in

Në Dom, një ditë pas gjëmës

Pukë, 18 korrik – Dita e sotme e zisë është për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, por më së shumti e përjetojnë pukjanët e mirditorët. Tek tuneli i Kalimashit, Selamiu nga Malisheva kujton aksidentin tragjik të Fushë Arrëzit, ku humbën jetën 15 adoleshentë, maturantë të këtij qyteti.

“Atëherë na u ndodhet pranë, ashtu si në pranverën e ’99, ka edhe një memorial për këtë aksident. Edhe ky i sotmi ka të njëjtat përmasa dhe shumë dhimbje për shqiptarët”, thotë ai.
Se kjo rrugë e largët dhe tërë kthesa, mbart mbi supe shumë aksidente. Por veçanërisht mbahen mend 3 prej tyre: ai i vitit 1975, kur humbën jetën 16 studentë të Tropojës në kthesat e Shpalit, aksidenti i nxënësve të Malishevës ku humbën jetën 15 nxënës dhe ky i djeshmi ku kanë humbur jetën 14 persona.
Kjo rrugë e largët e tërë kthesa e ngjitje-zbritje nga Kukësi në Tiranë në një largësi prej 210 kilometrash numëron plot 3200 kthesa. Një rrugë gjithnjë e vështirë si në dimër e në verë, por ja që u shërben banorëve të zonës, edhe pse nganjëherë nëse hedh sytë jashtë dritareve të mjetit, të shtie frikën.
Sapo lë autostradën e ngjitesh rrugës së Repsit, e ndien trishtimin tek të gjithë ata, që i drejtohen zonës së thellë të Pukës.
Shpresa Prenga që në mëngjes pret një mjet për të ngushëlluar të afërmit. “Në këtë aksident humbi jetën djali i dajës, Fran Paloka. Lajmin e dëgjova së pari nga televizori”, thotë e përlotur.
Janë me dhjetra mjetet që udhëtojnë drejt fshatrave të Pukës e të Fushë Arrëzit, ku sot pasdite dhe nesër kryhen ritet e ceremonisë mortore të atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik.
“Në këtë rrugë pas ndërtimit të autostradës në ditë lëvizin 2 – 3 mjete, sot është ditë e veçantë”, thotë Islami, shoferi i furgonit, me të cilin udhëtoj drejt fshatit Dom, vendit ku ndodhi dje aksidenti dhe gjithë bisedat vërtiten rreth tij. 
Asnjë prej pasagjerëve, që edhe pse kanë humbur të afërmit e tyre, nuk thonë gjë për drejtuesin e mjetit Zef Gjergjin, 45 vjeçarin që është mes viktimave. “Prej vitesh na ka shërbyer si jo më mirë, nuk ka pasur asnjë ves, vetëm se ka qenë korrekt me timonin”, thotë Pashku, plaku 73 vjeçar.

Tek vendi i tragjedisë

Tek vendi ku ndodhi dje tragjedia janë me dhjetëra të afërm, banorë të zonave përreth e kureshtarë që vështrojnë vendin ku autobusi 30 vendesh ra në humnerë, që ende mbahet rrethuar nga shiritat e policisë, ndërsa ekspertët vazhdojnë matjet pa u shqetësuar nga bisedat e llojllojshme të njerëzve aty pranë. Një punonjës policie nuk lejon askënd të hyjë në zonën e rrethuar me shirita. 
Përtej shiritave duken qartë gjurmët e përshkruar nga rrotat e autobusit deri sa ra në humnerë. Duken edhe degët e thyera të pishave të vogla, ndodhur buzë rrugës. Humnera nuk është më shumë se 70 – 80 metra, ndërsa gjurmët nuk tregojnë ndonjë shqetësim të drejtuesit të mjetit. Janë gjurmë të zakonshme në zallishte, aq sa Pashku thotë se ka të drejtë kur thotë se, Zefi atë moment nuk ka kontrolluar mjetin.
Plaku 73- vjeçar thotë se ka qenë exheli që i ka pllakosur pasagjerët. Dhe duket si ndoshta e vërtetë. Se autobusi u ndal në Gjegjan, ku zbritën 6 pasagjerë. Shoferi bleu diçka në dyqanin e fshatit, kur ka parë se në autobus ka hipur pa e pyetur Bardhok Tafa me gruan e dy fëmijët. “Nuk kam vend e sheh, apo jo”, i ka thënë mësuesit shoferi shumë i  njohur në zonë. Dhe mësuesi zbriti, ndërsa pas 4 kilometrash, ndodhi tragjedia, ku humbën jetën 14 persona dhe 12 të tjerë të plagosur luftojnë ende mes jetës e vdekjes.

