in

Sportel italian në Shqipëri për favorizimin e punësimit në Itali

Sportelet e hapura pranë ambasadave italiane në disa vende të botës, mes të cilave edhe Shqipëria, do të shërbejnë për të përzgjedhur, formuar dhe për të sjellë në Itali punonjës të huaj. Zyra në Tiranë ka nisur punën me hapjen e kurseve falas të formimit profesional dhe gjuhësor për 255 shqiptarë që duan të punojnë në Itali

Romë, 11 prill 2012 – Italia hap jashtë shtetit sportele për të përzgjedhur, formuar dhe për të sjellë këtu punonjësit e huaj. Për të gjithë këta do të rezervohet një kanal preferencial për punësimin në Itali, duke kapërcyer garën e pamëshirshme të flukseve.

Në këtë aspekt është nënshkruar një protokoll mirëkuptimi mes ministrisë së Jashtme dhe asaj të Punës, që mundëson këtë të fundit të ngrejë zyra periferike (Uffici di Coordinamento Locali, UCL, që shqip quhen Zyra të Koordinimit Vendor, ZKV) pranë disa ambasadave. Kanë si detyrë të konkretizojnë disa hapa themelorë të marrëveshjeve dypalëshe mbi imigracionin që Italia ka lidhur me këto vende. Sipas këtyre marrëveshjeve, në këmbim të luftës ndaj flukseve klandestine, Italia u ofron programe të posaçme dhe kuota të rezervuara hyrjesh të rregullta.

Marrëveshje të tilla Italia i ka nënshkruar me Shqipërinë, Egjiptin, Moldovinë dhe Sri Lankën, po punon për t’i përmbyllur edhe me Bangladeshin, Ganën, Tunizinë, Perunë, dhe mendon t’i lidhë edhe me Kinën, Ekuadorin, Filipinet dhe Ukrahinën.

Në Shqipëri, një zyrë e tillë është ngritur tashmë. Më 26 mars, gjatë një konference për Shtyp të mbajtur në Ministrinë e Punës në Tiranë, në të cilën morën pjesë Ministri i Punës, Spiro Ksera, Drejtori i Përgjithshëm i imigracionit i Ministrisë italiane të Punës dhe të Politikave Sociale, Natale Forlani, si dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, është prezantuar një projekt bashkëpunimi në fushën e emigracionit dhe të punës, i pari i Zyrës italiane të Koordinimit Vendor. Ky bashkëpunim do të fillojë me zbatimin e një projekti pilot, që bazohet në nenin 23 të Tekstit Unik mbi imigracionin, që ka të bëjë me hapjen e kurseve falas të formimit profesional e gjuhësor për 255 shtetas shqiptarë që dëshirojnë të punojnë në Itali. Projekti garanton punësimin e të paktën 50% të pjesëmarrësve në kurse. Me atë rast u njoftua edhe ngritja e ZKV-së: “Për të promovuar një menaxhim të koordinuar dhe efikas të flukseve migratore dhe për të lehtësuar mekanizmat e kooperimit, edhe në formimin profesional dhe gjuhësor, Ministria italiane e Punës dhe Politikave Sociale ka ngritur Zyrën e Koordinimit Vendor (ZKV) në Shqipëri që vepron në bashkëpunim me Përfaqësinë Diplomatike Italiane dhe Ministrinë shqiptare të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, me mbështetjen teknike të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin. ZKV luan një rol lehtësues për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve të punësimit në Itali dhe Shqipëri, duke nxitur afrimin e kërkesës me ofertën për punë ndërmjet dy vendeve”.

Në përgjithësi, ministria italiane e Punës, me një komunikatë të sajën shpjegon se “ZKV duhet të ndërveprojnë me autoritetet kompetente dhe shërbimet për punësimin për të favorizuar takimin e kërkesës me ofertën e punës në Itali. Këto zyra duhet të lehtësojnë realizimin e programeve të formimit të para-nisjes në mirëkuptim me autoritetet dhe strukturat formuese vendore”. Këto zyra kanë si detyrë edhe “dhënien e asistencës teknike palës tjetër me qëllim që kjo e fundit të krijojë listat e kandidatëve që duan të punojnë në Itali, sipas nevojës së tregut italian të punës dhe sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Punës dhe e Politikave Sociale italiane”.

Lexo edhe: Kurs formimi në Shqipëri për t’u punësuar në Itali. Mbyllet faza e parë

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Nuk rimbursohet as nëse dokumenti nuk lëshohet

Prokuroria nis hetimet për vdekjen e papritur në spital të 28-vjeçarit Shkrela