Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli: “Rikthimi në atdhe i shumë personave të kualifikuar jashtë ka bërë të mundur një transformim të vendit”
Tiranë, 11 maj 2012 – Ka nisur punimet në Tiranë konferenca e dytë rajonale “Brain Gain”, organizuar nga Ambasada e RF Gjermane për projektin e bursave të Bundestagut gjerman.
Programi i Bundestagut gjerman jep çdo vit rreth 120 bursa të rinjve nga 28 vende, që kanë një studim universitar. Ai ka objektiv nxitjen e marrëdhënieve bilaterale, të tolerancës, mirëkuptimit, larmisë kulturore dhe bashkëjetesën paqësore. Programi zgjat 5 muaj dhe që prej 10 vjetësh këtë mundësi e kanë pasur 33 bursantë nga Shqipëria, numri i të cilëve është në rritje.
“Kjo konferencë është mjaft e rëndësishme pasi prek një çështje nga e cila varet ndërtimi i vendeve tona, dhe programi i Bundestagut nxit të rinjtë të marrin pjesë në jetën sociale, politike e ekonomike”, tha Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuar në konferencë që ftoi të rinjtë që studiojnë jashtë që të vijnë e të punojnë në Shqipëri.
“Largimi i personave të kualifikuar ishte një humbje e madhe dhe vendi u përball me mungesën e kapaciteteve, ndërsa sot Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe të rëndësishme të zhvillimit të kapitalit njerëzor. Sot është rritur numri i studentëve në universitete dhe shumë studentë studiojnë edhe në universitetet e Europës. Reformat e ndërmarra janë shoqëruar me rikthimin e shumë personave të kualifikuar në atdhe, rikthim që ka bërë të mundur një transformim të vendit”, nënvizoi Topalli.
Ajo siguroi të rinjtë që studiojnë jashtë se ia vlen të kthehesh e të kontribuosh në Shqipëri. “Po ia vlen të kthehesh në Shqipëri. Vendi është një hap drejt integrimit në BE dhe kur kjo të ndodhë ju do të jeni krenarë dhe do të thoni edhe unë dhashë kontribut për vendin”, u shpreh Topalli.
Lexo edhe:
Studentët: A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?