in

Qeveria vendos pezullimin e licencës së shkollës së Lartë Kristal

Diploma shqiptare e Renzo Bossit sjell reagimin e parë konkret të qeverisë. Sot në mbledhjen e radhës së Këshiillit të ministrave, është vendosur  të pezullohet “pjesërisht e përkohësisht” licenca e shkollës së lartë Kristal (vendimi i pestë në aktivitetin e sotëm të Qeverisë).

Sipas vendimit të marrë sot, pezullimi do të zgjasë një vit e gjatë kësaj periudhe Universiteti ‘Kristal’ nuk do të pranojë studentë të rinj “në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron”. Ndërkohë, universiteti Kristal duhet të ndërmarrë të gjitha masat “që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale”. Drejtoria e Arsimit të Lartë në MASH do të kryejë inspektim periodik, çdo 3 muaj, në këtë Universitet për të verifikuar “përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë”.

Pas përfundimit të periudhës së pezullimit, “universiteti “Kristal”, do t’i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”.

Sipas Ministrisë së Arsimit, po përgatitet një raport për të gjitha universitet në Shqipëri që do të publikohet në muajin qershor dhe pritet të ketë penalizime të tjera. 

Vendimi i plotë i Qeverisë:

V E N D I M PËR PEZULLIMIN E PJESSHËM DHE TË PËRKOHSHËM TË LICENCËS SË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE  JOPUBLIKE, UNIVERSITETI “KRISTAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 46, të    ligjit nr.9741 datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.    Pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”,  për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë.
2.    Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron.
3.    Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
4.    Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale.
5.    Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë.
6.    Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.
7.    Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë.
8.    Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Kryeministri
Sali Berisha

Mbi këtë temë: Bossi junior me diplomë shqiptare

Greqi. Agimi i Artë në krye të mësymjes kundër imigrantëve

Tragjedia e Himarës. Dy të aksidentuarat më rëndë të enjten për kurim në Austri