in

Vlorë, atje ku deti ha tokën

Në Zvërnec, në veriperëndim të qytetit të Vlorës, deti vazhdon të përparojë duke gërryer dhjetëra metra tokë. ‘Ecën’ çdo vit me disa centimetra në dëm të bregdetit

Në pak vjet, në Vlorë deti ka përparuar me dhjetëra metra në brendësi të tokës, dhe perspektiva mbetet e njëjtë. Një masiv shkëmbinjsh, dikur pjesë e bregdetit, tani ka përfunduar thellë në ujë. Krahas kësaj, përgjatë bregdetit kodrinor janë krijuar çarje të mëdha, që, sipas specialistëve janë tregues të dinamikës së fenomenit në fjalë që pritet të vazhdojë me intensitet. 

Kjo dukuri, nga specialistët vlerësohet si pasojë e alternimit të faktorëve natyrorë dhe ndërhyrjes shkatërruese të individëve të papërgjegjshëm. Ajo që nuk ishte bërë për dekada me radhë, po ndodh tani.

Në bregdetin e Zvërnecit, nga 7 deri në 15 km në veriperëndim të qytetit të Vlorës, hapësira detare ka përparuar drejt tokës, duke zaptuar një pjesë të saj dhe duke vazhduar ta bëjë këtë. Në më shumë se 10 vjet, toka këtu është tërhequr disa dhjetëra metra, duke i lënë vend mjedisit ujor që vazhdon në këtë tendencë.

Në afërsi të Triportit, dhjetëra metra të plazhit masiv ranor janë gërryer tashmë. Por, më tej, në drejtim të veriperëndimit, deti shfaqet edhe “më i egër”. Çdo vit ai përparon disa centimetra dhe toka tërhiqet po aq. Kjo ka bërë që toka të ngushtohet dhe një pjesë e saj të vihet nën pushtetin e ujit. Specialistë vlonjatë shprehen se, fenomeni i gërryerjes së tokës dhe përparimit të detit në Zvërnec është një dukuri që është shfaqur vite më parë, ndonëse jo në ato parametra sa p.sh. në Seman (Fier). Por, kjo u intensifikua në vitet e fundit, si pasojë e punimeve të kryera nga individë e subjekte të ndryshme për grabitjen e rërës. Përgjatë disa viteve, madje edhe tani, mjete të individëve dhe subjekteve të ndryshme gërmojnë dhe marrin rërën që e përdorin për nevoja të ndryshme të ndërtimit. 

Bregdeti vazhdon të jetë nën kërcënimin e ujërave, që sipas specialistëve do të vazhdojnë të përparojnë, nëse nuk do të merren masa parandaluese. B.Z, specialist i kësaj fushe, thotë për ATSH-në se, në këtë pjesë të bregdetit, për shkak të veçorive natyrore, fenomeni mund të parandalohet përmes ndërtimit të bankinave mbrojtëse prej betoni. Sipas tij, kjo është një praktikë që zbatohet në vende të ndryshme të rajonit, ku shfaqen fenomene të ngjashme të gërryerjes së tokës, si pasojë e ndryshimit të ekuilibrave natyrorë. Plazhet ranorë të Zvërnecit vlerësohen mjaft për cilësinë dhe pastërtinë e tyre. Ato që ndodhen më pranë qytetit, frekuentohen nga mijëra pushues nga Vlora dhe rrethe të ndryshme të vendit. Por, në këtë zonë, ky resurs turistik natyror, është pothuajse i virgjër. Vetëm pak individë frekuentojnë gjatë verës këto plazhe, që shfaqen pas kodrave dhe mjedisit pyjor. (ATSh)

Genti Tavanxhiu scolpisce il Seggio vescovile per la Cattedrale di Rieti

Arrestohet Kajolli, biznesmen e anëtar i këshillit bashkiak të Fierit, i kërkuar nga drejtësia italiane