in

Kolonja e Nolit, një pikë e mahnitshme turistike

“Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”, ishte shprehur Noli. Këtë dëshirë të më të madhit kolonjar, kryetari i Bashkisë së Ersekës e ka gdhendur sot në faqen e gurtë të një memoriali, për t’u kujtuar jo vetëm kolonjarëve, por të gjithëve, se Kolonja e Nolit është një destinacion i mahnitshëm turistik

Nga panairi ne Erseke
Mbushen plot 89 vjet nga gushti 1923, kur Noli bëri një shëtitje elektorale në Shqipërinë e Jugut, si kandidat për deputet  i Partisë Liberale në Korçë, (që fitoi në zgjedhjet e Asamblesë Kombëtare atë vit) e ku përgjatë udhës në Leskovik e Gjirokastër, i la mbresa të pashlyera vizita në Kolonjë.

Mezi priste të shihte truallin e të parëve të tij, Nolëve, tek sodiste nga Qafa e Qarrit pamjen e hatashme të Pllajës së Kolonjës, Gramozin madhështor nga njëra anë dhe peizazhin e errët të kreshtave të Malit të Zi në anën tjetër. “Ku është Qyteza?”,  pyeste dhe Halil Mesini, një “vatran” nga Qyteza që e shoqëronte, mundohej t’i tregonte ku ishte  fshati përtej kreshtave të zeza, mbuluar me pisha.

 “Sa vend i bukur. Kur ta shpallim Shqipërinë Republikë, do të ndërtoj atje një kasolle dhe çdo behar do të vij të shkoj pushimet në fshatin e stërgjyshërve të mi”, ishte shprehur Noli.

Këtë dëshirë të birit të madh të kombit shqiptar me rrënjë në Kolonjë, kryetari i Bashkisë së Ersekës, Ali Laho e ka gdhendur sot në faqen e gurtë të një memoriali, për t’u kujtuar jo vetëm kolonjarëve, por të gjithëve, se Kolonja e Nolit është një destinacion i mahnitshëm turistik.

Të tillë e bëjnë bukuritë natyrore dhe ato të krijuara nga njeriu, trashëgimia e pasur kulturore, ngjarjet e festat lokale me interes për vizitorët, që përbëjnë arsye për të udhëtuar drejt Kolonjës. Monumentet e përfshira në guidën turistike të përgatitur nga Bashkia e Ersekës janë të shumta, Çuka e Peçit në vargmalin e Gramozit, kanionet e Virkës, Borovës, Pagomenit, Ujvara e Rehovës, Pishat e Pogonicës, mali i  Koziakut, liqeni karstik akullnajor i Gramozit, Sheleguri, korija e Shën Kollit të Vodicës, shpella karstike e Podës, Urat e moçme të gurta të Postenanit dhe Radovës, Llixhat e Sarandaporit, vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik, kala, tuma, kisha e teqe shekullore etj.

Kolonja, 1.100 metra mbi nivelin e detit, me dy-tre muaj verë e nëntë muaj dimër, i ka nxitur kolonjarët të zhvillojnë blegtorinë, pylltarinë, bletarinë, pemëtarinë, grumbullimin e përpunimin e bimëve medicinale e së fundi, turizmin agrar.

Për ta bërë sa më tërheqëse krahinën për turistët, kolonjarët kanë hartuar një plan konkret për zhvillimin e turizmit, që nis nga çdo familje, në Bashki e rrethinat, e që përfshin dhe harmonizon dëshirat për udhëtime, çlodhje, argëtim, vizita ose biznes për çdo kategori udhëtarësh.

Kolonjarët nisur nga fakti se turistët e huaj bëjnë pushime të shkurtra me udhëtime të përshkallëzuara në vende të gjetura përmes internetit si dhe falë gjeografisë së zonës në afërsi me udhën nacionale që lidh Korçën, me Ersekën, Leskovikun, Përmetin, Këlcyrën, Tepelenën, Gjirokastrën, Sarandën e dhjetëra të tjera piktoreske, kanë mësuar të shfrytëzojnë si mundësi.

Banorët po nxiten të investojnë në sektorin e turizmit me ndërtim hotelesh të vegjël në qytet e pika turistike, bar-restorante e biznese të tjera shërbimesh dhe lehtësira për vizitorët. Ndër to janë Hotel “Devi” në hyrje të Ersekës, Hotel “Shazo” në jug të saj, Hotel-restorantet “Inxhujo”, “Gërmenji”, “Zisi”, kompleksi “Sotira”, tavernat me kuzhinën tradicionale kolonjare: “Prodani”, “Bilo”, “Mejdis”, “Alnedi”, bar-kafe “Gramozi”, “Fresku” etj, kanë nisur garën e  konkurrencës si me njëri-tjetrin, edhe me kohën.

