in

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut

Historia e armëve të Skënderbeut që për 100 vjetor të Pavarësisë do të ekspozohen për herë të parë në Shqipëri

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut, që për herë të parë do vijnë në Shqipëri, janë të ekspozuara në Kunst Historisches Museum në Vjenë të Austrisë, në sallën e “Maksimilianit”, XXV. 

Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Duke marrë në shqyrtim simbolikën shohim se: në pjesën e rripit përkrenarja ka të gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta si: IN*PE*RA*TO*RE*BT që dëshifrohet kështu: (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezusi i Nazaretit, bekon Skënderbeun, Princin e Matit, Mbretin e Shqipërisë, Tmerrin e Osmanëve, Mbretin e Epirit). Thuhet se përkrenarja iu dhurua Skënderbeut nga Papa Pio II në pritjen zyrtare që i bëri Skënderbeut natën e Krishtlindjes së vitit 1466.

Me kërkesën e qeverisë shqiptare të para Luftës së Dytë Botërore, një kopje identike e helmetës së Skënderbeut u soll në Shqipëri e sot gjendet në Muzeun Kombëtar të Tiranës në Shqipëri. Kopja u prodhua nga një mjeshtër austriak në 1937.

Sipas historianëve, Skënderbeu ka përdorur dy shpata. E para i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85,5 centimetra dhe e gjerë 5,7, peshon 1,3 kg.

Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. E dyta është model turk, është 121 cm dhe peshon 3,2 kg. Kjo e fundit gjendet së bashku me përkrenaren në Muzeun e Historisë dhe Artit në Vjenë. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të paraluftës.

Udhëtimi i armëve

Pas vdekjes së Skënderbeut, përkrenarja dhe shpata u morën në Itali nga gruaja e Skënderbeut, Donika, dhe djali i tij, Gjoni. Kush i trashëgoi pas vdekjes nuk dihet Armët u rishfaqën në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Në 1590 një helmetë dhe një shpatë ishin në pronësinë e Kontit Ëolfgang i Sturnbergut, kurse shpata tjetër ishte në inventarin e Muzeut të Armëve të Arqidukës Karl të Stirisë, djalë i Perandorit të Shenjtë Romak në Gratz të Austrisë (ato paraqiten në inventarin e 30 Tetorit 1590). Personi që i grumbulloi të gjitha armët bashkë ishte djali i Perandorit dhe vëllai i Karlit, Arqiduka Ferdinand i Tirolit, i cili, duke vepruar me këshillën e Kancelarit të tij Jacob Shrenk von Gotzing, i bleu armët dhe i mbajti në të njëjtin vend. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambrasit, pranë Tirolit, të cilin e mbushi me lloj-lloj materialesh ushtarake, ashtu si edhe me piktura dhe portrete të personaliteteve të kohës. Në 1806 armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë. 

Kërkesa për të sjellë në Shqipëri armët e Skënderbeut janë bërë disa herë që në kohën e Zogut, së fundi  edhe në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Për shkak të kushteve dhe të mungesës së sigurisë përgjigjet kanë qënë gjithmonë negative. 100-vjetori i Pavarësisë do të mundësojë që përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut të ekspozohen për herë të parë në Shqipëri për një publik të gjerë.

Armando Kasaj për prokurorinë fshiu provat e 21 janarit, për gjykatën është i pafajshëm

Gjyqi Hoxha-Kadare, dorëshkrimi t’i dorëzohet arkivit të shtetit