in

Elvira Dones në Asti: “Rrëfej se kam jetuar”

Dy veprimtari të shoqatës Vatra sjellin dy shkrimtarë shqiptarë para publikut të zonës. Elvira Dones e cila pak ditë më parë kishte marrë pjesë në Festival della Poesia të Mantovas, dhe Ylljet Aliçka në Torino, si skenarist e bashkëregjisor i filmit “Kronikë provinciale” shfaqur në kuadër të Festival della Cultura Albanese

“Rrëfej se kam jetuar”. Me këto fjalë, të huazuara nga titulli i librit autobiografik të Pablo Nerudës, poetit të madh amerikano-latin, e nis Elvira Dones paraqitjen e saj përballë publikut të shumtë e të përzgjedhur Italian dhe Shqiptar, që mbushi të hënën, 14 Shtator 2009, sallën kryesore të Bibliotekës së qytetit të Astit, në Itali.
“Edhe unë, si protagonisti i shquar i këtij libri”, thotë Dones, “kam jetuar në mënyrë shumë intensive. Kam bërë edhe gabime, më shumë se një herë edhe jam rrëzuar, por përherë jam ringritur.”
Kjo, natyrisht edhe falë pasionit të thellë për letërsinë.

“Letërsia është për mua si një besim fetar, ajo është vetë feja ime”, shprehet shkrimtarja, autore e shumë romaneve, përmbledhjeve me tregime dhe dokumentarëve, të realizuar, në gjuhë të ndryshme, në Shqipëri, Itali, Zvicër e SHBA. “Nëse shkrimtarja Sibilla Aleramo shkruan ‘Dua, pra jam’, unë, për veten, mund të pohoj pa frikë se ‘Shkruaj, pra jam'”, shprehet autorja Shqiptare, krijimtaria e së cilës është vlerësuar me çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Grinzane Cavour-i i vitit 2008.

Shkrimtare, patjetër, por njëkohësisht edhe grua, bashkëshorte e nënë, Dones flet gjatë edhe për vështirësitë, gëzimet dhe dhimbjet, e lëvrimit të letërsisë për një grua të përkushtuar edhe ndaj familjes. “Për të shkruajtur letërsi, diçka e cila i përket unit tim më të thellë, kam nevojë për një hapësirë timen, të pacënuar nga asgjë tjetër, që shpesh më mungon” thotë ajo. “Për një shkrimtare femër krijimtaria është më e vështirë, pasi ajo duhet të përkujdeset edhe për familjen. Në rastin tim, kohë nga krijimtaria letrare më rrëmben edhe veprimtaria si gazetare dhe dokumentariste.”

Por, pavarësisht vështirësive, Dones duket se preferon të punojë kështu, e impenjuar paralelisht në shumë “fronte”. “Më tmerron ideja e të qënit vetëm shkrimtare,” thotë ajo. “Eshtë e rrezikshme të tentosh të përshkruash botën pa lëvizur nga skrivania e studios tënde. Bota duhet parë, duhet prekur, duhet njohur. Për mua shkrimi i një libri është një moment i shenjtë, dhe gjatë atyre katër muajve që shkruaj bocën e parë, jetoj vetëm për këtë gjë. Por kur përfundoj së shkruari një libër, vijoj menjëherë me veprimtari të tjera. Puna si gazetare më apasionon. Ajo që më intereson më shumë, si autore dokumentarësh, janë të emargjinuarit. Ata më japin shumë, pasi kur përfundoj një dokumentar kam grumbulluar edhe mjaft material për një libër të ardhshëm.”

Nga ideja e një dokumentari ka lindur edhe suksesi i saj i fundit, romani “Vergine Giurata” i botuar në Itali nga shtëpia botuese prestigjioze Feltrinelli. Ky është edhe romani i parë që Dones ka shkruajtur direkt në gjuhën Italiane. “E kam bërë këtë,” pohon autorja, “pasi jo rrallëherë kam hasur vështirësi në përkthimin e veprave të mia nga Shqipja në Italisht. Nganjëherë më është dashur madje ti rishkruaj vetë, si në rastin e romanit “Ditë e Bardhë e Fyer”.

Projektet për të ardhmen janë të shumta. Një film fiction, një dokumentar, një roman i ri, noir, i shkruar edhe ky në Italisht. Por edhe një përmbledhje me tregime në gjuhën Shqipe, një projekt televiziv mbi letërsinë, i realizuar në bashkëpunim me Top Channel, si edhe ribotimi në Shqip i romanit “Yjet nuk vishen kështu”.
Pavarësisht përmasave të theksuara ndërkombëtare të jetës së saj – me bashkëshort zviceran, ajo jeton në SHBA dhe udhëton parreshtur për arsye pune – Elvira Dones vazhdon të mbetet shumë e lidhur me vendin e origjinës. “Deri një, apo dy vite më parë, as që e mendoja të kthehesha në Shqipëri,” thotë ajo. “Ndërsa tani tek unë po hedh rrënjë ideja, nuk them e kthimit përgjithmonë, por e një vendosjeje të përkohshme, për 4,5 apo 6 muaj, në Shqipëri, për të punuar aty. Shqipërinë e kam dashur dhe vazhdoj ta dua me shpirt. Jam edhe shumë kritike ndaj vendit tim, por kjo vjen pikërisht sepse e dua. Sa herë kthehem në Tiranë kam shumë emocion.”

Veprimtaria, e organizuar nga Biblioteka e Astit në bashkëpunim me Shoqatën Vatra të Torinos, shënoi etapën e rradhës të projektit “Festivali i Kulturës Shqiptare” i propozuar nga Vatra, me mbështetjen e Rajonit të Piemontit. Ajo u pasurua nga buqeta muzikore e ofruar për nder të Elvira Donesit nga këngëtarja lirike Lindita Hisku e shoqëruar nga pianistja Kristina Gjonej.

Vatra, shtator 2009

Emigrantët dhe radhët e ferrit për kartat e identitetit

Rikthimi i Ilir Shaqirit