in

1980 – Kur në gojë të ujkut hidhnim valle /2

Kthim në errësirë
Nga Mehmet Biber
Botuar në “National Geographic”, 1980
Një artikull mbi Shqipërinë komuniste nga një gazetar i revistës angleze “National Geographic”. Ishte viti 1980, kulmi i izolimit të komunizmit shqiptar. Një album me foto dhe një reportazh i imët mbi Shqipërinë e atyre viteve parë nga një revistë perëndimore.

Vijim i 1980 – Kur në gojë të ujkut hidhnim valle

Si mund t’ia dilte?

Duke mobilizuar prodhimin. Punëtorët punonin me tri turne për të shfrytëzuar makineritë 24 orë në ditë. Kam parë traktorë që punonin në fusha edhe natën nën dritën e prozhektorëve, traktorë që të nesërmen dërgoheshin në fermat e tjera për të vazhduar punën pa pushim. Si pjesë e këtij “revolucioni teknik” disa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë i shtonin shumë orë tetorëshit, duke zgjeruar më tej javën gjashtëditëshe të punës.

“A merr pagesëpër punën që bën jashtë orarit”? – u pyet një punëtor i një fabrike të Tiranës që prodhonte pjesë traktorësh. “Jo, nuk e kërkojmë atë. Ne punojmë vullnetarisht sepse besojmë që kjo punë është rruga e vetme për të çarë bllokadën. Ky shpirt revolucionar do të na udhëheqë drejt fitores”.

Në uzinën “Enver Hoxha” në Tiranë, kolegu im Sami Kohen krenohej duke treguar traktorin e parë të bërë nga shqiptarët. Kur Kina ndërpreu ndihmën, e lanë këtë uzinë dhe mjaft projekte të tjera të mëdha përgjysmë. “Teknikët kinezë, madje, morën edhe gjithë planin e uzinës më vete – tha i zemëruar drejtori i kësaj uzine. – Pastaj ata u përpoqën të sabotonin veprën duke mos na dhënë makineritë e nevojshme. Por ne e plotësuam projektin e ndërtimit dhe morëm pjesë makinerish nga vende të tjera. Jo si një ndihmë apo mbështetje të huaj. Kishim ndihmë të mjaftueshme nga Kina dhe Rusia. Nëse kemi nevojë për diçka, e blejmë nga ndonjë shtet me para në dorë. Në këtë mënyrë ruajmë pavarësinë tonë”. Në fakt, Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1976, ndalon marrëveshjet tregtare duke ndaluar kreditë bankare nga Lindja dhe Perëndimi.

Të jetuarit mirë, sipas stilit shqiptar

Vetëm pak vende të tjera mund të kishin këtë rrugë të vështirë zhvillimi. Por Shqipëria sundohet nga një dorë e hekurt dhe shqiptarët janë të mësuar me mungesat. Vështirësitë e tërmeteve dhe përmbytjeve ndoqën tmerret e luftës. Kur rusët u tërhoqën u rrit shumë numri i të përvuajturve, shumë komoditete u pakësuan.

