Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe në veshka.
Tiranë, 24 maj 2012 – Florije Peci dhe Eriselda Gubere janë nisur sot me një avion ambulancë drejt Austrisë ku pritet t’i nënshtrohen një mjekimi më të specializuar.
Një ambulancë i ka transportuar vajzat drejt aeroportit “Nënë Tereza”, i cili ka mbërritur në Shqipëri enkas për transportimin e dy të plagosurave rëndë nga aksidenti tragjik i Himarës.
Mësohet se dy vajzat do të marrin trajtim në dy spitale të ndryshme në Vjenë.
Njoftimi për transportimin e tyre drejt Vjenës, është bërë dje nga ministri i Shëndetësisë dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë.
“Duke bashkëpunuar me ambasadorin austriak, me përfaqësuesit e Raiffeisen Bank dhe aktorë të tjerë kemi arritur me një zgjidhje të përbashkët pozitive: trajtimin e këtyre vajzave në klinika të specializuara në Austri” ka thënë ministri Vasili.
Ambasadori austriak në Tiranë u shpreh i lumtur “për arritjen e një marrëveshjeje për kurimin e dy vajzave në Austri të enjten, gjë që do të ishte bërë edhe të mërkurën nëse gjendja e tyre shëndetësore do të lejonte udhëtimin”.