“Gatime tradite” është lokal në bregdetin e Himarës, që ofron një meny me produkte shqiptare. “Të huajt pëlqejnë gjithçka, por në mënyrë të veçantë byrekun, tavën e kosit, taratorin etj të shoqëruar me një kriko të madhe birre “Tirana”
“Gatime tradite”, shkruhet në fletëpalosjen që dy të rinj shpërndajnë në çadrat e plazhit të Jalës, rreth 65 km në jug të Vlorës. Megjithë vapën përvëluese, të rinjtë nuk rreshtin së kryeri punën e tyre. Në këtë botim të thjeshtë me ngjyra, administratorët e lokalit me këtë emër, rreshtojnë llojet e gatimeve për të tri vaktet. Janë të gjitha tipike të traditës, duke nisur me tavën e kosit, makaronat, patëllxhane të mbushura, qofte, bamje, byrek, llazanja, pula të mbushura, tarator… etj, etj. Gjithë tradita e kuzhinës shqiptare është në ato dy fletë të konceptuara mjaft thjeshtë, por mjaft interesante për përmbajtjen. Dhe ajo që është më kryesorja, çmimet janë mjaft të leverdishshme, aq sa…..”Me këto çmime mund të qeras gjithë këtë grupin e pushuesve këtu”, thotë me humor një mesoburrë nga Fieri, një nga ata pushuesit e shumtë që mbushin plazhin e Jalës në këto ditë gushti.
Me kërshërinë për të mësuar më tepër dhe me ndjesinë e këndshme që mund të të krijojë një subjekt me performancën e gatimeve të vendit, u drejtova për tek lokali që ndodhet në hyrje të plazhit, një godinë dy katëshe prej druri. Agim Yzeiri, një 55 vjeçar me trup të pakët, kuzhinieri i lokalit, na fton me mirësjellje për t’u ulur në një kënd të veçuar në katin e dytë. “Gatime tradite” funksionon prej tre vitesh, por unë punoj këtu prej dy vjetësh”, na thotë ai. Është nga Fieri, ashtu siç është nga qyteti myzeqar edhe administratori, Gerti, apo edhe punonjësit e tjerë. Agimi thotë se, menyja e lokalit është mjaft e pëlqyeshme për të gjithë pushuesit, pa kufizim. Këtu ai përfshin jo vetëm ata që vijnë për të kaluar verën në plazhin e Jalës, nga rrethe të ndryshme të vendit, por edhe turistët e huaj. Madje, këta të fundit janë klientë të përhershëm. Gjermanë, francezë, maqedonas, norvegjezë, kroatë, shqiptarë nga Kosova, preferojnë gatimet e traditës që ofrohen këtu nga dora e Agimit.
“Të huajt pëlqejnë gjithçka, por në mënyrë të veçantë byrekun, tavën e kosit, taratorin etj”, thotë Agimi. Ai tregon se, ushqimin e shoqërojnë me një kriko të madhe birre “Tirana”, që të shuan etjen në këto ditë të nxehta gushti. “Një kriko e madhe me vetëm 150 lekë, është mjaftueshëm për të përcjellë ushqimin dhe për të shuar etjen”, shprehet Agim Yzeiri, për të cilin, shija e gatimeve të traditës shkon paralelisht me çmimet mjaft të leverdishshme. Pjata më e shtrenjtë këtu nuk e kalon 400 lekëshin, çka për pushuesit dhe veçanërisht të rinjtë e kamoingjeve, është një faktor mjaft pozitiv dhe I mjaftueshëm për të qenë klientë të përhershëm sa kohë qëndrojnë në këtë plazh.
Agimi thotë se muajt e verës i kalon këtu, në krye të punës, pa u shkëputur asnjë moment. Fle prej orës 01.00 deri në 05.00 dhe pjesën tjetër është në dispozicion të klientëve. Ka marrë edhe bashkëshorten me vete, e cila e ndihmon për të alternuar menynë si edhe në punët e tjera. Mjaftojnë 3 muaj, që ai të ndjejë kënaqësinë dhe leverdinë e një pune, që e lodh por e shpërblen.
“Gatime tradite” është lokali i vetëm përgjatë bregdetit të Himarës, që ofron një meny të tillë, por jo subjekti i vetëm me produkte shqiptare. Madje pak metra larg tij, në një kioskë të vogël, pothuajse brenda territorit të plazhit, dy të rinj nga kryeqyteti ofrojnë për pushuesit pije freskuese, mes të cilave spikat birra “Kaon”. Jurgeni, një prej dy të rinjve që qëndrojnë pas banakut të thjeshtë, thotë se, birra shqiptare tërhiqet po aq sa edhe ato të markave të tjera të huaja. “Kaon” ofrohet e hapur në gota plastike dy llojëshe, me çmim shumë të pranueshëm. “një gotë e madhe birre me një çmim 100 lekë, ta shuan etjen këtu në rërën dhe diellin përvëlues”, thotë me humor Jurgeni, një 25 vjeçar. Ai tregon se ka nisur aktivitetin në fillim të korrikut dhe do ta mbyllë në fund të gushtit. Këtu ne Jalë vijnë shumë turistë të huaj dhe dy të rinjtë kanë synuar që t’i kenë klientë, çka e kanë arritur.
“Jala është e preferuar veçanërisht nga francezët, të cilët janë edhe klientët tanë”, tregon 25 vjeçari. Përveç kësaj kioske të thjeshtë, ata kanë edhe një “pub” diku, matanë rrugës. Është një lokal veror i ndërtuar me dërrasa të bardha, ku mbrëmjeve shijohet veç birrës, edhe muzikë. “Aola”, ështu emërtohet lokali, ofron mjediset e veta kryesisht për të rinjtë, nga ata të kampingjeve, që në këtë pjesë të bregdetit janë të shumtë.
Për dy të rinjtë, një produkt shqiptar në plazh, është një faktor mjaft pozitiv, në promovimin e imazhit të vendit. (ATSh)