Më 30 qershor një grup alpinistësh të “High Albania Mountain Club” ngritën flamurin shqiptar në Mytikas, 2.917 m lartësi, maja më e lartë e Ballkanit
Reportazh nga Edmond Prifti, një prej pjesëmarrësve
Të marrësh frymë thellë, të dëgjosh cicërimën e zogjve, të ecësh shtigjeve me pemë të rrëzuara nga orteqet e dimrit të acartë, e të shikosh përqark Olimpin, këtë Mal të 12 Zotave, për të cilin Homeri ka shkruar “Olimpi nuk u trondit nga erërat e kurrë as nga shiu i lagësht, e as bora që bie mbi të, por nga ajri që ndihet qartazi e i kthjellët, e nga ai fluturim mbi bardhësinë rrezatuese”.
Të tillë pothuajse e preka Olimpin, kur së bashku me 16 anëtarë amatorë e profesionistë të klubit alpin “High Albania Mountain Club”, iu ngjitëm majës 2917 në Mytikas, maja më e lartë e Ballkanit, ku dhe ngritëm flamurin shqiptar mëngjesin e 30 qershorit.
Ngritja e flamurit shqiptar në Mytikas ishte për ne një sfidë, që e kishim planifikuar kohë më parë, me dëshirën që të ishte edhe nënshkrimi ynë në librin e Malit të Zotave. Atje në majë, Nevila, një nga pjesëtaret e ekipit, “dhuroi” për secilin nga ne një pankartë me emrin e 12 Perëndive të Olimpit, duke filluar me Zeusin, që iu dha drejtuesit të grupit, Fisnik Muça, për të vijuar me perenditë Hera, Hermes, Hestia, Aphordite, Ares, Demeter, Hesphaestus, Poseidon, Athena, Artemis dhe Apollo. Pastaj një pankartë e madhe “Olimp 2012”, me emrat e gjithë grupit që kapi Mytikas.
Lindja e diellit në shtëpinë alpine
Pas më shumë se rreth 10 orë rrugë me mikrobuz nga Tirana, morëm autostradën e Selanikut për të udhëtuar edhe 92 kilometra deri në këmbë të malit mitik të Olimpit, në afërsi të qytetezës turistike Litohoro (Litochoro). Këtu ndodhej pika bazë, e quajtur Prionia (18 kilometra rrugë automobilistike), në lartësinë 1.100 metra, nga ku adhuruesit e sportit të lartësive ngjiten në këmbë drejt shtëpisë alpine, e quajtur ndryshe “Refuge A” që ngrihet në lartësinë 2100 metra.
Arritëm në këtë pikë bazë pas gati 3 orë e gjysmë udhëtim, kur gati kishte rënë muzgu. Shtëpia alpine, me një kapacitet prej 110 shtretërish, është e hapur nga muaji Maj deri në Tetor, por atje nuk mund të akomodohesh pa bërë më parë rezervimet, pasi numri i madh i të apasionuarëve që i ngjiten Olimpit i kalon pothuajse 200 syresh në ditë. Llogaritet se 10 mijë vetë i ngjiten “Malit të Zotave” çdo vit, por shumë pak prej tyre arrijnë Mytikan, ndërsa “prekin” Skolio-n, në lartësinë 2912 metra (një shteg më i lehtë alpin).
Në këtë shtëpi alpine do të kalonim natën edhe ne. Në dhomat që i përngjanin kapanoneve të dikurshme ushtarake me krevate dy-katëshe marinari, do të shijonim një darkë mes miqsh dhe Uzon e famshme greke, për të nisur të nesërmen në orën 05:00 të mëngjesit, me orën greke, ngjitjen e Malit të Zotëve.
Fisnik Muça, lideri i kësaj ekspedite e njëherazi pjesëtar i klubit alpin shqiptar “High Albania Mountain Club”, na shpjegoi për disa minuta sfidat e ngjitjes. “Në 2.917 metra ndodhet maja Mytikas. Do të doja që të gjithë të arrinim në këtë majë, por është një zgjidhje personale, pasi janë rreth 300-400 metra ku na duhet të kacavirremi për të arritur në majë. Është ngjitje e gradës së katërt këmba-doraz”, na tha alpinisti Muça.
