in

ShBA: “Korrupsioni në qeveri dhe në sistemin gjyqësor problem serioz për Shqipërinë”

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar sot raportin për të drejtat e njeriut në vendet e ndryshme të botës për vitin 2011, mes të cilave edhe në Shqipëri. Raporti nis me një vlerësim lidhur me 4 vrasjet nga Garda kombëtare e 4 protestuesve të 21 janarit, vazhdon me zgjedhjet lokale të 8 majit, me korrupsionin duke pasqyruar ku është shtrirë më tepër ky fenomen, gjendja në burgje dhe qendrat e paraburgimit, vrasjet nga bandat e deri tek gjakmarrja. ‘Syrit të mprehtë’ të DASH në raportin prej 21 faqesh nuk i ka shpëtuar as kushtet e punës në Shqipëri, punësimi i fëmijëve, diskriminimi i komunitetit të personave gay, lesbike e të kategorive të tjera të dobëta.

21 Janari

Departamenti Amerikan i Shtetit është ndalur tek protesta e 21 Janarit, kur mbetën të vrarë 4 protestues. “Në fillim të këtij viti u shënua një incident në të cilin forcat e Gardës kombëtare vranë 4 persona. Ata qëlluan në drejtim të protestuesve gjatë një demonstrate të dhunshme përpara Kryeministrisë. Prokuroria e Përgjithshme hapi hetimet për vrasjet. Hetimet vijuan shumë ngadalë. Deri nga fundi i vitit asnjë gardist apo zyrtar i qeverise nuk është paditur për rolin e tij në vrasjet nga të shtënat”. Departamenti Amerikan i Shtetit shton se pas incidenteve të 21 Janarit pati kërcënime edhe mes gazetarëve.

Zgjedhjete 8 majit

Në raportin e DASH për vitin 2011 përmenden dhe zgjedhjet lokale të 8 Majit që u mbajtën në mbarë vendin, të cilat u cilësuan nga OSBE/ODIHR si “konkurruese dhe transparente”, por “shumë të polarizuara dhe me mosbesim të madh mes opozitës dhe qeverisë”. “Polarizimi i theksuar në mjedisin elektoral u karakterizua nga incidente mashtrimi, numërim i diskutueshëm i  votës duke penguar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirisht qeverisjen e tyre” – citohet në përmbledhjen e raportit. DASH thekson se vendimi i Komisionit qendror të Zgjedhjeve për përmbysjen e rezultatit fillestar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, u cilësua gjerësisht partiak dhe minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.
Gjithashtu raporti nuk lë pa përmendur se ka pasur raportime që “mjaft punonjësve të administratës iu kërkua të merrnin pjesë në mitingjet elektorale”, dhe se kërkesat për regjistrimin civil dhe pamundësia e identifikimit të popullatës rome bënë të vështirë për shumë prej tyre të merrnin pjesë në zgjedhjet e 8 majit.

Korrupsioni

Në këtë raport, ndër të tjera, theksohet se korrupsioni në qeveri dhe në sistemin gjyqësor mbetet problem serioz për vendin tonë. Në raport vërehet se ligji parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar, megjithatë qeveria nuk ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive dhe, për këtë arsye, zyrtarët e lartë shpesh mbeten pa u ndëshkuar.
“Korrupsioni në degën e ekzekutivit është i përhapur. Ligji parashikon dënime penale për korrupsionin zyrtar, megjithatë qeveria nuk ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive, dhe zyrtarët e angazhuar shpesh në praktikat e korruptuara mbeten pa u ndëshkuar. Korrupsioni në drejtësi është mjaft i përhapur. Imuniteti i gjerë i gëzuar nga gjyqtarët ndalon Prokurorinë të hetojë akuzat për korrupsion, deri sa t’i bëhet një kërkesë publike Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të hequr imunitetin e gjyqtarit të akuzuarit”,- thuhet ndër të tjera në raport.

Liria e fjalës dhe e shtypit

Raporti nënvizon se Kushtetuta e Shqipërisë siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit, por nga ana tjetër thekson ndikimin dhe presionin e qeverisë si dhe të biznesit në media. Në raport thuhet se individët mund të jenë të lirë të kritikojnë hapur dhe publikisht qeverinë, ndërkohë që theksohet se individë të caktuar janë detyruar të marrin pjesë në mitingje elektorale.
“Kushtetuta siguron lirinë e fjalës dhe të shtypit, dhe qeveria përgjithësisht i respekton këto të drejta në praktikë, megjithatë pati raportime se qeveria dhe bizneset kanë ndikim dhe ushtrojnë presion ndaj medias. Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe përgjithësisht të pakufizuara, edhe pse ka pasur raste të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik mbi to, duke përfshirë kërcënimet kundër gazetarëve. Në disa raste, për shkak të presionit politik dhe të fondeve të kufizuara, mediat e shkruara të pavarura, por edhe gazetarë të veçantë, kanë raportuar se kanë praktikuar vetë-censurën”,- thuhet në raport lidhur me lirinë e fjalës dhe të medias.

Diskriminimi

“Dhuna në familje, diskriminimi kundër grave, fëmijëve, abuzimi dhe diskriminimi në bazë të statusit të pakicave etnike dhe të orientimit seksual, apo identitetit gjinor, mbeten shenja të forta të shkeljes së të drejtave të njeriut” thuhet në raport. Madje aty nënvizohet se “vazhdojnë të raportohen raste të trafikimit të qenieve njerëzore”.

Dhuna në burgje

Raporti i DASH, vijon duke cituar se raste të tjera të shkeljeve të të drejtave të njeriut përfshijnë raste të keqtrajtimeve fizike në qendrat e paraburgimit nga policia “Rrahjet dhe keqtrajtimit e policisë gjatë ndalimit të shtetasve të dyshuar apo marrjes në pyetje, mbeten probleme të rëndësishme. Mosndëshkimi i policisë për abuzimet fizike vazhdon ”,- thuhet në raport.

Lexo raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit në origjinal

Në Miss Italia një çmim edhe për të huajat

Aksidenti i Himarës. Florije Peci dhe Eriselda Gubere janë nisur sot për në Austri