Sot, megjithëse Shqipëria është larg nga të qënit e zhvilluar, ajo nuk ka mungesa serioze dhe racionime. Njerëzit vishen thjesht, por asnjë prej tyre me rroba të vjetra dhe të arnuara. Familjet jetojnë në apartamente të vogla ose shtëpiza, të varfra në mobilje dhe larg standardeve perëndimore. Por krahasuar me mjerimin e djeshëm, shqiptarët as e vënë në dyshim që janë më mirë sot. Dhe ata krenohen me vullnetin për të mbijetuar duke u mbështetur në forcat e veta. “Ne do të hamë edhe bar po ta kërkojë nevoja, por nuk ua shtrijmë kurrë dorën imperialistëve”. Regjimi i Hoxhës filloi reformën agrare në vitin 1945 duke u marrë tokat pronarëve dhe duke ua shpërndarë fshatarëve. Kolektivizimi përfundoi në vitin 1960. Rezultatet: moçalishte të thara dhe plotësisht të kontrollueshme dhe të punueshme, shumë ferma të ngritura dhe kodra të tarracuara e të mbjella me fruta. Toka e punueshme në zonat malore që dikur zinte rreth 10 për qind të sipërfaqes, tani është dyfishuar, malarja ishte zhdukur, shërbimi shëndetësor dhe social ishte përmirësuar ndjeshëm. Katër dekada më parë shqiptarët jetonin afërsisht 38 vjet. Sot ata arrijnë deri në 68 vjet mesatarisht. Në sfidën e saj ndaj Botës, Shqipëria mund të mbështetet në burimet e saj minerale dhe energjitike. Pas Afrikës së Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, Shqipëria radhitet e treta në prodhimin e kromit. Me nevoja të kufizuara, Shqipëria vetëmjaftohet me nxjerrje vajguri, qymyri dhe me energji hidro- elektrike. Pashë linja shpërndarjeje elektriciteti të shpërndara në gjithë vendin. Dhe fshatrat më të thella ishin elektrifikuar, madje Shqipëria i shiste energji elektrike fqinjëve jugosllavë dhe grekë. Prodhimet industriale, minerale dhe bujqësore mbushin ekspozitën “Shqipëria sot” në Tiranë. “Çdo gjë këtu është produkt i punës dhe sakrificës sonë”, shprehet Hysen Vaqarri, drejtor i ekspozitës. “Ne madje prodhojmë ushqim të mjaftueshëm për eksport. Asnjëlloj krize energjitike në Botë nuk na prek neve. Ne prodhojmë çdo gjë duke filluar nga radiot deri tek enët e kuzhinës. Ne bëjmë gjithçka me forcat tona, pa mbështetje të huaj”. Aq të lidhur janë ata me parimin e mbështetjes në forcat e tyre, sa nuk pranuar ndohmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kur një tërmet i fuqishëm shkatërroi rajonin e Shkodrës, në Shqipërinë e Veriut. Nëpër Shqipëri pashë studentë, meshkuj dhe femra, duke ndërtuar rrugë, shtëpi, duke mbjellë nëpër ferma, duke punuar nëpër fabrika. Sistemi hekurudhor i Shqipërisë po zgjerohej drejt veriut kryesisht përmes punës së studentëve. “Kjo punë fizike na lejon ne studentëve ta njohim më mirë vendin tonë dhe njerëzit tanë, të zgjerojmë njohuritë praktike, të ndajmë mes nesh edukimin teorik dhe na ndihmon të ndërtojmë socializmin”. Kështu shpreheshin Gjergj Murra, Bashkim Çami dhe Zeliha Kraga, studentë të historisë në Universitetin Shtëtëror të Tiranës. Përveç gjashtë orëve të përditshme studimi, ata kanë dhe një ditë të plotë në javë, stërvitje ushtarake.

“Çfarë bëni pas mësimit?”,

“Studiojmë mësimet për ditën e nesërme.”

“Po gjatë kohës së lirë?”

“Zakonisht shkojmë në teatër ose kinema, ose dëgjojmë muzikë klasike.”

Kurset zgjasin tetë muaj. Pastaj përveç muajit të punës fizike për studentët ka dhe një muaj shërbimi ushtarak, si për vajzat, ashtu dhe për djemtë. Të gjithë ata që mbarojnë shkollën e mesme duhet të shërbejnë një vit në një fabrikë ose në një fermë para se të gjejnë punë zyre ose të hyjnë në universitet.

“Po pas diplomimit?” Një trajnim njëvjetor para se të zënë një punë. Një i diplomuar në mjekësi shërben në një spital, një inxhinier punon në një fabrikë. Të diplomuarit në filozofi ose në gjuhë zakonisht japin mësim. Drejtuesit e universitetit thanë që 80% e popullsisë ishte analfabete në vitin 1938; sot 80% mund të lexojë dhe të shkruajë. Universiteti u hap më 1957 me 3.600 studentë. Sot regjistrohen 16 mijë në shtatë fakultete si inxhinieri, shkenca politike, gjeologji, histori, ekonomik, mjekësi dhe shkencat e natyrës.

“Nuk ka fakultet jurudik?”

“Sistemi ynë nuk ka nevojë për juristë”, përgjigjen. “Qytetarët tanë nuk kanë nevojë për një person të tretë që t’i mbrojë. Gjyqtarët e Gjykatave popullore të zgjedhura nga njerëzit i marrin vetë në konsideratë të drejtat e tyre”. Çuditërisht Ministria e Drejtësisë u shkri në një prej reformave të shumta të Enver Hoxhës.

Marksizëm- leninizmi është lënda themelore në të gjitha fakultetet, gjë që bën formimin ideologjik të studentëve. Kurset themelore përfshijnë historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, ekonominë politike të kapitalizmit dhe socializmit, si dhe materializmin dialektik, filozofinë “revizioniste” dhe sigurisht veprat e Ever Hoxhës. Plani 5-vjeçar cakton pranimet në Universitete përmes kuotave, sipas rretheve dhe biografisë familjare. Një e treta e të cilave u rezervohet punëtorëve, kooperativistëve dhe intelektualëve. Ata që rridhnin nga familje tregtarësh në sistemin e mëparshëm e kishin shumë të vështirë të siguronin një të drejtë studimi.

