in

Vizat, rruazat dhe pasqyrat

Nga Veton Surroi

Diskursi politik qeveritar do të përsërisë, në dellin e propagandës të një province të thellë e të harruar prej çdokujt, se po shënon fitore në politikën e vet të jashtme. Nuk ia vlen të përsëriten të gjitha prononcimet që i bëjnë qeveritarët me pompë telenovelash, ato janë vetëpromovuese deri në pështirje. Por po t’i përmbledhim të gjitha këto rezultate (përjashto njohjet për të cilat zëvendëskryeministri Pacolli uzurpon të gjitha meritat, përfshirë edhe ato sikur Nigeria, nga ku ky u kthye pa note verbale, por me një kontratë në emër të një kompanie jotransparente të quajtur Seagas), ato maten me dy shpërblimet për pjesëmarrje në “dialogun teknik” me Serbinë, Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe Studimin e Fizibilitetit për fillimin e procesit të Stabilizim-Asociimiit.

Liberalizimi i vizave është karta të cilën pushteti në Kosovë e konsideron si kyç për vazhdimësinë e fuqisë së vet. Në fakt, kjo llogari ka si pikënisje njohjen e thellë e paradoksale të Kosovës: gjërat janë aq keq në vend nga aspekti social, ekonomik dhe politik, saqë një pjesë shumë e madhe e popullatës së vendit e pret liberalizimin e vizave si shpëtim të menjëhershëm për pozitën e vet të rënduar. Disa qindra mija kosovarë, që do të vërshonin menjëherë Evropën e duke qëndruar qoftë edhe disa muaj në vendet e Bashkimit Evropian për të dërguar ndonjë euro familjeve të veta të mbetura në Kosovë, do të mund të ishin eksporti më i rëndësishëm nga të gjitha aspektet. Nga aspekti ekonomik do të ishte një rritje e menjëhershme e remitancave, të cilat përbejnë hera-herës 15 për qind të të hyrave të vendit. Nga aspekti social do të ishin më pak gojë të uritura brenda vendit. Nga aspekti politik pushteti llogarit se gojët e uritura të mbetura në vend do të ishin të falënderuara për këtë zgjidhje imediate.

 ***

Magjinë e liberalizimit të vizave e dinë burokratët dhe politikanët në Bruksel. Liberalizimi fillimisht iu ofrua Serbisë , si formë e zbutjes së hidhërimit të këtij shteti për pavarësinë e Kosovës, dhe si formë e lidhjes së mëtejme të Serbisë me Perëndimin. Asokohe, për të fshehur intencën politike, u tha se ky është një proces teknik, që nuk ka lidhje me zhvillimet politike. E njëjta gjë fillimisht u tha edhe me Kosovën, se liberalizimi i vizave nuk ka lidhje me zhvillimet politike mes Kosovës dhe BE-së, e as faktit se 5 nga 27 shtetet anëtare nuk e kanë njohur. Por, me një koincidence të pritur, udhërrëfyesi për liberalizim u fut në formë diskrete si formë e shpërblimit për Kosovën për pjesëmarrjen e vet në “dialogun teknik”, madje edhe kur, siç ndodhi, rezultatet e tij kishin potencialin e dëmtimit të interesit shtetëror të Kosovës.

Me marrjen e Udhërrëfyesit do të fillojë një koincidencë e re, fare jo e rastësishme. Në të njëjtën kohë, pra, kur Kosova e mori Udhërrëfyesin për viza, në Bruksel zhvilloheshin përgatitjet politike për dialogun e radhës mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar kësaj here për pjesën veriore të Kosovës apo, siç do të njihen thjesht, negociatat për Veriun. Për negociatorët evropianë, ashtu si edhe në “dialogun teknik”, çështja e liberalizimit të vizave mund të hyjë në punë fare mirë. Në 18 muajt e ardhshëm mund të koincidojnë që të dy proceset, pra edhe negociatat për Veriun e edhe përmbushja e kritereve teknike për liberalizimin e vizave. Për ndërmjetësit prezantohet një formë e mrekullueshme e presionit, të përdorurit të çështjes së liberalizimit si karotë për koncesione të Kosovës në çështjen e Veriut.

