata, e përshëndeti edhe deputeti i parlamentit italian Marco Calgaro, i cili u kujtoi të pranishmëve lidhjet e hershme kulturore dhe historike mes dy vendeve tona, që duhet të shërbejnë edhe sot për të nxitur dhe forcuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Qendra e Kulturës Shqiptareështë themeluar nga një grup intelektualësh, artistësh dhe operatorësh të kulturës dhe të sektorit të tretë. Ajo synon përhapjen në Itali të njohurive mbi historinë e kulturën shqiptare, favorizimin e integrimit të komunitetit shqiptar, si edhe promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve kulturore, shoqërore dhe institucionale mes dy vendeve.
Ajo lind nga bashkimi i risurseve dhe i përvojës shumëvjeçare të disa partnerëve dhe është aktualisht e pranishme me seli të vetat në Piemonte dhe Lombardi. Qendra e zhvillon veprimtarinë e saj në bashkëpunim e me mbështetjen e organizatave të ndryshme, publike e private, në Itali e Shqipëri, duke ndërthurur punën e dhjetëra vullnetarëve me përfshirjen aktive të përfaqësuesve të spikatur të fushës akademike, kulturore e letrare shqiptare.