Rreth 40 familje shqiptare e kosovare i janë përgjigjur thirrjes së Shoqatës Shqiponja të Reggio Emilias për të dhënë kontribut moral, material e në punë vullnetare popullatës së prekur nga tërmetet e majit
Romë, 13 korrik 2012 – “Jetojmë në Emilia prej vitesh, përjetojmë bashkë me vendasit edhe fatkeqësitë, ndaj duam t’i ndihmojmë tani që janë në nevojë”. Kështu thotë inxhinieri Besnik Dervishaj, sekretar organizativ i shoqatës shqiptare Shqiponja në Reggio.
Bashkë me një grup shqiptarësh e kosovarësh, që kanë shprehur gatishmërinë e tyre, shoqata ka vendosur t’u japë një ndihmë konkrete personave të prekura nga tërmetet e majit.
Janë dyzet familje shqiptare e kosovare që kanë përkrahur nismën e sekretarit organizativ të shoqatës Shqiponja dhe kanë vendosur të ndihmojnë në mënyra të ndryshme, me punë vullnetare e me kontribute në para.
“Shumë prej nesh janë pa punë, por megjithatë u përpoqëm të japim sa kishim mundësi. – nënvizon Besniku – Në një çast të tillë, pas gjithë asaj që ndodhi, nuk mund të rrinim duarkryq”.
Të gjitha bashkë, familjet kanë mbledhur 400 euro dhe rreth 20 persona kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të punuar vullnetarisht. Kush për një fundjavë e kush për dy, kanë shprehur gatishmërinë të punojnë falas përveç Besnik Dervishajt, edhe Klodian Cami, Alket dhe Husni Llakaj, Martin Shenaj, Merko dhe Nikolin Qepi, Robert Velaj, Bardhyl Met’hasani, Agim, Driton, Sulejman, Faton, Jeton dhe Lumni Kodra, Alber Leka, Bajram Krasnici, Besnik Jupaj dhe Zylfi Kokolari.
“Kemi folur me Franco Corradinin e komunës së Reggios që na ka lidhur me Mbrojtjen Civile. – shpjegon Besniku – Për një apo dy fundjava, të shtunë e të diel, jemi njëzet vetë të gatshëm të ndihmojmë ku të jetë nevoja”.
Dhe jo vetëm kaq, nisma e shqiptarëve dhe kosovarëve parashikon edhe vënien në dispozicion falas për një ditë të një autobusi 60 vendesh, të një eskavatori dhe të një kamioni. “Tani për tani këtë kemi arritur të bëjmë. Por do të vazhdojmë të angazhohemi e do të ndërmarrim iniciativa të reja për tëdhënë një dorë, brenda mundësive. Madje, po të ketë të tjerë bashkatdhetarë që duan të bashkëpunojnë me ne në këtë drejtim mund të na kontaktojnë në çdo çast” përfundon Besnik Dervishaj.
Lexo edhe: Nebi Muçaj, nga Marche në Emilia në ndihmë të të prekurve nga tërmeti