in

Zgjohet Renzo Bossi: “Diploma? Unë s’di gjë!”

Reagon Renzo Bossi: “Nuk kam dijeni të kem marrë diplomë universitare më 2010”. Të vetmit që besojnë se Trofta ka studiuar e ka marrë diplomën e shkollës së lartë mbeten ata të universitetit Kristal

Romë, 10 maj 2012 – Del nga ‘koma’ njëjavore Renzo Bossi e kujtohet se nuk di shqip e nuk ka marrë ndonjëherë diplomë në Shqipëri.

“Nuk flas shqip, nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri e nuk kam thënë ndonjëherë se kam diplomë universitare. Nuk kam qenë asnjëherë në dijeni të diplomës për të cilën flitet”. Kështu ka deklaruar sot, plot një javë nga përhapja e lajmit të diplomimit të tij në Tiranë pranë universitetit Kristal në vitin 2010.

“Kjo që po them – ka vazhduar Trofta – vërtetohet nga fakti që jemi në vitin 2012 dhe vetëm sot po e marr vesh: u kujtoj të gjithëve që nuk kam thënë asnjëherë se kam mbaruar shkollën e lartë”.

Mbi diplomën shqiptare, tashmë në duart e prokurorisë, Trofta, i biri i Umberto Bossit, vë në dukje se ka një gabim: “Me një analizë kritike, kushdo mund të konstatojë se data ime e lindjes është e gabuar, dhe kjo është e dhënë me rëndësi”.

Reagimi i Troftës nuk çudit askënd. Sa për të përmëndur një rast të ngjashëm, ish ministri për Zhvillimin Ekonomik, Scajola – në mos me më shumë mend se Bossi Jr., të paktën me më shumë vjet mbi shpatulla, – kur u pyet për shtëpinë e tij përballë Koloseut, fillimisht tha se e kish blerë lirë (një çmim që as në periferinë të Romës nuk merrje shtëpi aq të madhe) më pas u shpreh se nuk e dinte kush ia kishte paguar pjesën tjetër të çmimit, e bëhej fjalë për mbi një milion euro.

Ajo që të çudit me Troftën është pse priti një javë para se të reagonte? “Nuk kam folur sepse besoj në organet e drejtësisë e vetëm gjykatës i jap llogari. Por u gjenda i detyruar të bëj deklarata publike kundër dëshirës, për të ndalur mediat në këtë fushatë masakruese ndaj meje, dhe ato gazeta që shpesh gjatë këtyre viteve kanë zëvendësuar gjykatësit”.

Pse “t’i kenë bërë këtë të zezë” Renzo Bossit? E ka përgjigjen gati, duke akuzuar në njëfarë mënyre njerëz brenda Legës: “Kam parë e dëgjuar shumë persona që më akuzojnë padrejtësisht veetëm për të më përdorur si armë ndaj tim eti, për ta frikësuar për ta bindur të mos hedhë më kandidaturë për postin e sekretarit federal”. E mbyll deklaratën duke kërkuar të lihet i qetë: “sepse e kam treguar që jam i drejtë duke dhënë dorëheqjen nga të gjitha postet politike dhe duke e lënë të lirë Legën të çojë përpara projektin e saj politik”.

Kaq deklaron Bossi Jr. duke shkaktuar kështu probleme e pikëpyetje të reja në Shqipëri. Kush ka çuar disa herë persona në Ambasadën italiane në Tiranë për të kërkuar deklaratën e vlefshmërisë së diplomës (që Bossi thotë se as që dinte se ekzistonte)? Madje, siç deklarojnë funksionarët e përfaqësisë diplomatike në letrën informuese dërguar prokurorëve të Milanos që hetojnë mbi çështjen, dy herë është paraqitur një avokate me prokurë, certifikatë e fotokopje të pasaportës së Troftës, siç deklarojnë funksionarët e përfaqësisë diplomatike në letrën dërguar organeve që hetojnë mbi çështjen.

Dhe së fundi, a do t’u mbushet mendja përfaqësuesve të universitetit Kristal që Bossi nuk ka qenë asnjëherë i regjistruar tek ata e aq më pak i diplomuar. Praktikisht janë të vetmit që besojnë se e kanë pasur student.

Shqiptari i Italise

Speciale – Diploma shqiptare e Renzo Bossit

Batuta e fundit legiste: “Imigrantët nuk paguajnë? T’i djegim me napalm!”

Zbulohet në parkun e Butrintit një varr mesjetar