in

Turistët “e huaj” shqiptarë

Rritet numri i turistëve në vend, apo më mirë i shqiptarëve me pasaportë të huaj, por edhe numri i shqiptarëve që lënë Shqipërinë për të pushuar gjetkë, kryesisht në Greqi

Tiranë, 9 gusht 2012 – Sezoni veror 2012 ka shënuar një rritje të prurjeve turistike drejt vendit tonë me 10% krahasuar më një vit më parë. Këtë bën të ditur ATSh, edhe pse shumë prej atyre që quhen turistë janë shqiptarë që jetojnë jashtë e kthehen në vendlindje për të takuar familjet.

Duke qenë se Shqipëria ofron një natyrë gjeografike të larmishme, mundësi për turizëm bregdetar dhe malor, si dhe qendra truristike, por edhe për shkak të çmimeve më të lira kundrejt vendeve të rajonit, numri i të huajve që kthejnë vëmendjen nga vendi ynë ka qenë me i lartë. Këtë fakt e pohon edhe Kreu i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë, Sadik Malaj, i cili pranon se rreth 70-75% janë shqiptarë dhe vetëm 25-30% e turistëve vijnë nga vendet kryesisht perëndimore.

Një ditë më parë, policia bëri më dije se në pikat kufitare deri më tani kanë hyrë 1,7 milion persona.

Por këtë vit edhe numri i turistëve shqiptarë që preferojnë vendet fqinje për të pushuar ka pësuar rritje nga 8-10%. 
Sipas drejtuesve të agjencive turistike, Greqia ka qenë destinacioni që ka dominuar destinacionet që më parë kanë qenë më të preferuarat, si Turqia, Sharm El Sheikh, apo dhe Mali i Zi. Kërkesat për pushime në Turqi kanë qendruar në të njëjtat nivele si një vit më parë.

Rritja e fluksit të kërkesave për pushime jashtë vendit, sipas ekspertëve, ka ardhur si rrjedhojë e rënies së çmimeve të paketave turistike. Ekspertët thonë se destinacioni i Antalias ka pasur zbritje shumë të mëdha të çmimeve, për shkak edhe të konkurrenës, Sharm El Shehik po ashtu, si edhe Greqia që ka pasur oferta mjaft të lira.

 

Iluzioni i madh

Në plazhin e Jalës me produkte shqiptare