in

Probleme në nisjen e kërkesave të flukseve. Ministria: “Po verifikojmë”

Shumë punëdhënës kanë nisur kërkesat e punësimit me vonesë sepse nuk e gjenin më në sistemin informatik të ministrisë së Brendshme. Viminale fillimisht mohon të ketë pasur “probleme teknike”, por më pas pranon se ka pasur “ngadalësime. Një gjë e tillë ndodhi në vitin 2008

Romë, 28 prill 2012 – Nuk ka nisur për të gjithë në të njëjtin çast ‘gara’ për punësimet e 35 mijë punonjësve të huaj sezonalë të autorizuar me dekretin e fundit të flukseve për të ardhur në Itali. Shkaku duket se ka qenë një problem teknik i sistemit informatik të Ministrisë së Brendshme.

Në orën 8.00 të të premtes, 20 prill, kur niste paraqitja on line e kërkesave, shumë punëdhënës që kishin përgatitur e shpëtuar kërkesat e tyre në portalin e ministrisë nuk i gjetën më. U shfaqën sërish më vonë po atë ditë, kur më në fund mundën t’i nisnin.

Andrea Filacaro sinjalizon në facebook “probleme të rënda” dhe thotë se ndihet “i mashtruar”. “Mua – tregon ai – kërkesat që kisha përpiluar m’u shfaqën si për magji rreth orës 10.25”. Ka qenë më me fat Renata Melas: “Sistemi u bllokua, ka rishfaqur të dhënat që kishim shpëtuar më parë, por kërkesat mundëm t’i nisnim vetëm pas orës 08.30” shkruan ajo.

“Unë e gjeta kërkesën vetëm në orën 9.57 e pastaj e nisa menjëherë. Po si është e mundur që kërkesat u zhdukën nga sistemi?” pyet Giovanni Conti.

Duket se nuk ka pasur probleme me nisjet e shumëfishta nga shoqatat e kategorisë: “kishim rreth njëqind kërkesa dhe i nisëm në tetë fiks, e brenda dy minutave arritën të gjitha” konfirmon Laura Galvani, nga Confagricoltura e Veronës.

Stranieriinitalia.it i kërkoi sqarime ministrisë së Brendshme që u përgjigje me një mail: “në mesditën e 20 prillit – shkruajnë nga ministria – kishin mbërritur 32.169 kërkesa; pra nuk është verifikuar asnjë problem teknik në transmetimin e praktikave”. Por menjëherë më pas pranojnë që: “për shkak të nisjeve në masë të kërkesave gjatë orës së parë, u vërejt një ngadalësim në pranimin e praktikave që mund të ketë përfshirë një numër të kufizuar personash”.

“Zyra teknike e Departamentit për Liritë Qytetare dhe Imigracionin (DLCI) – përfundon përgjigjja e Viminales, – po bën verifikimet e nevojshme”.

Por ka një mospërputhje mes asaj që thonë punëdhënësit dhe versionit të ministrisë së Brendshme. Ministria pranon vetëm vonesat, të justifikueshme me trafikun e lartë të orës së parë, ndërsa lexuesit tregojnë se kërkesat e tyre, të përgatitura ditë më parë, ishin zhdukur nga sistemi, pra nuk mund të niseshin. Verifikimet e DLCI duhet të japin një përgjigje mbi këtë çështje.

Duke mbajtur parasysh që deri tani problemet e sinjalizuara nga lexuesit kanë të bëjnë vetëm me orët e para të 20 prillit, fakti që deri në drekën e asaj dite “ishin paraqitur 32.169 kërkesa” praktikisht duhet t’i qetësojë disi punëdhënësit. Deri  në atë çast, 35 mijë hyrjet e vëna në dispozicion nga dekreti i flukseve nuk kishin mbaruar, ndaj edhe kush e nisi kërkesën me vonesë dhe i përmbush kriteret e parashikuara nga ligji ka mjaft mundësi t’ia dalë mbanë për të sjellë një punonjës në Itali.

Por gjërat komplikohen nga shpërndarja e 35 mijë kuotave në nivel krahinor: është e mundur që në ndonjë Krahinë kuotat të kishin përfunduar ndërsa disa punëdhënës nuk ia kishin dalë akoma të nisnin kërkesën sepse nuk po e gjenin atë. E në këto raste, nëse verifikohet që sistemi nuk funksiononte, ç’do të bëhet me kërkesat e penalizuara?

Të vjen ndërmend ç’ndodhi me flukset 2007, kur më 15 dhjetor 2007, ditën e parë të vlefshme për nisjen e kërkesave një problem informatik “falsifikoi” renditjen kohore të paraqitjes së kërkesave duke penalizuar shumë punëdhënës. U nevojit një betejë e gjatë legale, mbi një vit, për të hedhur dritë mbi atë histori e vetëm shpallja e një dekreti të ri fluksesh, në të cilin u “përthithën” kërkesat e të penalizuarve shmangu një sërë padish ankimore kundër ministrisë.

Elvio Pasca

Censimento. Gli immigrati triplicati in dieci anni

Centri di Identificazione e Espulsione, carceri di innocenti