Mjaft prej pronarëve pasi punuan në emigracion, kanë sjellë në vendlindje përvojën, duke ia shtuar mikpritjes.  “Ne po sjellim në Kolonjë jo vetëm ata që kanë qenë njëherë, por edhe vizitorë të tjerë të huaj”, thotë shefi i kuzhinës kolonjare Thoma Milo. Dy vëllezërit Gentian e Ali Xhaferri nga fshati Gjonç pas 10 vjet emigracion në Patra të Greqisë, kanë investuar një qendër relaksimi për rininë, një kështjellë e vogël me oborr të madh e të bleruar.

“Kur e ndërtuam, u konsultuam me arkitektin pogradecar Rako Konstandini. Ai me sytë drejtuar nga fshati qindra vjeçar i Rehovës me shtëpi të gurta e çati me plloça, tha: kështu do të bëhet. Dhe ashtu bëmë dhe shihni, gumëzhin si zgjua bletësh nga rinia. Traditë, shije, art”, tregon Gentiani.

E rëndësishme është që këta njerëz që jetojnë këtu mes maleve e dinë se tërheqje turistike nuk sjell vetëm natyra me bukurinë që afron, por edhe çfarë afrojnë vetë banorët. Ndaj ata janë bërë më të vëmendshëm për ruajtjen e  natyrës dhe zakoneve tradicionale e trashëgimisë kulturore.

Dinë se mungesat në shërbime apo cilësia e dobët përcaktojnë nëse turistët do të qëndrojnë, apo jo për një kohë më të gjatë për të pushuar dhe për t’u rikthyer më pas. E thotë djaloshi Rinald Kasko, duke sjellë shembull vizitën e disa italianëve, apo një grupi danezësh.

Kolonja ka muzikën, vallet e veshjet tradicionale të ruajtur në breza dhe grupin karakteristik të këngës kolonjare, njohur me emrin “As e vogël, as e madhe”, është monument i madh artistik i njohur në këtë trevë me histori, ideologë të shquar, poetë, mësues e studiues të përkushtuar ndaj gjuhës e arsimit shqip, luftëtarë e kapedanët trima me emër për heroizmat, që do të  nderohen dhe në këtë përvjetor shekullor të Pavarësisë.

Dinë kolonjarët krenarë, punëtorë e me kulturë, që të çojnë përpara krahinën me gjithë vështirësitë që hasin. Kryetari i bashkisë së Ersekës  A. Laho është një menaxher, që përmes qeverisjes lokale dhe stafin, promovon vlerat materiale dhe kulturore, krijuar nga banorët e qytetit edhe në Panairin tradicional i Trashëgimisë Kulturore këtë mesgusht, si sofër e madhe e Shtëpisë së Plakës. Në të shijoje e dëgjoje shumë për ç’ka duhet bërë më mirë në të ardhmen ku jo vetëm subjektet prodhuese e biznese të shumta pjesëmarrëse, por edhe specialistë, studiues, artistë mund të ndikojnë në rilindjen turistike të krahinës.

“Nuk di se ç’do të thoni nga ky panair për byrekun tim”, ka merak Xhuli Milo, që shton se e ka tëhollur si ia ka mësuar gjyshja në fshatin Kaltanj. Kuzhinën, gratë kolonjare e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të identitetit dhe kujdesi për ta trashëguar brez pas brezi është sot vlerë e madhe për turizmin.

E ka thënë edhe Fan Noli më parë, gjatë vizitës së tij në shtëpinë e Kristo Kirkës në Korçë, ditën e 28 nëntorit të vitit 1923. “… Hirësia e tij hante nga pak, por i provonte të gjitha dhe shprehte kënaqësinë e gatimit korçar: shumë të shijshme!”-  thoshte. Tek provoi byrekun, tha me shaka: “Si byreku i Kolonjës”. Qeshën të gjithë. – E ku e ke provuar byrekun e Kolonjës! – e ngacmoi Kristoja. – Në Amerikë, tha Noli. Më mbeti merak që s’pata mundësi të kthehesha pakë në Qytezë. Atje, po, më tërheq kërraba. Po do ta gjej rastin e lumtur…”. (Nga libri “Kristo Kirka” fq.150, autor Uran Butka, bot. “Maluka” 2012).

Dhe rastin fatlum në 130-vjetorin e lindjes së tij, Fan Noli, bir i shquar i Kolonjës dhe kombit shqiptar ia ka lënë rinisë kolonjare, që e shikon sot “kasollen e Nolit”, ose Shtëpinë e Plakës, si një pallat madhështor që mund të ngrihet prej saj.

(ATSh)

Rreth 45% e turqve në Gjermani duan të kthehen në atdhe

Pushimet pa identitet