Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe në veshka.
Dy rastet e paraqitura më rëndë, ndër 14 vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Qafën e Vishës dhe që po marrin trajtimin në Spitalin Ushtarak, do të nisen ditën e nesërmne drejt Austri për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore.
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha në një konferencë për mediat se shqetësimi ynë më madhor ka qenë dhe mbeten dy vajzat që kanë paraqitur problematikë shëndetësore të komplikuar. “Duke bashkëpunuar me ambasadorin austriak, me përfaqësuesit e Raiffeisen Bank dhe aktorë të tjerë kemi arritur me një zgjidhje të përbashkët pozitive: trajtimin e këtyre vajzave në klinika të specializuara në Austri” ka thënë ministri Vasili.
Ambasadori austriak në Tiranë u shpreh i lumtur për arritjen e një marrëveshjeje për kurimin e dy vajzave në Austri të ënjten në mëngjes, gjë që do të ishte bërë edhe të mërkurën nëse gjendja e tyre shëndetësore do të lejonte udhëtimin”.
Kirurgu i Spitalit Ushtarak Amedin Xhaferri, bëri me dije se Florije Peci dhe Eriselda Gubere ende nuk kanë dalë nga terapia intensive, por nuk dha detaje lidhur me transportimin e tyre për mjekime të specializuara në Austri. Mjeku njoftoi gjithashtu se sot pasdite Doriana Kumria doli nga reanimacioni.
Nga spitali i Vlorës, pas përmirësimit të dukshëm të parametrave të tyre shëndetësorë, janë dërguar pranë familjeve, pesë nga studentet që mbetën të plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë.
“Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja, Adisa Çela, dolën sot nga ky spital, ku trajtoheshin prej mbrëmjes së ditës së hënë, kur ato mbërritën pak orë pas aksidentit” ka thënë për mediat drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami. Ato u shoqëruan nga autoambulancat e Spitalit Rajonal të Vlorës për në shtëpitë e tyre, në Berat dhe Elbasan.
Sipas drejtorit, gjendja shëndetësore e tyre ishte normale dhe mjekët vlerësuan se ato mund të qëndrojnë në kushtet e shtëpisë.
Aktualisht, në spitalin e qytetit të Vlorës po mbahen nën kujdesin e mjekëve studentet e plagosura Elidona Gjinaj, Adiola Mustaku, Juliana Kuqi, Besjana Xheneti, Liri Hasaj, parametrat shëndetësorë të të cilave janë ende të pastabilizuar plotësisht.