Historiani Vladimir Qirjaqi: “Mungesa e Çercizit në Vlorë nuk e zbeh aspak rolin dhe kontributin e tij për pavarësinë e Shqipërisë”
Historiani dhe pedagogu i Universitetit të Gjirokastrës, Vladimir Qirjaqi, në një intervistë për ATSH-në thote se “në aktin e madh të pavarësisë se Shqipërisë është hedhur edhe firma e disa patriotëve gjirokastritë, por aty mungon firma e Çerçiz Topullit. Por një gjë është e sigurt: Çerçiz Topulli dhe çeta e tij kishin firmosur për pavarësinë e Shqipërisë me gryken e mauzerit në beteja të shumta dhe heroike. Por, për fat të keq, kapedan Çeçua nuk ishte i pranishëm ditën që u ngrit flamuri në Vlorë dhe ende nuk ka ndonjë version zyrtar pse ky luftëtar i madh nuk mori pjesë në ceremonialet në Vlorë. Historianët mund dhe duhet ta sqarojnë këtë detaj që deri më sot është anashkaluar, apo nuk është vlerësuar si duhet. Gjithsesi, mungesa e Çerçizit në Vlorë nuk e zbeh aspak rolin dhe kontributin e tij, sakrificat dhe përpjekjet që ai bëri nga veriu në jug si rallëkush tjetër”.
Qirjaqi thotë se “Çerçizi me pushkë dhe Mihal Gramenua me penë formuan një dyshe ideale të domosdoshme dhe të rëndësishme për të çarë në mjegullën e madhe të otomanëve dhe për të rendur drejt Vlorës ku natyrshëm u valëvit flamuri kuqezi. Çerçiz Topuli dhe Mihal Gramenua janë simbole dhe flamurtarë të pavarësisë së Shqipërisë, edhe pa qenë në Vlorë”.
Lidhur me veprimtarinë dhe kontributin e Çerçiz Topullit për pavarësinë e Shqipërisë, Qirjaqi thekson se ai “krijoi rreth vitit 1907 çetën e famshme që populli e pagëzoi me emrin e tij, që numëron beteja të shumta kundër turqve, grekëve, serbomalazezëve. Është rasti të evidentojmë vrasjen nga ana e çetës të komandantit të xhandarmërisë turke në Gjirokastër, ose siç quhej ndryshe Binbashit, vrasje kjo që nga njëra anë rriti famën dhe lavdinë e çetës ss vogsl, por edhe të Çerçiz Topullit, nga ana tjetër u bë edhe shkëndija e luftës së Mashkullorës, që ka hyrë në histori”.
“Cerciz Topulli ishtë një rilindas që bëri gjithçka për çeljen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Ai është i pari që me disa artikuj në gazetat e kohës ka trajtuar dhe ngritur me forcë çështjen kombëtare shqiptare. Koncepti i Çerçiz Topullit për pavarësinë e Shqipërisë ishte shumë i përparuar për kohën kur ai jetoi dhe luftoi. Ndryshe nga shumë bashkëkohës që kërkonin pavarësi nën Turqi, apo duke e zbutur Turqinë, Çeçua kishte kuptuar se pavarësia e atdheut do të vinte vetëm duke luftuar kundër Turqisë”, shton studjuesi.
Sa i përket qëndrimit dhe rolit të Çerçiz Topullit pas shpalljes së pavarësisë së vendit, historiani thotë së “Kapedan Çerçizi dhe luftetarët e tjerë të çetës mbështetën qeverinë e daë në Vlorë duke u vënë plotësisht në shërbim të Ismail Qemalit. Ai vazhdoi luftën kundër pushtuesve, në jug e në veri ku vepronin forca pushtuese fqinje. Çerçiz Topulli nuk e hoqi armën nga supi deri kur u vra në fushën e Shtoit në Shkodër”. (ATSh)