“Çfarë bëhet me ata që mbeten në provime?”

“Rinia jonë është idealiste. Në fund, 96% kalojnë.”

E ardhmja do të jetë pak a shumë njësoj

Shqipëria sot dhe para viteve ’70 është nën imazhin e Enver Hoxhës. Po pas tij? Me botuesin e revistës humoristike Hosteni biseduam për ndryshimet që kishin ndodhur pas ndërrimit të kursit nga ana e Bashkimit Sovjetik pas Stalinit dhe Kinës pas Maos. A do të kishte mundësi për të ndryshuar Shqipëria pas Enver Hoxhës?

“Ju na krahasoni me ato vende revizioniste, – u përgjigj ai i pakënaqur. – Jo asgjë nuk do të ndryshojë pas shokut Enver Hoxha. Partia dhe kombi janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Mësimet e tij na kanë nxjerrë në rrugën e duhur. Ne nuk duhet të devijojmë prej kësaj rruge”.

E lidhur shumë pak me anën tjetër të Botës, Shqipëria e vetizoluar mban konstante frymën e luftës. Pas dy vitesh në shërbim ushtarak (për djem) dhe përgatitjes ushtarake në të gjitha nivelet shkollore (për djem e vajza), çdo shtetas pavarësisht nga profesioni duhet t’i shërbejë Partisë një muaj apo më tepër në forcat e armatosura. Duke frekuentuar stërvitje ushtarake në çdo fabrikë, fermë dhe zyrë të administratës, populli përgatitej kundër sulmeve që mund t’i bëheshin. Kudo që udhëtoja në fusha, në male, në bregdet, në parqe qytetesh dhe në blloqe pallatesh shikoja bunkerë. Ato duken dhe shtohen si kërpudhat mbas shiut. Një diplomat më tregoi: “Më shumë shpenzime shkojnë për ndërtimin e bunkerëve sesa për mirëqënien e popullit”.

E dija që Enver Hoxha është përqëndruar rreth të ardhmes së Jugosllavisë pas Titos dhe makthit të pushtimit sovjetik. A ndihej Shqipëria me të vërtetë e kërcënur?

“Ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen”. – më tregoi një gazetar shqiptar.

Armata shqiptare, përgjithësisht e prodhuar në Kinë, është jashtë kohe, dhe vëzhguesit diplomatikë në Tiranë thonë që shteti mbase duhet të shikojë për mbështetje në Tiranë.

“Edhe nëse armiku është më i madh në numër, ne mund t’i ndalojmë ata. I gjithë populli do të mobilizohet menjëherë. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë një fortesë. Çdo sulm do t’u kushtonte shtrenjtë agresorëve”.

Imagjinova shtëpitë e gurit në Gjirokastër, në qytetet malore, shtëpitë me frëngji që janë fortesa më vete, trashëgimi e shekujve të përgjakur të mesjetës. Kujtova kalanë e Krujës, e cila në shekullin XV u bë qëndrestare e luftës kundër dyndjeve otomane, luftë guerrile e udhëhequr nga Skënderbeu.

Pas lindjes së Gjergj Kastriotit, i dërguar peng në oborrin e sulltanit, dhe shumë shpejt arriti të bëhej komandant i lartë i Perandorisë Osmane. I riquajtur Iskander Bej turqisht, për nder të Aleksandrit të Madh, të cilin turqit e admironin, ai dezertoi dhe në krye të 300 nizamëve shqiptarë u kthye në atdhe. Ai i mbajti turqit larg Evropës deri në vdekjen e tij më 1468. Ai jeton si një simbol rezistence dhe flamuri i tij me fushë të kuqe si gjaku dhe me një shqiponjë të zezë me dy koka valëvitej nga partizanët e Enver Hoxhës gjatë luftës dhe sot në Shqipërinë e pavarur.

Shteti ndalon “Opiumin e popullit”

E rrethuar nga Alpet e ashpra të Veriut të Shqipërisë, nga një liqen i madh që ka dalje përmes lumenjve për në detin Adriatik, shtrihet Shkodra, qytet i epokës së Ilirisë. Në majë të një kodre ndodhet një kala e ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Në qendër ndodhet një monument në nder të pesë partizanëve shqiptarë, të ciët sakrifikuan veten e tyre në një qëndresë kundër 300 nazistësh. Pranë tij ndodhet Muzeu Ateist i Shkodrës, të cilin shkova të vizitoja. Nën sloganin marksist “feja është opium për popullin”, drejtori i muzeut, një burrë i ftohtë, me zë të çjerrë, i veshur në gri, më tregoi se feja ishte përpjekur të ndalonte Pavarësinë e Shqipërisë.

