Më pyesin nëse, pas kësaj përvoje jete jo aq të lehtë në Itali, po të kthehesha brapsht në kohë, do të kisha bërë sërish të njëjtën zgjedhje? Përgjigjja ime është PO. Do ta kisha bërë edhe 22 herë të tjera. Sepse jam kjo që jam, edhe falë këtyre 22 vjetëve
Nga Esmeralda Tyli*
Njëzetedy vjet më parë … Xhiroja e fundit e përshëndetjeve me fqinjët. Ditë e nxehtë, siç janë zakonisht të gjitha ditët e korrikut në Tiranë. Oborri përpara pallatit gjithë pluhur (ta quash oborr është eufemizëm), ishte mbushur me të njohur që donin të më uronin rrugë të mbarë. “Do shihemi prapë pas një muaji” u thoja unë.
Ishte epokë diktature… nuk mund të thoje “Kushedi kur shihemi sërish, nuk e di kur do të kthehem e nëse do të kthehem ndonjëherë nga Italia!”. Nuk isha e sigurt as nëse do të mund të nisesha.
Ja tek është Astriti, Ardiani, Lily, Majlinda, Eduarti, Elvira, Zenepja, të gjithë aty. Bëj një vrap deri në shtëpi të Astritit dhe Elvirës për t’i telefonuar për të fundit herë gjyshes, gjyshes sime të dashur, gjyshes së pazëvendësueshme e të paharrueshme. Edhe sot e kësaj dite me kumbojnë në kokë fjalët e saj: “Nuk vdes pa të parë prapë!”… Nuk mundi ta mbajë premtimin, e shkreta gjyshe, nuk mundi!
Hipa në një makinë të ndërmarrjes të hidrogjeologjisë ku punonte im atë. Imë më, im atë, vëllai, daja, Artani, dhe u nisëm. Rruga e pluhurosur e lagjes sime ishte plot njerëz që më përshëndetnin e unë mbeta me dorën ngritur deri kur makina ktheu për të marrë rrugën kryesore. Më ishte mbledhur lëmsh në grykë. Ndieja një gropë në bark. Përpiqesha të merrja pjesë në bisedën me të mitë, por përgjigjesha me njërrokëshe. Arritëm në Durrës as një ore … e nga ai çast nis historia ime bashkëkohore.
Rishikoj fotografinë e pasaportës sime, natyrisht bardhezi, e pyes veten ç’ka mbetur sot nga ajo vajza me flokë të shkurtra, e sapo diplomuar, me një vit eksperiencë si mësuese gjimnasi. Çfarë ka mbetur nga ajo vajzë që nisej drejt të panjohurës?
Është e çuditshme! Është e çuditshme që edhe fiks pas 22 vjetësh, ato çaste të nisjes sime, më kanë mbetur në mendje, me të gjitha detajet.
Më pyesin nëse, pas kësaj përvoje jete jo aq të lehtë në Itali, po të kthehesha brapsht në kohë, do të kisha bërë sërish të njëjtën zgjedhje? Përgjigjja ime është PO. Do ta kisha bërë edhe 22 herë të tjera. Sepse jam kjo që jam edhe falë këtyre 22 vjetëve gjatë të cilëve jam rritur, pjekur, kam gabuar, jam ringritur vetë për t’u korrigjuar… më kanë inatosur, gëzuar, më kanë bërë grua, të rritur!
Jo, nuk jam bërë pishman! Do të bëja çdo hap të këtyre 22 vjetëve. E vetmja gjë që nuk i kam falur vetes është fakti që u mbylla në vetvete, që mbyta ëndrrat e mia për të studiuar sërish, për t’u realizuar në profesionin që aq shumë kisha ëndërruar në ato vite… Ndoshta nuk do të kisha realizuar ato ëndrra, por të paktën ta kisha provuar. Ja pra, nuk i fal vetes që u dorëzova!
Por edhe kështu jam mirë… ndoshta edhe ky gabim i rëndë më ka pjekur më shumë, duke ndikuar pozitivisht në zgjedhjet e sotme.
Jam Esmeralda Tyli, 45 vjeç e gjysmë, jetoj prej 22 vjetësh në Itali, shqiptare me origjinë nga Shkodra, e lindur dhe e rritur në Tiranë. Romake për zgjedhjet që kam bërë në jetë e për dashurinë që ushqej për këtë qytet! Qytetare e Italisë dhe e botës! Jo imigrante, as ekstra-diçka, por qytetare, pjesëtare e kësaj shoqërie!
Jo! Nuk do të ndërroja as edhe një presje vendimit që mora 22 vjet të shkuara.