in

Vazhdojnë arrestimet në Shqipëri të personave të kërkuar në Itali

Të arrestuarit e djeshëm në Fier, Aleksandër Rakipaj dhe Erjon Xhafa, rezultojnë në kërkim nga Interpoli Italian për trafik droge

Tiranë, 02 prill 2012 – Vazhdojnë të arrestohen në Fier të personave të kërkuar nga organet e drejtësisë Italiane. Dy persona janë kapur  të enjten, duke e çuar në tetë numrin.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, në kuadër të operacionit të koduar “Korrja” janë arrestuar dy shtetas të shpallur në kërkim nga Interpol i Romës. Janë vënë në pranga Aleksandër (Genti) Rakipaj, 36 vjeç, banues në Lushnjë dhe Erjon Xhafa, 33 vjeç, banues në fshatin Sulaj të rrethit të Fierit.

Arrestimi i 36-vjeçarit Rakipaj u bë për arsye ekstradimi, pasi Gjykata e Torinos në Itali, me vendim të datës 30 shtator 2003, ka vendosur dënimin e tij me 22 vite burg, për veprën penale “për shkelje të ligjit mbi lëndët narkotike”. Ndërsa arrestimi i 33-vjeçarit Xhafa është bërë edhe ky për arsye ekstradimi, pasi Gjykata e Romës në Itali ka nxjerrë urdhër-arresti ndërkombëtar për veprën penale “pjesëmarrje në organizata kriminale me qëllim trafikim narkotikësh”, i cili parashikon maksimumin e dënimit me 24 vjet heqje lirie, thuhet në njoftimin e policisë.

Javën e kaluar, policia e Fierit prangosi edhe dy persona të tjerë të kërkuar nga Drejtësia Italiane, biznesmenët Fatmir Kajolli dhe Sokol Murati. Kajolli ishte dënuar me 40 vite burg për “pjesëmarrje në organizatat kriminale” dhe “trafikim të narkotikëve”, ndërsa Murati ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, për të njëjtat akuza, por ende i padënuar. Ndërkaq, nga Policia e Fierit janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të kërkuar nga drejtësia italiane. Kështu, janë ndaluar dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Ilia (Llazi) Beci, 46 vjeç, banues në fshatin Radostinë të rrethit Fier dhe Lefter (Agim) Aliu, 56 vjeç, Arjan  Kokvelaj, 47 vjeç, banues në Fier dhe Genci Nilo, i cili është dënuar nga Gjykata e Peruxhias me burgim të përjetshëm për vrasjen e një bashkëkombësi.

Trafik klandestinësh në Rinas, të përfshirë 12 oficerë

Të huajt e parregullt. Sanksione më të ashpra për ata që i punësojnë, por lejeqëndrimi mbetet një mirazh