in

Skandali Arcobaleno. Asnjë fajtor për shkak të tejzgjatjes së procesit

Misioni Arcobaleno në Shqipëri u shqua për shpërdorime e vjedhje. Por 12 vjet pas ngjarjeve, të gjitha veprat penale janë parashkruar. U mbyll dje gjyqi ndaj 17 të pandehurve për parashkrim të krimeve

Romë, 19 maj 2012– U mbyll me parashkrimin e të gjitha veprave penale të procesi i ngritur mbi hetimet e nisura 12 vjet të shkuara nga Prokura e Barit mbi administrimin e Misionit Arcobaleno, operacioni humanitar, i shumëpërfolur për shpërdorime e vjedhje, i qeverisë D’Alema në Shqipëri për mbështetjen e kosovarëve gjatë ndërhyrjeve të NATO-s kundër Serbisë. Kështu vendosi më 17 maj nga gjykata e Barit me kërkesë të prokurorisë që nëntorin e shkuar në mirëkuptim me legalët e të pandehurve, i kishte kërkuar gjykatës shtyrjen e seancës së radhës pas 28 prillit 2012, datë kur parashkruheshin tashmë të gjitha veprat penale, që do të thotë se fajtorët e mundshëm nuk mund të gjykohen, e aq më pak të dënohen, pasi ka kaluar shumë kohë nga ngjarjet.

Procesi i filluar në Bari më 10 shkurt 2011 u mbyll kështu më 17 maj pa arritur të shkohet përtej çështjeve paraprake për shkak se koha ishte e pamjaftueshme për të gjykuar 17 vetë e për të dëgjuar mbi 100 dëshmitarë. Mes të pandehurve edhe ish nënsekretari i presidencës së Këshillit të ministrave Franco Barberi, që asokohe ishte kreu i Mbrojtjes Civile. Barberi akuzohej për pjesëmarrje në organizatë kriminale bashkë me sekretarin e tij Roberto Giarola, me kreun e misionit, Massimo Simonelli, me shefin e kampit të refugjatëve në Vlorë, Luciano Tenaglia, vullnetarin e Mbrojtjes civile, Alessandro Mobono dhe me Emanuele Riminin, Luca Provolon, dhe Antonio Verricon. Ndaj tyre u ngrit si palë civile presidenca e Këshillit të ministrave dhe ministria e Brendshme, që nuk do të rimbursohen kurrë.

Hetimet mbi misionin humanitar Arcobaleno sollën, më 20 janar 2000, arrestimin (për tre muaj) të katër personave Simonelli, Mobono, Tenaglia dhe të punonjëses së Mbrojtjes Civile Silvia Lucatelli, të gjithë të çuar përpara gjykatës e të gjithë, sot, të pafajshëm për parashkrim të veprave penale. Po kështu edhe pronari i hotelit Rahmi Isufi, i akuzuar për vjedhje në rrethana të rënduara, i shpallur në kërkim nga viti 2000 kur i shpëtoi arrestimit, tashmë nuk ka asnjë çështje penale në ngarkim.

Hetimet kanë ndërruar disa herë prokuror, gjyqi që parashikohej të niste më 5 shkurt 2009 është shtyrë shtatë herë deri më sot e trupi gjykues është ndërruar katër herë. Mes çështjeve paraprake të ngritura nga avokatët e të pandehurve, sot të pezulluara, edhe ajo mbi mos-kompetencën territoriale të gjykimit që po të pranohej do të kishte kthyer pas të gjithë procesin për ta transferuar në Romë.

Lexo edhe:
Ngjyrat e çuditshme të “Ylberit”
Më lehtë futen maunet kontrabandë, se sa ndihmat

 

Lavoro. Con la crisi meno italiani e più stranieri

Hepatiti B: tregohu i mençur, bëj analizën