Qindra fëmijë të kthyer nga emigracioni këtë vit po ndjekin mësimet në nivelet përkatëse në shkollat e Shqipërisë. Janë të shumta vështirësitë fillestare, veçanërisht në drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Reportazh në Sarandë, i ofruar nga Top Channel
Tiranë, 11 prill 2012 – Vetëm në dy shkolla të Sarandës numri i fëmijëve të mbërritur nga emigracioni ka arritur shifrën 190. Kthimi, që ka si shkak vështirësitë ekonomike të familjeve të tyre në shtetin fqinj, duket se ka për pasojë jo pak probleme reintegrimin në shkollë e shoqëri të fëmijëve.
Sipas një reportazhi të ofruar nga Top Channel, fëmijët nuk e kanë pasur të lehtë fillimisht të përshtateshin me mjedisin e ri, me klasat dhe shokët e klasës. Për mësuesit, këta nxënës hasin vështirësi serioze me shqiptimin dhe shkrimin e gjuhës shqipe. Të gjithë këta nxënës mësohet se ndjekin sot orë suplementare në gjuhën shqipe dhe lëndët ku kanë më shumë probleme.
Mësuesja e gjuhës shqipe në shkollën ‘9 Tetori’ në Sarandë thotë se edhe stafi pedagogjik hasi probleme me mbërritjen e këtij kontingjenti dhe se janë dashur muaj vetëm për të përmirësuar drejtshqiptimin e tyre.
Zyra Arsimore në Sarandë bën me dije se numri i regjistrimeve të reja është i përditshëm, çka flet për një fluks kthimesh të vazhdueshëm të emigrantëve shqiptarë nga Greqia. Lina Vaso, drejtoreshë e kësaj Zyre thotë se të gjithë fëmijët e mbërritur nga emigracioni po mbështeten prej psikologëve shkollorë ndërsa ndihet optimiste për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkolla, duke pasur parasysh edhe regjistrimet në klasat përkatëse (dhe jo më të ulëta) që fëmijët kanë ndjekur në shtetin grek.
Në qytetin e Sarandës numri i fëmijëve që po ndjekin shkollat shqiptare pas kthimeve të familjeve të tyre nga emigracioni është rreth 200. Por nëse kthimet do të vazhdojnë me këto ritme, shumë shpejt kapacitetet fizike të shkollave do të jenë të pamjaftueshme për pritjen e nxënësve të rinj. Në këto kushte kanë filluar përpjekjet për ndërtimin e një shkolle të re në qytet.