Tregime dëshmitarësh

I pari që dha alarmin dje, rreth orës 17 për tragjedinë, ishte Lin Marku, pronar i një lokali pranë vendit të ngjarjes. Ai e ka parë me sytë e tij rrokullisjen në humnerë të autobusit, thonë dëshmitarët e shumtë, mes tyre, dhe nënkryetari i komunës. 
Ndue Marku tregon se Lini ishte i pari që mbërriti tek autobusi, që pasi dha alarmin përmes celularit, mori një person me mjetin e tij dhe e solli në spitalin e Gjegjanit, ndonëse të vdekur. 
Nënkryetari i komunës, Zef Lasku tregon: “Unë erdha pasi kishte nisur nxjerrja e kufomave dhe lëvizja drejt spitaleve e të plagosurve. Jam ndaluar vetëm pak minuta këtu e pastaj shkova tek spitali i Gjegjanit për të ndihmuar. Në momentin e parë janë gjetur 8 vetë të vdekur, ndërsa të plagosurit i kemi transportuar në drejtime të ndryshme, fillimisht në Pukë, pastaj jemi marrë me identifikimin e kufomave, pritëm helikopterët e ardhur nga Tirana, që morën  fillimisht të plagosurit që ishin tek spitali i Gjegjanit dhe më pas në Pukë ku kishte nisur transporti i të plagosurve”.
Lasku thotë se gjithë shteti u mobilizua menjëherë nga kjo tragjedi. “Terreni i vështirë nuk pengoi forcat e Policisë, RENEA-s që t’ jepnin fund operacionit brenda 2 -3 orëve”, thotë ai. “Në momentin e tragjedisë a ka pasur reshje, apo shtrëngata?”, pyesim. “Jo, shtrëngata e shiut nisi një orë pasi ndodhi tragjedia e vazhdoi disa minuta”, përgjigjet Zefi. 
Ndue Prenga, një prej dëshmitarëve të ngjarjes: “Kam qenë nga të parët që mbërrita në vendngjarje, kur nga autobusi kishin nxjerrë vetëm një person të vdekur. Më pas jemi mbledhur shumë prej banorëve nga Domi, Gjegjani e fshatrat përreth dhe nxorëm në rrugë 8 të vdekur, që më pas, me dy mjete të banorëve të zonës u transportuan në morgun e spitalit të Pukës. Fillimisht jemi marrë me 12 të plagosurit, që i nxorëm në rrugë me batanije e çarçafë, pasi edhe terreni ishte mjaft i vështirë dhe i nisëm me makina private e dy ambulancat e spitalit të Gjegjanit sa në Rrëshen, sa në Pukë e Fushë Arrëz. Më pas mbërritën shpejt ambulancat nga Rrësheni e Puka. Vetëm pasi u siguruam se nuk kishte më persona të tjerë, i transportuam 8 kufomat drejt spitalit të Gjegjanit, fillimisht për t’i rehabilituar e më pas drejt murgut të spitalit të Pukës. Ishin një burrë, 5 gra dhe dy fëmijë”.
Është një tragjedi për të gjithë, por ka familje që e përjetojnë më së shumti. Kështu është për Mustafajt në Fushë Arrëz që humbi 3 pjesëtarë, Ademin, gruan e tij dhe një vajzë, kështu edhe për 13-vjeçarin Gjovalin Gjinaperaj që vetëm 2 muaj më parë humbi babanë në një aksident në punë. “Gjovalini na ka pritur kur i shkuam për ngushëllim për humbjen e babait, pa e ditur se pas dy muajsh do ta shoqëronte pas”, tregon nënkryetari i komunës.

Pak fjalë për Gjegjanin

Komuna e Gjegjanit ka mbi 5000 banorë, një pjesë e mirë, në emigracion. Janë rreth 800 persona që jetojnë jashtë vendit, ose thuajse çdo familje (komuna ka rreth 1200 familje) ka një në emigracion. Rreth 60 për qind e familjeve përfitojnë ndihmën ekonomike, ndërsa ata që kanë mbetur në të dy anët e brigjeve të lumit të Fanit të madh jetojnë me bujqësi, blegtori e pemëtari. 
“Aktiviteti tregtar dhe i shërbimeve është në nivel të ulët sa për t’u shërbyer banorëve, aq sa nuk arrijmë t’i taksojmë”,- thotë nënkryetari i komunës. Për banorët e zonës ndihmëse ka dhënë një minierë në malin e Munellës, që shfrytëzohet nga “Dealb”, kompani turke që ka punësuar rreth 100 punëtorë nga komuna. 
Sot gjithë Fani është në zi. Në mesditë Pukën e ka vizituar edhe kryeministri Sali Berisha që u ka premtuar gjithë mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e kësaj situate të rëndë. Ndërsa sot e nesër pukjanët përcjellin drejt banesës së fundit viktimat e kësaj tragjedie të rëndë.

R.Hoxha, ATSh

Aksident tragjik në Dom të Gjegjanit: 14 të vdekur dhe 12 të plagosur

Grimca: Ndërron jetë e shoqja e Aldo Moros