Kështu, liberalizimi i vizave mund të paraqitet si kartë e përdorur dyfish: herën e parë për “dialogun teknik” dhe herën e dytë për negociatat e Veriut.

Në librat e negociatave ndërmjetësit evropianë mund që tash të hyjnë si jashtëzakonisht të suksesshëm: kanë shitur liberalizimin e vizave sikur kolonizatorët anglezë pasqyrat dhe rruazat e lira indianëve amerikanë në këmbim për ari.

Dhe meqë, siç thamë, i tërë kompleksi i marrëdhënieve të Kosovës me jashtë është i lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, atëherë del se e tërë politika e jashtme e Kosovës , në fund , do të përkufizohet tek liberalizimi i vizave.

***

Pushteti në Kosovë do të thotë ndërkaq se kjo nuk është e vërtetë, dhe se Kosova de facto është duke ndërtuar marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Pra, ja merret udhërrëfyesi për viza dhe njëkohësisht merret edhe Studimi i Fizibilitetit për procesin MSA (Marrëveshje Stabilizim-Asociimi) – që të dy dokumentet që “de facto njohin shtetësinë”.

Edhe këtë truk propagandistik do zhveshur të atillë çfarë është. Fillimi i çfarëdo procesi (Studim Fizibiliteti) për nga natyra nuk mund të quhet njohje e shtetësisë – është vetëm një fillim për të parë se a ka Kosova kapacitete të mjaftueshme qeverisëse për t’i hyrë një procesi (MSA), i cili do të mund të nënshkruhej vetëm pas disa vjetësh (dhe atëherë të vihet në sprovë pozicioni i pesë shteteve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës). Udhërrëfyesi për viza, ndërkaq, është i një natyre edhe më të shpjegueshme: liberalizimi i vizave i është aprovuar edhe një shteti, çfarë është Tajvani, që nuk është anëtar i OKB-së, e që prej shumicës së shteteve në botë njihet si pjesë e Kinës. Liberalizimi i vizave nuk do të thotë njohje të pavarësisë.

Nëse këto dy “shpërblime” nga “dialogu teknik” nuk qenkan njohje de facto e pavarësisë, çfarë pretendonte propaganda qeveritare, çfarë të miri i sjellin Kosovës?

Në fakt, që të dyja shërbejnë për ta lexuar shoqërinë kosovare me parametra të kuptueshëm, ashtu siç janë lexuar shoqëritë e tjera aspiruese për në BE. Te liberalizimi i vizave kjo nënkupton si funksionet qeveritare në fushën e sigurisë ashtu edhe në pedanterinë e mbajtjes së shënimeve bazike në komuna, pra regjistrin civil. Te Studimi i Fizibilitetit bëhet një skanim i shtetit, ashtu siç bëhet kontrolli i plotë i një organizmi apo një makine, për të detektuar defektet e për t’ i korrigjuar ato, natyrisht duke kuptuar edhe çfarë përmirësimesh do bërë e me çfarë kosto pune e kohe.

Por, sado të mira të dyja këto skanime, mungesa e një politike të jashtme kosovare i ka shndërruar në objektiva më vete, për më tepër, mund t’ia lidhë vendit këmbët në sfidën e ardhshme të politikës së jashtme, e ajo është, siç thamë, negociata për Veriun.

Në 18 muajt e ardhshëm ndërmjetësit evropianë në negociatat për Veriun mund të kenë në duar instrumente të thjeshta presioni e shpërblimi për Beogradin dhe Prishtinën. Për të parën, presioni e shpërblimi lidhet me fillimin e negociatave për anëtarësim në BE (ajo që quhet hapja e kapitujve të Acquis Communitaire). Për të dytën, presioni dhe shpërblimi lidhet me liberalizimin e vizave dhe hapat eventualë që mund të pasojnë Studimin e Fizibilitetit.

Gazeta Koha Ditore

Servilizmi politik e historik

Trafikantë droge në Mediaset. Operacion antidrogë në Milano, 22 arrestime