in

Në Londër 2012 për medaljen e parë olimpike

Delegacioni olimpik shqiptar kompletohet dhe vazhdon stërvitjen në Londër. Situata është e qetë, të gjithë gati për përfaqësimin në Olimpiadë. Në historinë e tij Olimpike vendi ynë nuk ka fituar kurrë një medalje, ndaj për këtë arsye, motoja e delegacionit olimpik shqiptar është “Nuk heqim dorë nga ëndrra”.

Nga Genti Spiri, gazeta Sporti Shqiptar

Ditët e fundit në prag të Olimpiadës janë gjithnjë e më shumë të mbushura me emocione, ankth dhe pritje e kjo gjë duket edhe në radhët e delegacionit olimpik shqiptar, që po përgatitet prej një jave në Londër.

Më 27 korrik do të zhvillohet ceremonia e hapjes dhe një ditë më pas nis aventura për dy nga anëtarët e delegacionit kuqezi. Gjithçka është gati në ekipin kuqezi për debutimin në Olimpiadë, teksa orët në kryeqytetin britanik kalohen mes stërvitjes dy herë në ditë dhe relaksit në Fshatin Olimpik.

Shefi i misionit olimpik, Viron Bezhani, njeriu që mban kontaktet me mediat, shprehet se situata është e qetë dhe se gjithçka po shkon sipas parashikimit.

Stërvitja po kryhet me ritme të mira te të gjithë sportistët, që duan të arrijnë më të mirën në këtë Olimpiadë. “Çdo gjë është e sistemuar në mënyrë të përkryer.

Çdo sportist e di se ku duhet të shkojë për t’u stërvitur, oraret dhe mendoj se në këtë drejtim gjërat po ecin mbarë. Kemi një grup njerëzish në dispozicion, që na shoqërojnë në çdo moment me dy makina.

Pra, çdo gjë është e përsosur”, – shprehet Bezhani, që duket se më shumë se të gjithë ndjen lodhjen e detyrës së shefit, pasi koordinon punën e të gjithë sportistëve.

Objektivi, një medalje olimpike

Në historinë e tij Olimpike vendi ynë nuk ka fituar kurrë një medalje, ndaj dhe ky mbetet një objektiv për t’u arritur në “Londër 2012”. Për këtë arsye, motoja e delegacionit olimpik shqiptar është “Nuk heqim dorë nga ëndrra”. Me këtë fjalë Bezhani nis bisedën i pyetur nga “Sportin shqiptar” rreth objektivave të delegacionit tonë në Londër. “Kemi dëshirë që të realizojmë ëndrrën tonë, që të marrim një medalje të parë olimpike. Natyrisht që kjo mbetet një ëndërr për t’u realizuar, kjo është ëndrra e gjithë shqiptarëve.

Por këtë herë mund t’ia dalim mbanë, pasi sportistët kanë kushte të mira stërvitore dhe janë përgatitur fort për të arritur në zonën e medaljeve. Kjo më bën mua, por edhe vetë sportistët optimistë. Janë stërvitur mirë dhe shpresojnë të marrin maksimalen”, – shprehet Viron Bezhani.

Mbërrin edhe kosovarja Kelmendi

Dje paradite ka mbërritur në Londër edhe anëtarja e fundit e delegacionit olimpik shqiptar, xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi, që do të garojë në peshën -52kg. Ajo u prit nga shefi i misionit olimpik Viron Bezhani, ndërkohë që Kelmendi ishte e shoqëruar nga trajneri i saj Driton Kuka.

Ajo është akomoduar menjëherë në Fshatin Olimpik dhe i është bashkuar pjesës tjetër të sportistëve shqiptarë pjesëmarrës në “Londër 2012”. Me ardhjen e Kelmendit kompletohet përfundimisht ekipi olimpik shqiptar, që më 27 korrik do të jetë në ceremoninë e hapjes.

Sot vendoset pesha për Romela Begajn

Një nga çështjet më delikate që delegacioni ynë olimpik do të ketë sot është pesha që peshëngritësit do të deklarojnë në momentin e fillimit të garës. E veçanërisht ky problem prek peshëngritësen Romela Begaj, e cila kërkon që në dygarësh ta nisë me 230kg, ndërkohë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka deklaruar kohë më parë 215kg.

Shefi Bezhani do të jetë sot në mbledhjen e komisionit teknik, ku do të kërkojë ndryshimin e peshës. “Po punojmë për korrigjimin e peshës, gjë të cilën e kemi kërkuar që ditën e parë që kemi mbërritur në Londër dhe presim që sot të vendoset korrigjimi i peshës së Romela Begajt, që nga 215kg të shkojë në 230kg. Kjo është e rëndësishme, pasi mund të ndikojë direkt në mundësinë e fitimit të medaljes”, – tha Viron Bezhani.

Kuqezinjtë në “Londër 2012”
Noel Borshi (Not)                        28 korrik, ora 10.30
Arben Kuçana (Qitje)                    28 korrik, ora 12.00
Majlinda Kelmendi (Xhudo)           29 korrik, ora 09.30
Romela Begaj (Peshëngritje)          30 korrik, ora 15.30*
Daniel Godelli (Peshëngritje)         31 korrik, ora 19.00*
Briken Calja (Peshëngritje)            31 korrik, ora 19.00*
Sidni Hoxha (Not)                       31 korrik, ora 10.00
Hysen Pulaku (Peshëngritje)          1 gusht, ora 19.00*
Adriatik Hoxha (Atletikë)              3 gusht, ora 10.00
Endri Karina (Peshëngritje)            4 gusht, ora 19.00*
Arben Kuçana                             5 gusht, ora 09.00
Klodiana Shala (Atletikë)              6 gusht, ora 19.20
*Orari në peshëngritje është ai i baterisë A, ku garojnë më të mirët.

Dekreti që përmban sanatoren mbërrin në Gazetën Zyrtare

L’immigrazione nei tg italiani? Sbarchi e crimini