Më pas nisëm rrugëtimin drejt shtigjeve të majës Mytikas, për t’u çlodhur veçse disa minuta (por jo deri në ftohjen e muskujve) çdo 200-300 metra në vendet e menaxhuara posaçërisht për “udhëtarët alpinë”.
Pas një ecje prej gati 3 orësh, përmes reve të dendura të mjergullës e erës së ftohtë të malit Olimp, mes grykave dhe të përpjetave të forta, arritëm në pikën e parafundit ku dhe u përgatitëm për ngjitjen e gradës së katërt drejt Mytikas.
Ashtu siç kishte përmendur edhe Fisnik Muça, gati 300 metra do na duhej të ecnim këmba-dorazi, duke u kacavjerrur në shkëmbinjtë e thepisur e plot hone, por me një pamje magjepëse, që i fiksuam me vështirësi në fotografitë dhe pamjet filmike në çastet “e trafikut të dendur nga udhëtarët e shtegut tejet të ngushtë”.
Përgjatë një zbritje që na duhej të mbaheshim fort pas një kavoje çeliku, alpinisti Muça na udhëzoi të gjithëve që të ecnim në këtë segment pranë njëri-tjetrit, të linim bagazhet e tepërta dhe të përdornim të ndenjurat dhe dy duart gjatë zbritjeve për të mbajtur në këtë mënyrë ekuilibrin nga ana e malit. “Veçse kështu s’do të kemi asnjë aksident të mudshëm”, na udhëzoi ai.
Kështu ecëm, njëri pas tjetrit, ngadalë, duke mos lëshuar ndonjë gur të binte mbi alpinistët e tjerë Metrat e fundit ishin vërtet emocionuese për gjithë pjesëtarët.
Pas vendosjes së këmbës “së fundme” drejt majës emocionet ishin të papërshkuara. Gjithë pjesëtarët e ekipit shqiptar u përqafuan e shtrënguan duart me njëri-tjetrin për pushtimin e majës më të lartë në Ballkan. Filluam të këndonim këngën e malit, nxorrëm pankartat dhe soditëm peisazhin përreth. Dikush i hutuar, dikush fotografonte veten e të tjerë. Pastaj një foto e përbashkët e grupit shqiptar, e shkrepur nga një alpinist bullgar që më bashkëkombas të tij, sikurse dhe ne, i ishte ngjitur majës së Malit të Zotave.
Zbritja e malit ishte më e vështirë se ngjitja. Kupat e gjurit, pulpat dhe pjesa fundore e gishtërinjëve ishin krejtësisht “të cfilitura”, por me vehte kishim marrë ndjesitë e përmbushjes së një sfide. Mbi të gjitha kuptuam më mirë shprehjen se “kam mësuar që çdokush dëshiron të jetojë në majë të malit, por gjithë lumturia ndodh përgjatë ngjitjes së malit”.
Pas 4 orë zbritjeje, me ndalesa të vogla, mbërritëm në Prionia, ku na priste mikrobuzi me targa shqiptare, për t’iu drejtuar Litohoros, një qytezë turistike me rreth 6000 banorë, 1500 prej të cilëve shqiptarë.
Në hotelin “Myrto” do të takonim dhe Linditën nga Burreli, e cila kishte vite që jetonte dhe punonte në banak. Priste e përcillte turistë të shumtë, ndër të cilët “paksa ndryshe nga të tjerët” ishim dhe ne bashkëatdhetarët e saj.
Pas një darke e vizite të shkurtër përreth kësaj qyteze, ku dëgjoje të flitej shpesh shqip, provuam Uzon greke mes kujtimeve për vështirësitë e emocionet që na fali ngjitja në Olimp. (ATSh)