Ngaqë turqit e njësojnë shtetin me fenë, Shqipëria myslimane (70% e popullsisë) ishte konsideruar turke. Ortodoksit (rreth 20%) ishin quajtur grekë dhe katolikët (rreth 10%) ishin quajtur latinë. Shërbesat ishin kryer në tri gjuhë të huaja, në arabisht, gerqisht e latinisht por jo në shqipe, në të cilën ishin të ndaluara. “Gjatë përpjekjeve për të stabilizuar shtetin tonë, – vazhdon drejtori ndërsa më tregon për abuzimet klerike, – kishat shërbenin si kolonë e pestë për fashizmin dhe imperializmin”.

Regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi njerëzit e fesë, i dërgoi në kampe pune apo i detyroi të mos ushtronin profesionin e tyre. Vendet e tjera komuniste e lejojnë fenë, kurse Shqipëria e ndalon duke e shpallur veten më vitin 1967 si “shteti i parë ateist në botë”.

Të gjitha 2.169 kishat, xhamitë, manastiret e të tjera “qendra të obskuritetit dhe misticizmit” duheshin mbyllur, prisheshin ose transformoheshin në qendra kulturore, klinika, stalla etj. Katedralja e Madhe e Shkodrës ushton nga të thirrurat e 2 mijë tifozëve të basketbollit.

Brezi i ri shqiptar njeh vetëm ateizmin, besimin në marksizëm-leninizëm, i cili zuri vendin e besimit fetar. Librat e Enver Hoxhës të serializuara, fjalimet që mbante në radio, shkrimet që botonte në gazeta, shërbenin si një Testament e Ri, ndërsa ai vetë mbahej si Mesia, pafundësisht i urtë, largpamës, i dashur dhe i pamposhtur nga armiqtë e tij.

Shoqëria e luftës mbyll dyert e saj

Dora e pamëshirshme e historisë ka ngulitur në mendjen e shqiptarëve se me sakrifica të mëdha mund të ecin përpara. Pas tri javëve në Shqipëri unë kuptova se sa i vogël isha për të depërtuar në murin e fortë të këtij eksperimenti social. Asnjëherë në udhëtimet e mia rreth BotësS’kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur saqë u djeva sikur të isha në një shkretëtirë. I shoqëruar dhe kontrolluar vazhdimisht ndjeva se me makinën e verdhë me të cilën lëvizja, shikohesha si një shpërndarës i shpejtë i lebrozës. Shoqëruesi im, Bashkim Babani, qëndronte gjithmonë pas mejepër të parë se çfarë do të regjistronte telekamera ime. Ai më lejonte të fotografoja nga jashtë ndërtesat industriale, por jo t’i vëzhgoja ato në brendësi. Hidrocentralet, gjithashtu, nuk mund t’i vizitoja. Te një punishte më dhanë raki për të pirë por nuk më lejuan të shihja si prodhohej. Kërkesat e mia për të vizituar familje dhe shtëpi ishin politikisht të ndaluara dhe nuk u morën asnjëherë parasysh. Asnjë fotografi të bunkerëve, gomerëve, sigurisht asgjë primitive. Por Bashkimi kurrë nuk më ndaloi që të bëja dublime të kartolinave shqiptare. Një qytetar i ndaluar në hyrjen e Teatrit të Kukullave në Tiranë mbeti i fokusuar në aparatin tim. Bashkimi më hodhi poshtë çdo shpresë për të fotografuar një ceremoni martesore. Qeveria nuk lejon që të paraqiten festimet tradicionale. Nuk pashë rrugëve ndonjë qen apo mace, simbole të luksit borgjez.

Njëherë pata një bisedë në turqisht me një vendas. Bashkimi menjëherë ndryshoi bisedën në shqipe dhe përktheu përgjigjet me zhargone të zakonshme partiake. Nuk munda të kuptoj mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe miqësor, siç janë shumica e shqiptarëve. Vetëm njëherë pata mundësi të shikoja thyerjen e këtij zakoni, kur në një fermë afër Shkodrës, një adoleshent m’u afrua duke më tundur para fytyrës me forcë një slogan kundër të huajve.

U mundova mjaft që t’i jepja një rrjedhë më intime bisedës, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll me gruan dhe djalin. Por ai kurrë nuk më dha mundësinë të krijoja një ide mbi jetën dhe mendimet e tij private. Në të vërtetë, ai dukej se kishte maskën që gjithë kombi i tij mbante veshur më krenari.

Lexo edhe 1980 – Kur në gojë të ujkut hidhnim valle

 

 

 

Na ishte njëherë… dje

Aktivitet mbarëshqiptar në Grosseto